Përfundoi me sukses edicioni jubilar i Festivalit Folklorik Mbarëkombëtar “Rapsodia Shqiptare – Skenderaj 2025”, një prej ngjarjeve më të rëndësishme kulturore në hapësirën shqiptare. Trofeun kryesor të këtij festivali, Çmimin “Kulla Hamëz Jashari”, këtë vit e rrëmbyen baba e bir, Tefik dhe Jeton Fetiu, të cilët emocionuan publikun dhe jurinë me interpretimin e tyre të fuqishëm.
Me dy gjenerata në një skenë dhe një zë të përbashkët artistik, familja Fetiu dëshmoi vazhdimësinë e trashëgimisë sonë folklorike dhe forcën e traditës që kultivohet e përcillet brez pas brezi. Interpretimi i tyre solli gjallëri, emocion dhe krenari, duke e bërë këngën autoktone shqiptare të tingëllojë më e fuqishme se kurrë.
Kryetari i Komunës së Skenderajt, Fadil Nura, ka përgëzuar fituesit e festivalit dhe pjesëmarrësit e tjerë në këtë garë, pa harruar edhe publikun.
Komuna e Skenderajt shpreh mirënjohjen për të gjithë pjesëmarrësit që erdhën nga të katër anët e shqiptarisë, për publikun që mbushi sallën me entuziazëm, si dhe për jurinë profesionale dhe Bordin e Festivalit, të cilët bënë një punë të palodhshme për ta bërë të mundur këtë ngjarje madhështore kulturore.
Festivali, tashmë i konsoliduar si një traditë e rëndësishme e kulturës shqiptare, e ka rikthyer edhe një herë Skenderajn si qendër të folklorit mbarëkombëtar, duke dëshmuar se ky qytet mbetet një pikë referimi për artin e këngës dhe vlerat e trashëgimisë sonë.