leoni

Protestat e Marsit dhe Prillit të vitit 1981

Tefta Cami-Cani: Demonstratat e vitit 1981, në Kosovë, ishin një meteor që zgjoi popujt e Jugosllavisë dhe të Evropës II

     Demonstratat e vitit 1981 u bënë faktor e burim informacioni për ndërkombëtarizimin e çështjes shqiptare. Zhvillimi i demonstrative të mars-prillit të vitit 1981 u përkrahën nga Shqipëria dhe shkroi pothuajse i gjithë shtypi botërorë. Agjencitë dhe shtypi i Vendeve Perëndimore shkruan realisht dhe i përkrahnin  demonstratat, ndërsa shtypi i Vendeve Lindore, duke filluar që nga ish-BS e vendet e tjera ish-socialiste në ato vite përkrahën Beogradin dhe masat represive të marra prej tij.

     Kisha dëgjuar e lexuar shkrime në gazetën “Rilindja” e “Bujku” për Hydajet Hysenin dhe gjatë demonstratave të vitit 1981 për fjalimin e tij historik me megafon të 1 prillit 1981, që ishte një thirrje e kushtrim për të gjithë shqiptarët, për të luftuar për liri e barazi, për t’u mbrojtur nga dhuna e terrori serb, për të hedhur vështrimin më tej, tek liria e pavarësia. Hydajet Hyseni ishte bashkëluftëtarë të heronjve  Jusuf e Bardhi Gërvalla dhe Kadri Zeka, që regjimi jugosllav i vrau në vitin 1981 në Gjermani.

      M’u dha rasti dhe qesh e nderuar, që ta takoja para 2-3 vitesh atë hero të heshtur. Nga fotografit e tij në demonstrata ruaja imazhin e një djaloshi zemërzjarrtë e sypatrembur, të guximshëm e të vendosur dhe të sakrificës sublime. Kur e takova, vura re, se i ruante të gjitha cilësitë, por flokët kishin filluar t’i thinjen e t’i kthehen në gri, si rezultat i moshës, por më shumë të vuajtjeve, të përndjekjeve e dhunës dhe burgjeve të Serbisë. Hydajet Hyseni ishte e mbetet po ai, që ka qenë, për të punuar e luftuar për zgjidhjen e çeshtjes kombëtare ende të pazgjidhur, për bashkimin e të gjithë shqiptarëve në një shtet bashkë me shtetin amë……..

    Në vitin 2010 kam qenë me fat, që kam njohur një nga organizatorët e pjesëmarrësit e demonstratave të vitit 1981, z. Gani Krasniqin nga Malisheva e Kosovës, që më ka sponsorizuar botimin e librit “Katër Ditë Vizitë në Kosovë-1980” dhe jemi bërë miq. Edhe i nderuari, Gani ka vuajtur dënimet në burgjet e Serbisë. Me gjithë dhunën e ushtruar ndaj tij, nuk e kanë thyer dot atdhetarizmin e flaktë e guximin e tij, pjesëmarrjen e të gjithë familjarëve në UÇK-ë, deri edhe djali i tij, Labinoti, luftëtar i Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, në luftën e Kumanovës në Maqedoni, ku dha jetën si dëshmor i atdheut. Edhe z. Gani nga djalosh në kohën e demonstratave, është thinjur nga dhuna e burgjeve të Serbisë, por ja kanë rritur frymën e tij revolucionare, për t’i shërbyer Kosovës dhe gjithë shqiptarëve edhe tani si deputet LVV.

Jam ndjerë e privilegjuar, që kam takuar në promovimin e librit për Dëshmorin e Atdheut Labinot Gani Krasniqit në një salle të Bibliotekës së Prishtinës ish-demonstruesin e vitit 1981 dhe të burgosurin politik, z. Ahmet Qeriqi dhe kam qenë e nderuar, që  kam dhënë një intervistë në Televizionin “Dielli” me z. Ahmet Qeriqin! Ai bashkë me bashkëpunëtorë e tij kanë krijuar një traditë atdhetare të informacionit që kur ka krijuar radion “Kosova e Lirë” dhe “Agjensinë Pres” në vitin 998, që kanë qenë zëri i parë i informacionit dhe i së vërtetës për Luftën Çlirimtare të Kosovës dhe fitoren e Pavarësisë së saj. Radio dhe Agjencia  kanë luajtur një rol vendimtarë për pasqyrimin e luftës së NATO-s dhe UÇK-ës për mbrojtjen e popullsisë civile nga operacioni ushtarak serb “Patkoi”.

Radio-Kosova e Lirë  ka qenë një frymëzim e kushtrim për gjithë luftëtarët dhe popullsinë shqiptare të Kosovës, që ngjallte optimizëm e shpresë në fitoren e pashmangshme kundër agresionit barbar të pushtuesve serb, si dhe një mjet i fuqishëm e faktor i pa zëvendësueshëm për transmetimin e mesazheve të bashkimit kombëtar. Prandaj edhe është gjuajtur shumë herë me artileri të rëndë dhe me avionë luftarakë  nga ushtria serbe, për ta asgjësuar plotësisht. Për ta mbrojtur këtë Radio gjatë luftës kanë rënë 13 dëshmorë, në mesin e tyre edhe tre anëtarë të stafit.

Por radio vazhdoi të punojë në kushte shumë të vështira, duke luftuar me armën e fjalës së lirë e të vërtetë. Radio :Kosova e Lirë” dhe Televizioni “Dielli” janë bërë shumë të ndjekura nga shikuesit e lexuesit për programet e përzgjedhura, që japin, që kanë të bëjnë me traditat historiko-kulturore të kombit shqiptar, me rubrikën e heronjve e të dëshmorëve, me probleme të arsimimit dhe edukimit,  probleme shkencore, probleme të punës e marrëdhënieve politiko-shoqërore e sociale.

Kam qenë me fat, se gjatë viteve si ministre e Aesimit dhe Kulturës isha pjesë e projektit të madh kombëtar për afrimin e shqiptarëve me atdheun amë, si dhe ta drejtoja atë projekt në Ministrinë e Arsimit dhe Kulturës dhe institucionet e saj vartëse.

Në tetor të vitit 1980 pata fatin të vizitoja Kosovën si ministre e Arsimit dhe Kulturës e RPSSH

Në tetor të vitit 1980 pata fatin të vizitoja Kosovën si ministre e Arsimit dhe Kulturës e RPSSH e ftuar nga prof. dr. Ymer Jaka, ish-sekretar për Arsimin, Shkencën e Kulturën në KE të Kosovës. Për herë të parë gjatë atyre viteve po bëhej një vizitë në Kosovë të një anëtari të qeverisë shqiptare. Vizita ime u bë pas ftesës, që i kisha bërë  unë si ministre sekretarit të KE për Arsimin, Kulturën dhe Shkencën, prof.dr. Ymer Jakës dhe vizitës që bëri ai në dhjetor të vitit 1979 në Shqipëri.

Natyrisht ftesa qe bërë nga ana ime si ministre, sipas orientimeve që na ishin dhënë nga udhëheqja dhe programit, që kishim hartuar si Ministri e Arsimit dhe Kulturës. Më 29 nëntor 1992 dy miqtë e mi nga Kosova, profesor Pajazit Nushi dhe profesor Ymer Jaka erdhën për vizitë në shtëpinë time. Kishin ardhur të ftuar nga Akademia e Shkencave në Konferencën Shkencore me rastin e 90 vjetorit të shpalljes së Pavarësisë të Shqipërisë. Gjatë bisedave të përzemërta e vëllazërore, ndër të tjera, më thanë: ”Kur morëm ftesën tuaj për të vizituar Shqipërinë Ymeri (Jaka), nëpërmjet Fadil Hoxhës ia çuam Titos, që të mos na pengonin drejtuesit e Republikës së Serbisë, që i vëzhgonin me vëmendje e urrejtje marrëdhëniet e Kosovës me Shqipërinë dhe prisnin çastin apo pretekstin, për t’na penguar. Tito ishte shprehur: ”Të bëhet vizita në Shqipëri dhe të ftohet edhe ministrja, që të vizitojë Kosovën!. Erdhi koha të komunikojnë shqiptarët””.

Më vonë  vinte për vizitë edhe profesor,  Rexhep Qosja, por s’kishte pasur kohë, sepse presidenti i atyre viteve, z. Sali Berisha kishte dhënë urdhër për largimin e tij nga Shqipëria si person i padëshiruar. Rastësisht në Qafë Thanë, kur po kalonte akademiku Rexhep Qosja në doganën e Shqipërisë, janë ndodhur djemtë e dajës tim nga Dibra e Madhe dhe janë befasuar me kontrollin, që i kanë bërë profesorit të nderuar e patriot dhe kanë ndërhyrë, që ta linin të qetë.

      Vizita ime dhe e bashkëpunëtorëve të mi në delegacion në tetor të vitit 1980 dhe pritjet që na u bënë në të gjitha nivelet shtetërore dhe institucionet arsimore e kulturore dhe shkencore, si dhe nga të rinjtë e populli e Çmoj si atëherë edhe tani si vizitën më të bukur e më të magjishme dhe shumë të ngrohtë e vëllazërore e të suksesshme. E vlerësoj si një vizitë e pritje e pa krahasuar me asnjë vizitë tjetër, që kam bërë jashtë shtetit në vende të tjera si ministre.

Ajo vizitë ishte e ngrohtë vëllazërore, që e zhvilloja midis popullit  shqiptar në Kosovë. Ishte e tillë, si të takoheshin dy vëllezër që, sapo lindin, i ndajnë për shumë vite. Pra nuk ishte vizitë miqësore, sikur  kam bërë në vendet e tjera, por vizitë vëllazërore, që na rrethonin me shumë dashuri e mall. Ajo vizitë qe 4 ditë, por kam përjetuar 4 net pa gjumë nga emocionet, si dhe nga dëshira për t’i shkruar e dokumentuar gjithçka e çdo detaj.

     Mall, përqafime e përlotje….! Që në kufi, në Qaf-Morinë më pritën me shumë përzemërsi  dhe u përqafuam vëllazërisht, nuk u përshëndetëm si funksionarë të dy shteteve e sistemeve politike të ndryshme, por u përqafuam si dy vëllezër të përmalluar prej ndarjes padrejtësish që fëmijë. Aty e mora mesazhin nga dy pionierët, një djalë e një vajzë, që më dhuruan një buqetë me karafila të kuq dhe më  përqafuan fort me shumë mall e dashuri si të ishim njohur prej vitesh. Pikërisht në atë pikë kufitare po vazhdonte udhëtimi i gjatë i dy shqiponjave për të fituar Lirinë e Pavarësinë Kosova dhe për të vazhduar përpjekjet e luftën për t’u bashkuar dhe për të korrigjuar padrejtësitë e copëtimit e të ndarjes së trojeve e të kombit shqiptarë nga Fuqitë e Mëdha në fillim të shekullit XX-të.

       Anëtarët e delegacionit të MAK ishin personalitete të shquara të arsimit e kulturës, të artit e të shkencës, të cilët kishin dhënë e vazhdonin të jepnin kontribute të drejtpërdrejta e të veçanta në marrëdhëniet midis institucioneve përkatëse të Shqipërisë e Kosovës, si dhe të Maqedonisë e Malit të Zi.

Qysh në vitin 1968, është një Letër e Veli Dedit, Sekretar i Përgjithshëm i  Komitetit të Veteranëve të Luftë së popullit shqiptar të RPSH-drejtuar shoqatës së Veteranëve të RSFJ, Beograd, me kërkesë,” që të ngrihen lapidare përkujtimore në vendet ku kanë luftuar formacionet partizane shqiptare.” (AQSH-F.14/AP,S.I.R, V.1968, D.316, fl3-4). Njëkohësisht u bisedua dhe u organizua tërheqja e eshtrave të dëshmorëve të LANÇ të rënë në Kosovë dhe në Jugosllavi, si dhe u varrosën në varret e dëshmorëve në RPSH.

    Dalëngadalë filloi të shkrijë akulli kufitar i ngritur prej shumë vitesh midis një populli, popullit shqiptarë, që kemi një prejardhje historike, një etnos, një gjuhë një kulturë e traditë.

    Filluan të lidhen gradualisht vit pas viti marrëdhëniet e bashkëpunimit midis institucioneve përkatëse. Marrëveshja e parë është nënshkruar midis dy Universiteteve shqiptare, Universiteti i Tiranës nga rektori profesor, Jorgji Sota dhe Universiteti i Prishtinës nga rektori profesor Dervish Rozhaja. Më pas u lidhën edhe marrëveshje të tjera dhe po zgjeroheshin e intensifikoheshin më tej marrëdhëniet e institucioneve arsimore, kulturore e shkencore të Shqipërisë me institucionet respektive të Kosovës dhe të viseve të tjera shqiptare në Maqedoni dhe në Mal te Zi. Deri në fund të vitit 1980.

     Me protokolle e marrëveshje midis institucioneve përkatëse, sipas planifikimeve që bëheshin në fillim të Çdo viti nga institucionet e ministrisë së Arsimit dhe Kulturës dhe institucionet e tjera shkencore e arsimore e kulturore të RPSSH-se.

     Deri në vizitën time në Kosovë ishin zhvilluar marrëdhënie bashkëpunimi nga disa institucione kryesore arsimore, kulturore dhe shkencore. Këto marrëdhënie e bashkëpunim kishin fillua që me Çeljen e Universitetit të Prishtinës dhe me lidhjen e protokolleve e të marrëveshjeve midis dy universiteteve shqiptare, Universitetit të Tiranës dhe Universitetit të Prishtinës, midis Akademisë së Shkencave të RPSSH dhe Akademisë së Shkencave dhe Arteve të KSA të Kosovës, midis RTVSH dhe RTVK, Ndërmarrjes të Librit e Filmit dhe Entit Botues të Kosovë, Kinostudios “Shqipëria e Re” dhe “Kosova-Film” etj . Institucionet e Larta Arsimore e Kulturore në Shqipëri marrëdhëniet e bashkëpunimit me institucionet e Kosovës i zhvillonin mbi bazën e marrëveshjeve e të protokolleve përkatëse midis tyre. Ndërsa shumica e institucioneve të tjera i zhvillonin sipas ftesave që bëheshin nga institucionet përkatëse të Kosovës dhe ato të Shqiperisë.

   Ishte hartuar një Projekt-marrëveshje për marrëdhënie kulturore midis RPSSH-së dhe RFSJ-së, ku projekti jugosllav synonte që marrëdhëniet me Kosovën e viset e tjera shqiptare të minimizoheshin dhe të kontrolloheshin nga Beogradi. Atë projekt sa isha unë ministre, nuk e pranova dhe nuk e firmosa.

Më 19 janar të vitit 1980 takova Enver Hoxhën, i cili ishte i mirë informuar dhe shumë i interesuar për marrëdhëniet me Kosovën dhe viset e tjera shqiptare , si dhe për vizitën e profesor Ymer Jakës në Shqipëri në dhjetor të vitit 1979 dhe për ftesën, që më kish bërë për të vizituar unë Kosovën. Gjatë atij takimi i raportova për zhvillimet në fushat e arsimit dhe kulturës, si dhe për marrëdhëniet me Kosovën e viset e tjera shqiptare në Jugosllavi. Enveri qe shumë i emocionuar e u përlot, kur më foli për shqiptarët e Kosovës dhe për punën e mire, që po bënim me Kosovën, më tha: “Ne kemi suksese me Kosovën, se je ti ministre, që vjen nga një familje e madhe patriote. Prandaj i programoni e ndiqni detyrat me Kosovën shumë mire. Këtë vit do të kesh fatin të vizitosh Kosovën si ministre. Marrëdhëniet me Kosovën e viset e tjera shqiptare janë marrëdhënie vëllazërore. Ja kam thënë edhe Ramizit (Alia), që gjatë takimeve e bisedimeve me ta, s’duhet të përmendet emri i partisë dhe emri im (Enverit).

Shqiptarët e Kosovë dhe të viseve shqiptare përtej kufirit janë më patriotë se ne, sepse mbijetojnë e luftojnë kundër sundimit titist dhe atij serb. Është e gabuar dhe s’duhen lejuar, që të etiketohen si titistë e agjent të UDB-së”.

Para se të nisesha për të vizituar Kosovën, bëra një takim me sekretarin e KQ të PPSH-ës, Ramiz Alinë më 2 tetor 1980 dhe i parashtrova përbërjen e delegacionit, që e kishim konsultuar edhe më pare dhe mora miratimin e tij për programin e bisedimeve dhe kërkesat tona për bashkëpunimin me Kosovën dhe institucionet e viseve shqiptare në Jugosllavi.

   Qëllimi i vizitë dhe i delegacionit që drejtoja ishte: Të forcoheshin marrëdhëniet egzistuese dhe të zgjeroheshin  e intensifikoheshin marrëdhëniet institucionale arsimore, kulturore e artistike, shkencore e sportive midis institucioneve të RPSSH-së dhe KSA-së të Kosovës. Sipas përvojës së krijuar synonim, që të zgjeroheshin marrëdhëniet me institucionet përkatëse të Maqedonisë e të Malit të Zi. Marrëdhëniet tona me Kosovën ishin shtrirë në një rreth të gjër institucionesh e fushash, pa qenë nevoja të lidhej ndonjë marrëveshje apo protokoll midis RPSSH-së e KSA-së të Kosovës. Në Universitetin e Prishtinë dhe në Institutet e tjera të Larta të Kosovës deri në mars të vitit 1981  80 % të leksioneve, konsultave, marrjes në provim dhe udhëheqje diplomash e dezertacionesh realizoheshin nga pedagogë të Universitetit të Tiranës dhe të Instituteve të tjera të Larta të Shqipërisë. Ndërsa në Fakultetin e Xehtarisë  vetëm një pedagog ishte shqiptar i Kosovës dhe të gjitha lëndët e tjera zhvilloheshin nga pedagogë të Universitetit të Tiranës. Të gjitha ciklet e shkollës në Kosovë e viset e tjera shqiptare në Maqedoni e Mal të Zi mësonin me tekstet e shkollave tona, që i merrnin çdo vit dhe, pasi u hiqnin politizimet, i ribotonin e i përdornin për shkollat e tyre. Shkolla shqiptare në ato vite ka patur karakter kombëtar e frymë popullore dhe ka luajtur një roj të madh në edukimin e vetëdijes kombëtare të brezit të ri në Shqipëri e Kosovë. Vijon…

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Aeroplanë bombardues të NATO-s, kanë sulmuar njësitë e motorizuara serbe në lëvizje (E shtunë 10 prill, 1999)

Ahmet Qeriqi: Aeroplanë bombardues të NATO-s, kanë sulmuar njësitë e motorizuara serbe në lëvizje (E shtunë 10 prill, 1999)

Herët në mëngjes jemi larguar nga selia në Berishë. Shtëpia është identifikuar dhe shihet mjaft …