Tefik Bafti Raka (14.3.1939 – 22.5.1999)

Tefik Bafti Raka (14.3.1939 – 22.5.1999)

Treva e Kaçanikut në luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës gjatë viteve 1998-1999, ka dhënë 98 dëshmorë për çlirimin e Kosovës nga okupatori serb. Tefik Raka lindi më 14 mars të vitit 1939 në qytetin e Kaçanikut. Ishte bir i një familjeje punëtore. Babai Baftiu dhe nëna Arifja rritën 9 fëmijë. Shkollën fillore e kreu në vendlindje si nxënës i dalluar. Kushtet ekonomike aso kohe ishin shumë të rënda dhe kërkohej sakrificë për t’i vijuar mësimet në ndonjë shkollë të mesme. Mirëpo babai Baftiu duke parë perspektiven e djalit që e kishte kryer shkollën fillore me sukses shembullor vendosen ta regjistrojnë në Normalen e Prishtinës, asokohe ishte në gjeneratën e dytë kësaj shkolle. Si nxënës i kësaj shkolle dallohet në mësime dhe sjellje me çka edhe gëzonte simpatinë e gjithë profesorëve (edukatorëve) të kësaj shkolle.
Në normalen e Prishtinës Tefiku u dallua si në mësime ashtu dhe në aktivitete jashtëmësimore. Ishte aktiv në çdo pore të jetës dhe të veprimtarisë në shkollë. Gjatë kohës sa banonte në konviktin e kësaj shkolle ishte aktiv në organizimin e jetës dhe punës në këtë kolektiv që ishte i banuar me nxënës të mjediseve të ndryshme të Kosovës dhe trevave shqiptare.
Shkollimi në Normalen e Prishtinës e pajisi me dije dhe e brumosi me ideale atdhetare, të cilat e kanë përcjellë gjatë tërë jetës. Pas përfundimit të shkollës Normale filloi punën në shkollën fillore “Emin Duraku” që ishte një ndër shkollat e para tetëvjeçare në Komunën e Kaçanikut. Kështu që ëndrra e tij për edukim të fëmijëve të Kaçanikut me rrethin bëhet realitet.
Gjatë tërë aktivitetit të tij prej arsimtari u dallua me plot vrull për punë të përkushtuar edukativo-arsimore dhe asgjë nuk kursente për të mirën e tyre. Edhe nxënësit e çmonin së tepërmi.
Si punëtor i palodhur ai nuk ishte i kënaqur vetëm me shkollimin e mesëm. Ndërkohë regjistrohet në Akademinë Pedagogjike të Shkupit në Degën Histori-Gjeografi, të cilën e kryen me sukses dhe zë vend pune si arsimtar i historisë.
Si student i Akademisë Pedagogjike të Shkupit ishte i dalluar. Profesorët e cilësuan si shumë të dalluar dhe ma afinitet për punën edukativo-arsimore për brazat e ardhshëm.
Me sukses në vitin 1968 kreu Akademinë Pedagogjike në Shkup dhe gjatë kësaj periudhe si edukator dhe arsimtar i shumë gjeneratave të komunës së Kaçanikut është treguar edhe si veprimtarë i dalluar. Ai nuk e kursente dhe djersen e sa shëndetin për të mirën e nxënësve të banorëve të kësaj treve. Duke qenë i entuziazmuar për shkollim, vazhdoi studimet universitare, të cilat i kreu në Fakultetin Filozofik dega e historisë në Prishtinë. Në vitin 1977 kreu studimet pasuniversitare në Prishtinë dhe mori gradën shkencore, magjistër i historisë, me temën “Lëvizja Kulturore-Arsimore Shqiptare 1908-1912”.
Në vitin 1998 botoi librin “Kaçaniku me rrethinë 1912-1918, masakrat, internimet, qëndresa”. Ky studim u kushtohej viktimave dhe martirëve të rënë në mbrojtje të tokave stërgjyshore. Në këtë libër faktografik janë shqyrtuar dhe janë shpalosur ngjarjet për herë të parë në territorin e Kaçanikut me rrethin të cilat i kanë paraprirë dhe kanë ndikuar drejtpërsëdrejti në masakra, internime dhe në qëndresën e popullit në këtë trevë në periudhën e viteve 1912-1918 gjatë kohës së okupimit serb dhe bullgar.
Periudha e studimeve të tij është prej Rilindjes sonë Kombëtare e deri në ditët e sotme. Deri më tash publikoi shumë punime dhe studime profesionale e shkencore, si: Lufta rreth çështjes së alfabetit dhe Kongresi II i Manastirit, “Jehona”, nr. 1, Shkup 1978; Hapja e shkollave shqipe dhe përpjekjet për arsimimin e popullit shqiptar 1908-1910, “Përparimi”, nr .2, Prishtinë 1978; Kongresi i Manastirit, “Jehona”, nr. 9-10, Shkup 1978; Formimi i klubeve kombëtare shqiptare dhe aktiviteti i tyre kulturo-arsimor 1908-1910, “Jehona”, nr. 10, Shkup 1980; 85 – vjetori i Epopesë së Kaçanikut (1910), “Bujku”, (6-12 maj 1995), Prishtinë; Sinan Pasha-themelues i Kaçanikut, “Bujku”,12-18 mars 1996; Hani i Elezit u emërtua me dhunë Gjeneral Jankoviq, “Bujku”, 10 janar 1996; Kuvendi i Ferizajt më 1908 në dritën e dokumenteve austro-hungareze, “Gjurmime Albanologjike”, (seria e shkencave historike), 25/1995, Prishtinë 1997, etj.
Me kumtesa të ndryshme u paraqit në simpoziume dhe në tubime shkencore.
Dëshmori Tefik Raka krahas ndihmës së pakursyer që gëzonte nga shumë kolegë dhe vendas të tij, kishte prirje t’i përfitonte njerëzit për veprim bashkë me gjithë respektin e kultivuar edhe nga gjenerata e tëra nxënësish të kaluar dhe të bindura ligjëratave të tij për dashuri ndaj vendlindjes, ndaj atdheut, e ndaj njerëzve në përgjithësi.
U dallua si mësues, arsimtar dhe profesor i historisë në shkollat fillore dhe të mesme në Kaçanik. Dhjetë vite 1972-1981 ishte sekretarë i bashkësisë komunale në arsim. Gjatë kësaj kohe me angazhimin e tij u ndërtuan 17 objekte të shkollave fillore,dhe të mesme të Kaçanikut.
Gjatë viteve 1981-1983 ishte kryetar i komunës së Kaçanikut. Ishin këto vite të Lëvizjes Pranverore, ku për shkak të idealeve arsimdashëse dhe përparimtare pas kalimit të mandatit të kryetarit të komunës u dënua me vërejtje të fundit partiake, për vepra jashtë platformës së lidhjes së Komunistëve të ish-Jugosllavisë. Prej vitit 1983-1995 plotë 12 vite punoi këshilltarë i lartë arsimor në Entin Pedagogjik në Ferizaj. Prej kësaj kohe inspektor komunal i arsimit në Kaçanik. Është një ndër themeluesit e Shoqatës së Historianëve “Ali Hadri”.
Tefiku ishte veprimtar i gjithanshëm. Vepronte gjithmonë kur e kërkonte momenti historik, kur e kërkonte koha, meqë ishte rreshtuar me kohë në të mirë të kombit dhe në shërbim të atdheut. Gjithnjë në aksion të pandërprerë, në misionin që e kishte përcaktuar populli e që e kërkonte atdheu.
Më 10 gusht të vitit 1998, ditën kur në shtëpinë e Miftar Kurtaj,luftëtarët e lirisë Agimi Bajrami, Xheladin Kurtaj, Besnik Begunca, lajmëtarët e lirisë të Kosovës qëndruan heroikisht, ranë në fushën e nderit, ranë si bien trimat me shokët për të mbrojtur Kaçanikun dhe tokat etnike shqiptare. Po në këtë ditë të kësaj qëndrese arrestohen këta pjesëtarë të UÇK-së: Tefik Raka, Mejdi Dalloshi, Danush Kurtaj, Fatmir Kurtaj, Avdigafurr Luma, Hasan Dalloshi, të cilët fillimisht dënohen me nga 30 ditë burgim. Ndërkohë prokuroria serbe përgatiti aktakuzën, ku akuzohen si anëtarë të UÇK-së. Tefik Raka akuzohet si anëtar i UÇK-së për çështje politike dhe dënohet me tre vjet burgim. Pas 8 muajsh vuajtje dënimi në burgun e Gjilanit dërgohet në burgun e Dubravës ku edhe u ekzekutua më 22 maj të vitit 1999. Asokohe keqtrajtohet familja e tij nga forcat barbare serbe.
Ai me gjakun e tij shkroi pjesën më të ndritur të historisë sonë më të re. Trupi i tij ndodhet në varrezat e Dëshmorëve, te Dardha, në Kaçanik.
Familja Raka ka marrë “Mirënjohje” nga Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së, nga Ministria e Mbrojtjes e QPK-së, nga Komanda e Zonës, nga Komanda e Brigadës, nga Këshilli Komunal i Kaçanikut dhe nga Shoqatat e dala nga lufta e UÇK-së. (H. K.)

Kontrolloni gjithashtu

Fejzullah Sokol Graiçevci (22.1.1951 - 19.4.1999)

Fejzullah Sokol Graiçevci (22.1.1951 – 19.4.1999)

Fejzullahu ishte djali i Sokol e Vahide Graiçevcit. Lindi më 22 janar të vitit 1951, …