Sylë Ukshini: Rubini dhe Kadareja, dëshmi që rivendosin dinjitetin historik të UÇK-së

Analiza e Prof. Dr. Sylë Ukshinit hedh dritë mbi dëshminë e James Rubinit në Hagë dhe qëndrimet e shkrimtarit Ismail Kadare për Rambujenë, duke nxjerrë në pah legjitimitetin historik e politik të UÇK-në. Sipas Ukshinit, dëshmia e Rubinit dhe reflektimet e Kadaresë nuk janë vetëm rrëfime personale, por dokumente të rëndësishme që rivendosin të vërtetën mbi UÇK-në, si forcë çlirimtare dhe faktor vendimtar në realizimin e lirisë dhe pavarësisë së Kosovës. Deponimi i James Rubinit në Hagë ka sjellë një kthesë të rëndësishme në narrativën për luftën e Kosovës, duke e vendosur Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës aty ku realisht i takon – në qendër të përpjekjes për liri dhe emancipim evropian. Rubini dëshmoi se Kosova, në sytë e SHBA-së dhe Britanisë së Madhe, ishte tashmë e vendosur për t’u shkëputur nga Serbia. Rambujeja nuk ishte kompromis i dobët, por hallka që lidhte përpjekjen diplomatike me ndërhyrjen vendimtare të NATO-s. Pikërisht këtu qëndron madhështia e UÇK-së: ajo mbajti mbi supe barrën e luftës, duke përballuar propagandën serbe, dyshimet e disa qarqeve perëndimore dhe skepticizmin e brendshëm. Ismail Kadare, e pa te UÇK-ja, jo thjesht një formacion gueril, por një lëvizje me “dozë idealizmi” që e lidhte Kosovën me qytetërimin evropian. Dëshmia e Rubinit dhe shënimet e Kadaresë e pasqyrojnë UÇK-në si forcën që përfaqësoi interesin kombëtar në momentet më kritike. Ato e zbulojnë se përtej përplasjeve të brendshme, UÇK-ja kishte fituar jo vetëm mbështetjen e popullit dhe të diasporës, por edhe respektin e faktorit ndërkombëtar. UÇK-ja ishte forca legjitime e çlirimit, që e bëri të mundur pavarësinë dhe vendosi Kosovën në rrugën e integrimeve euroatlantike.

 

Kontrolloni gjithashtu

Jonathan Moore: Pezullimi i dialogut strategjik, pasojë e politikës kundër interesave amerikane nga Kurti

Ish-diplomati amerikan Jonathan Moore, në një intervistë ekskluzive për emisionin Rubikon në Klan Kosova, dha …