leoni

Të hënën e ardhshme fillon festivali “Oda e Llapushës”

Si çdo të hëne, edhe sot është mbajtur mbledhja e rregullt e Këshillit të Drejtorëve të komunës së Malishevës, ku drejtorët e drejtorive, raportuan për aktivitetet e tyre gjatë javës. Në këtë mbledhje u bë e ditur se janë duke u realizuar disa projekte, kurse lajm me rëndësi ishte njoftimi për mbajtjen e garës memoriale në not “Esmir Shala” dhe fillimi i festivalit tradicional folklorik “Oda e Llapushës”.

Drejtoresha e Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport, Blerta Krasniqi, bëri me dije, se janë duke u marrë me përgatitjet për dy ngjarje me rëndësi, e para gara tradicionale e notit “Esmir Shala”, që është garë memoriale, në kujtim të ish reprezentuesit të Kosovës në not, Esmir Shala, që mbahet me 28 korrik, si dhe përgatitjet për mbajtjen e festivalit tradicional të folklorit “Oda e Llapushës” që mbahet me 1 dhe 2 gusht, në kuadër të shënimit të ditëve të mërgatës. Sa i përket sportit, drejtoresha Krasniqi, po ashtu njoftoi se është formuar dhe regjistruar klubi i futbollit të madh dhe pritet që në vjeshtë të filloi me zhvillimin e garave.

Sa i përket investimeve kapitale, drejtori i urbanizimit Ahmet Morina, bëri të ditur, se janë duke u realizuar disa projekte, si rrugët në Maxharrë, Pagarushë e Bardh, pastaj renovimet e kanalizimeve, rehabilitimi i ujësjellësve për 11 fshatra, si dhe përgatitjet për fillimin e ndërtimit të objektit të shkollës në Berishë.

Drejtori për shëndetësi, Hajdin Berisha, tha se situata epidemiologjike me EHKK, është e qetë, ndërsa thumbimet nga rriqrat, janë zvogëluar në masë të madhe dhe rastet e thumbimeve janë të pakta.

Ndërsa drejtori për bujqësi, Haxhi Krasniqi, njoftoi se ka përfunduar fushata e korrje-shirjeve në Komunën e Malishevës, ndërsa rendimentet janë më të mirat se vitin e kaluar, Krasniqi, tha se brenda pak ditësh, do të dalin me të dhëna të kompletuara nga shtabi komunal për fushatën e korrje shirjeve.

Edhe drejtorët e drejtorive tjera, kanë raportuar për aktivitete e tyre, ndërsa u bë e ditur se të gjitha shërbimet komunale në raport me qytetarët, po kryhen në rregull dhe pa probleme, si dhe për shkak të efikasitetit të zyrtarëve komunal, nuk ka pritje për kryerjen e shërbimeve, apo nxjerrjen e dokumenteve, edhe pse fluksi i qytetarëve, në këtë periudhë është mjaft i madh.

Kontrolloni gjithashtu

Kryetari Haliti ka vizituar nga afër punimet në asfaltimin e rrugëve në fshatin Lubishtë

Kryetari i komunës së Vitisë, Sokol Haliti me bashkëpunëtor, ka vizituar sot fshatin Lubishtë të …