Abelard Tahiri

Tahiri: Gjykata Komerciale dhe Vetëvendosje po legalizojnë plaçkitjen, do ta mbrojmë interesin publik pro bono

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, ka reaguar ndaj një vendimi të Gjykatës Komerciale, të cilin e cilëson të paligjshëm dhe të dëmshëm për interesin publik. Sipas tij, gjykata ka vendosur në favor të një kompanie private, duke detyruar Ndërmarrjen Publike Banesore (NPB) të përmbushë një kontratë të skaduar dhe të pazbatuar.

“Gjykata Komerciale ka pasuruar një kompani private në kurriz të taksapaguesve, duke legjitimuar një marrëveshje që kurrë nuk ka hyrë në fuqi,” deklaroi Tahiri.

Kontrata në fjalë, sipas PDK-së, ishte lidhur gjatë mandatit të dytë të Vetëvendosjes në Prishtinë (2017–2021) dhe ishte kundërshtuar vazhdimisht për shkelje ligjore.

Për të kundërshtuar vendimin, Tahiri tha se ka angazhuar një ekip të juristëve të pavarur, nën udhëheqjen e avokatit Faton Fetahu, për të ndjekur rastin në Gjykatën e Apelit. Ai theksoi se ky angazhim do të jetë krejtësisht pro bono, vetëm në mbrojtje të interesit publik.

“Do ta ndjekim këtë rast në çdo shkallë gjyqësore, për të parandaluar një plaçkitje të arkës publike në fund të mandatit të kësaj qeverie,” tha Tahiri.

PDK njoftoi se ka dorëzuar sot zyrtarisht ankesën në shkallën e dytë, duke paralajmëruar ndjekje të ngushtë të kësaj çështjeje që, sipas saj, ka implikime serioze për drejtësinë dhe buxhetin e vendit.

Kontrolloni gjithashtu

Shukri Buja fton qytetarët në protestën e 7 gushtit, për të mbrojtur simbolin e lirisë

Ish komandanti i UÇK-së, Shukri Buja, nëpërmjet një video të publikuar, ka bërë thirrje për …