Gjykata Supreme e Kosovës ka rrëzuar nenin e Udhëzimit Administrativ Nr. 01/2015, i cili ua ndalonte kompensimin financiar veteranëve të UÇK-së nëse ishin në marrëdhënie pune. Vendimi i Supremes vë në pah se Ministria përkatëse kishte vazhduar të zbatojë një kriter të paligjshëm, pavarësisht ndryshimeve ligjore të bëra që nga viti 2017. Sipas Supremes, ligji përcakton qartë se vetëm veteranët që marrin pagë nga buxheti i Kosovës ose ndërmarrjet publike përjashtohen nga kompensimi. Veteranët e punësuar në sektorin privat mbeten përfitues, në përputhje me kufijtë ligjorë. Në vendim theksohet se kërkesa e Ministrisë për dëshmi se veterani “nuk është në marrëdhënie pune” bie ndesh me ligjin dhe ka shkaktuar pasiguri juridike për mijëra përfitues. Gjykata e ka cilësuar mos-harmonizimin e udhëzimit administrativ me ligjin e ndryshuar si shkelje të parimit të përputhshmërisë së akteve juridike, duke nënvizuar se kjo ka cënuar zbatimin e drejtë dhe të njëtrajtshëm të të drejtave të veteranëve. Ky vendim pritet të detyrojë Qeverinë të rishqyrtojë praktikat administrative dhe të korrigjojë pasojat e shkaktuara për përfituesit, ndërsa hap edhe pyetje për përgjegjësinë institucionale ndaj ligjit dhe për masat që nuk janë ndërmarrë në kohë për të shmangur këtë situatë.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
