Politikologu Sylë Ukshini ka reaguar ashpër ndaj mënyrës se si Gjykata Speciale në Hagë po trajton luftën çlirimtare të UÇK-së, duke e quajtur këtë proces “një projekt të deformuar drejtësie, ku shqiptarët dalin të akuzuar e Serbia e amnistuar”. Në një analizë të tij, tek gazetarja Esmeralda Mulaj, Ukshini vlerësoi se dëshmia e ish-zëvendëssekretarit amerikan të Shtetit, James Rubin, është dëshmi historike që rivendos të vërtetën: se lufta e UÇK-së ishte legjitime, çlirimtare dhe në përputhje me vlerat e civilizimit perëndimor. Duke iu referuar akuzave të ish-prokurores Carla Del Ponte, Ukshini tha se libri i saj mbeti një manifest racist e antishqiptar, ku shpifja për “trafikim organesh” ishte kulmi i kriminalizimit kolektiv të popullit të Kosovës. “Ky nuk ishte hetim, por një fabrikim i qëllimshëm politik për t’i barazuar viktimat me kriminelët”, theksoi Ukshini. Ai kujtoi se Del Ponte kishte marrëveshje të fshehta me Beogradin për të mbajtur larg publikut dokumentet që provonin krimet sistematike të regjimit të Millosheviqit. “Ky është paradoksi i Hagës: krimet e provuara të Serbisë mbeten të pazbardhura, ndërsa çlirimtarët gjykohen mbi shpifje. Kjo nuk është drejtësi – është manipulim politik”, përfundoi Ukshini me një ton të prerë.
