Brickos

Rexhep Brahim Kadrijaj (17.6.1974 – 2.8.1998)

Rexhep Brahim Kadrijaj (17.6.1974 – 2.8.1998)

Rexhep Kadriaj u lind më 17 qershor 1974 në fshatin Rastavicë të komunës së Deçanit. Prindërit e tij, Brahimi e Ziza, kishin shtatë fëmijë, katër djem e tri vajza. Rexhepi ishte fëmija i gjashtë me radhë.
Rexhepi, shkollën fillore e kreu në vendlindjen e tij, në Rastavicë, shkollën e cila sot mban emrin e tij. Ndërsa shkollimin e mesëm e kreu në Gjimnazin “Vëllezërit Frashëri” në Deçan. Që në moshë të re, Rexhepi tregoi se kishte prirje për pikturë. Ai portretonte atdhetarët e shquar të kombit, si Skënderbeun, Ismail Qemailin, vëllezërit Jusuf e Bardhosh Gërvalla, Kadri Zekën e shumë të tjerë.
Gjatë viteve nëntëdhjetë të shekullit 20, familja e dëshmorit disa herë u bastis e u keqtrajtua nga ekspeditat ndëshkimore të policisë pushtuese serbe, me pretekst të kërkimit të armëve. U keqtrajtua edhe Rexhepi me të vëllezërit. Por keqtrajtimet, torturat, shtypja e egër dhe gjenocidi që po ushtronte Serbia pushtuese në Kosovë, te Rexhepi, sikurse edhe te shumë të rinj të gjeneratës së tij, vetëm sa e nxiste revoltën dhe e forconte bindjen se liria nuk fitohet me lutje, përulje e nënshtrim por vetëm me gjak e luftë të armatosur.
Me një formim të tillë revolucionar, ruhen të freskëta pamjet e Rexhepit në ballë të demonstratave në Deçan, me flamurin kombëtar në ballë e me parullat dhe brohoritjet e fuqishme “UÇK-UÇK!”.
Në radhët e UÇK-së hyri më 19 mars 1998, në Shtabin e UÇK-së në Shqiponjë (ish-Jabllanicë) të Dushkajës, ndërkaq stërvitjet ushtarake i kreu në Shtabin e UÇK-së në Gllogjan. Më pas me urdhër të Shtabit Operativ të Rrafshit të Dukagjinit, caktohet me veprim në vendlindjen e tij, në fshatin Rastavicë të Deçanit, ku banorët e fshatit bënë mobilizim të përgjithshëm në luftë për liri. Rexhepi ishte anëtar i Shtabit Lokal të UÇK-së në Rastavicë. Për nevoja të luftës, disa herë ishte edhe për furnizim me armatim në Shqipëri. Në raste ofensivash, kur e kërkonte nevoja, Rexhepi gjendej edhe në vijat e para të frontit në Baballoç e Prejlep. Gjatë gjithë kohës shquhej si njeri fjalëpak, shquhej për disiplinë ushtarake, gatishmëri, trimëri e heroizëm.
Vija e parë e frontit në Rastavicë ishte ndër vijat më të zjarrta të frontit të luftës në këtë trevë, pasi gjendej bri magjistrales Deçan-Gjakovë, prandaj tentimet për ta thyer këtë vijë të frontit ishin të pandërprera që nga 24 maji i vitit 1998. Sulmet mbi këtë vijë fronti gërshetoheshin nga Podi i Gështenjave e Suka e Baballoçit. Në qëndersën e kësaj vije të frontit ranë heroikisht dëshmorët Arben Qerimaj nga Gllogjani, më 26 maj 1998 dhe Rexhep Kadrijaj, më 2 gusht 1998, në vendin e moçëm të quajtur “Te Mullini”, afër shkollës fillore, sot me emrin e tij.
Dëshmori Rexhep Kadriaj u varros ditën e rënies, në varrezat e fshatit Irzniq. Rivarrimi i trupit të tij u bë në vendlindjen e tij, më 9 gusht 1999. Dëshmori Rexhep Kadrijaj nuk ka qenë i martuar. Pas vetes ka lënë nënën Zizen, vëllezërit dhe motrat. Emrin e tij e mban djali i vëllait të tij, Bedriut. Familja e dëshmorit Rexhep Kadrijaj është nderuar me mirënjohje të shumta nga Qeveria e Përkohshme e Kosovës, Komanda e Zonës Operative të Dukagjinit, Brigada 131 “Jusuf Gërvalla”, komuna e Deçanit, Shoqatat e dala nga Lufta e UÇK-së etj. Për dëshmorin janë shkruar shkrime përkujtimore, janë thurë këngë e poezi, janë organizuar akademi e tubime në shenjë përkujtimi të përjetshëm. Dëshmorit i është zbuluar pllaka përkujtimore në vendin e rënies. Ndërkaq në qendër të fshatit qëndron krenare përmendorja madhështore në shenjë kujtimi e nderimi të përjetshëm për dëshmorët Rexhep Kadrijaj e Arben Qerimaj, si dëshmi e heroizmit të pashoq dhe udhërrëfyes për brezat pasardhës, si sinonim i luftës së pamposhtur, sinonim i lirisë dhe pavarësisë së Kosovës. (F. R.)

Kontrolloni gjithashtu

Feriz Faik Guri (2.7.1970 – 22.4.1999)

Feriz Faik Guri (2.7.1970 – 22.4.1999)

Feriz Guri u lind më 2 korrik të vitit1970 në fshatin Nikaj të komunës së …