TEFTA CANI: VIZITA E DYTË NË SHTEPINË E LAZGUSH PORADECIT, "NDERI I KOMBIT"

TEFTA CANI: VIZITA E DYTË NË SHTEPINË E LAZGUSH PORADECIT, “NDERI I KOMBIT”

 42 vite më parë, kryeministri, Mehmet Shehu më ngarkoi si detyrë, që të shkoja në Pogradec e tē takoja poetin e madh, Lazgush Poradecin.

“Më tha, që ta prisja në “Turizëm”, sepse ai nuk vjen në zyrat e partisë e të shtetit. Pyete, se ç’ probleme ka dhe t’ia zgjidhësh!”

   Shkova në Pogradec dhe e njoftuan, se të nesërmen në orën 10-të paradite të pret ministrja tek Turizmi.

  E prita në një nga sallat e pritjes. Lazgushi erdhi në orën e caktuar. Kishte veshur një kostum të zi, me borsalinë  në kokë dhe me bastunin e tij në dorë. U përshëndetëm me një takim duarsh dhe u ul në kolltukun përball meje.

  E pyeta, sesi ishte me shëndet dhe i thashë, se më ka ngarkuar kryeministri, qē t’ju takoj dhe t’ju pyes për problemet, që keni.

  Më tha: “Jam mirë me shëndet, por dëshiroj, që vajza ime të vazhdojë Universitetin në degën gjuhë letërsi shqipe,, që vajzat e mija t’i shërbejnë Shqipërisë si pasardhëse  të mia”.

  Ju përgjigja, se këtë kërkesë do jua plotësoj patjetër. Kur u ktheva në Tiranë, ngarkova shefin e Seksionit të Arsimit dhe  Kulturës në Komitetin Ekzekutiv të rrethit të Tiranës, Musa Krajën, që vajzën e Lazgushit ta planifikojnë në degën gjuhë-letërsi shqipe.

  Pastaj i them, se dua t’ju tregoj një episod nga jeta studentore, që kemi përjetuar së bashku:

  “Lëndën e komentit letrar na e zhvillonte profesor, Ziaudin Kodra. Në një orë mësimi duke komentuar poezinë Tuaj  “Drini plak ec mes permes Shqipërisë” Profesor Kodra tha:” Lazgush Poradeci është poet i madh, por injorant në gjeografi.”. Një student i kursit, Rinush Idrizi, Ju kishte informuar.   Ju erdhët një ditë në orën, që kishim komentin letrar. Pasi trokitët në derën e auditorit, hyt brenda, duke na përshëndetur me dorë. Vendosët njerën këmbë në podiumin e katedrës dhe thatë: “Profesor Kodra! Nuk jam unë injorant në gjeografi, por ju keni  harruar vendlindjen tuaj, “Dibrën e Madhe. Unë kam shkruar se Drini plak ec mes permes Shqipërisë etnike dhe jo të kësaj Shqipërie, që Fuqitë e Mëdha na e grabitēn e copëtuan padrejtësisht dhe jua dhanë fqinjëve, Serbisë, Malit të Zi, Maqedonisë dhe Greqisë për të kënaqur zilitë e pangopësitë e tyre”.

   Ne studentët u ngritëm në këmbë dhe Ju duartrokitëm, profesor Lazgushi. Ju, duke kapur cepin e borsalinës  përshëndetët profesor Kodrën dhe ne studentëve dhe me bastunin në dorë kaluat dalngadalë para nesh, duke na dhënë një mesazh të madh kombëtarë”

  Profesor Lazgushi u ngrit, duke buzëqeshur dhe më dha një kartvizitë, si dhe më ftoi, që t’i bëja një vizitë në orën 16-të në shtëpinë e tij në Pogradec.

   Në orën 16-,të shkova para shtëpisë së Tij, e shoqëruar nga sekretari i parë i Komitetit të Partisë dhe kryetari i Komitetit Ekzekutiv te rrethit. Profesor Lazgushi po më priste para portës dhe tha: “Unë kam ftuar vetëm ministreshën dhe më kapi për dore e më futi në shtëpi, pasi mbylli portën  U ngjitëm me shkallët prej dërrase për në katin e dytë dhe hymë në dhomën e tij. Kishte një tavolinë të vogël dhe mbi të një shishe me bojë e një pendë për të shkruar dhe fletore e letra. Aty pranë qëndronte Cuci i dashur e besnik i tij, që u ngrit në këmbët e prapme për t’na përshëndetur. Profesori e urdhëroi të ulej në një qoshe të dhomës dhe Cuci iu urdhërua e u ul  atje ku i tha.

    Kohet e fundit kam lexuar ditarin e tij të datës 2,3,4 gusht të vitit 1975, ku shkruan””Ardhën e ma morën  me forcë konkën (Cucin) shumë të dashur e shumë besnike për ta vrarë (pushkatuar)”. Megjithëse i sëmurë ka dalë për tri ditë rresht me vajzën e tij, znj. Marie dhe ka trokitur në disa zyra për ta shpëtuar konkën e tij të dashur dhe më në fund e mori, pasi e kishin vaksinuar. Janë përqafuar me Cucin dhe e ka ushqyer me qofte.

Lazgush Poradeci ka qenë e mbetet një model i dashurisë e kujdesit për kafshët.

   Gjatë qëndrimit në dhomën e tij, hapi nje pako me llokum dhe më qerasi.. U ul e më tregoi për Shoqërinë Atdhetare “Drita” e më vonë “Dituria” të Bukureshtit, sepse kishte qenë anëtar i saj dhe ishte miqësuar me Asdrenin e Mitrush Kutelin. Më tregoi, se kishte Arkivin e kësaj Shoqërie Atdhetare.

   E pyeta, se pse nuk e dorëzon në Arkivin Qëndror të Shtetit? Por më tha, se druhej, se mos më humb. Ndihej shumë i përkushtuar pas atij Arkivi, që e çmonte me të drejtë si një pasuri të madhe dhe e ruante me shumë kujdes. Nuk e di, se ç’ është bërë me fondin e atij Arkivi pasi ndërroi jetë Lazgushi, sepse nuk kam dëgjuar të flitet e shkruhet për të, se ku ndodhet tani.

  Më recitoi poezinë Vlora Vlore/ Bjeri më të lumtë dora!/Ja do bëhet Vlora jonë/Ja do kthehet shkrumb e hi!/

   Kjo poezi, më tha, ka mbetur anonime, por e kam shkruar unë (Lazgushi) dhe që u kthye në hymn gjatë Luftës së Vlorës të 1920-tës.

    Më foli për Liqenin me shumë dashuri. Më tregoi, sesi i ndryshon pamja e sipërfaqes së liqenit gjatë stinëve të vitit, gjatë ditës, në mëngjes, në drekë e në  mbrëmje, që janë të ndërvarura edhe nga këthjellësia e qiellit. psh, më tha: “Në mëngjes, kur sapo lind dielli, sipërfaqja e liqenit merr një pamje të artë dhe më pas si të argjentë e bojqielli. Kur bien shira të furishëm  liqeni egërsohet dhe dallgët ngrihen lartë e përplasen në brigjet e Liqenit më me zhurmë se zakonisht. E vështroj Liqenin gjatë orëve të ditës dhe e shikoj, se si e ndryshon pamjen e tij”. Këto ndryshime .mund t’i vëzhgonte e dallonte dhe shijonte vetëm Lazgush Poradeci, që ishte i dashuruar pas Liqenit dhe frymëzohej e merrte energji prej tij.

    I thashë: “Profesor! Tri breza të paraardhësve të mi kanë luftuar si komandanta çetash kundër forcave pushtuese serbe e bullgare gjatë luftës së Parë Botërore dhe kundër forcave pushtuese nazifashiste gjatë Luftës së Dytë Botërore, duke dhënë jetën e derdhur gjakun si dëshmorë të atdheut për lirinë e pavarësinë e Shqipërisë, dhe janë vendosur në Altarin e lirisë. Ndërsa ju luftoni me armën e pendës Tuaj të artë dhe jeni poeti unikal i poezisë së dashurisë universale, duke dhënë mesazhe të mëdha me poezitë Tuaja për gjithë shqiptarët, që ta duan e mbrojnë atdheun, të punojnë për kombin dhe për bashkimin mbarëkombëtarë. Ju me krijimtarinë Tuaj do tē jeni në Altarin e përjetësisë të kombit shqiptarë”.

    Pas disa muajsh profesor Lazgushi më bëri një vizitë në banesën ku jetoja tek rruga “Mustafa Matohiti”. U gëzova, që më erdhi për vizitë dhe e prita me përzemërsi. Biseduam si miq e pimë kafe. Më recitoi disa poezi të fundit të Tij. Më dha një poezi me një titull…  E  lexova menjëherë dhe biseduam me çiltërsi dhe i thashë:””Ju Keni një pozicion shumë të nderuar e lakmuar aty ku jeni,”.U mirëkuptuam. Bisedën me Lazgushin nuk e ndjeva sesi kaloi aq shpejt koha, sepse ai ishte një arkiv i gjallë përsa i përket bagazhit të madh historik e kulturorë dhe përvojave të shumta brenda e jashtë shtetit. E përcolla deri tek porta e oborrit. Ky qe takimi i fundit me Lazgush Poradecin, me poetin e madh të dashurisë universale kombëtare. Kur ndërroi jetë, nuk pata mundësi t’i bëja nderimet e fundit dhe as të ngushëlloja në shtëpi familjen e Tij, sepse më kishin larguar si ministre e Arsimit dhe Kulturës.

    Kur isha për vizitë në Kosovë si ministre e Arsimit dhe Kulturës e ftuar nga ana e tyre ne tetor të vitit 1980 Enti Botues “Rilindja” më dhuruan kompletin  e botimeve të Lazgush Poradecit, të Eqerem Çabejt, të Ismail Kadares dhe pesë vëllimet e Historisë së Letërsisë Botërore me lidhje speciale, që i ruaj si një thesar të çmuar në bibliotekën time.

     Por gjatë demonstratave te pranverës së vitit 1981 në Kosovë me parullën kryesore “Republikë Kushtetutë-ja me hatër, ja me luftë”, Beogradi përdori dhunën ndaj rinisë e popullsisë shqiptare të Kosovës, duke i vrarë e burgosur, duke i internuar, duke praktikuar terror të egër e barbar ndaj popullsisë shqiptare. Disllokoi ushtrinë gjatë gjithë kufirit të Shqipërisë. Dogji tekstet shkollore shqip, botime të Akdemisë së Shkencave dhe të autorëve të shquar të letërsisë e të kulturës shqiptare si të Çabejtë e Budës, të Kadaresë e Poradecit et, veprime si në mesjetë.

     Dy javët e para të muajit korrik të këtij viti bëra pushime në Pogradec pranë Liqenit të bukur që rrethohet e lag brigjet e katër qyteteve shqiptare: Pogradecit, Manastirit, Strugës dhe Ohrit. Qyteti i Pogradecit është rritur e zgjeruar si popullsi e territor me shumë ndërtime. Si në të gjithë Shqipërinë ka ndodhur procesi i largimit të banorëve nga fshati dhe vendosjes në qytet, që kanë krijuar vështirësi të arsimimit e punësimit etj.

    Treva e Pogradecit si në qytet ashtu edhe në fshatra e në thellësitë e brigjeve të liqenit mbart thesare të gjetjeve arkeologjike të fiseve ilire të Enkelejve e të Desartëve,, si gjetjet arkeologjike tek kalaja dhe ato nënujore , Sipas arkeologëve, ato datojnë nga shekulli i V-të para Krishtit Për herë të parë ka bërë kêrkime e gjetje arkeologjike nënujore në Durrës e në Liqenin e Pogradecit  Moikom Zeqa. Më vjen mirë, që po merret arkeologu doktor Adriatik Anastasi që, si specialist, vazhdon të punojë e datojē lashtësinë e gjetjeve arkrologjike, duke i krahasuar edhe me gjetjet arkeologjike të kulturës së Maliqit tē periudhës së hekurit. Nē disa Vende të Lindjes dhe në Shqipëri kryesisht në  Maliq ka bërë gërmime arkeologjike antropologu zviceran profesor  Eduard Pittard gjatë viteve 1914-1924, i cili ka evidentuar racën ilire në dallim nga popullsitë e tjera të Ballkanit. Në Pogradec njihen legjenda, që janë si dëshmi të lashtësisë të ilirëve e pellazgëve, megjithëse sulmet avare-sllave dhe ato bullgare janë përpjekur t’i tjetërsojnë e përvetësojnë apo t’ zhdukin, për të ngritur e lartësuar legjendat e mitet e tyre.

     Shkova pas 42 viteve të vizitoja shtëpinë e të ndjerit “Nderit i Kombit”, Lazgush Poradecit. Mendoja, se do të ishte Shtëpi Muze, sepse e meritonte. Emri i tij simbolizon Pogradecin dhe Shqipërinë. U befasova, kur e pashë. Ajo shtëpi me vlera të mëdha ishte shitur shumë lirë aq sa s’mund ta shkruaj mbase nga nevojat e familjes.

TEFTA CANI: VIZITA E DYTË NË SHTEPINË E LAZGUSH PORADECIT, "NDERI I KOMBIT"

    Kur hyra brenda pashë, se ajo banesë ishte tjetërsuar. Në vend të dyshemes e tavanit dhe shkallëve prej dërrase, që kërcisnin nën peshën e viteve, ishin shtruar me beton e pllaka, siç po i praktikojnë shqiptarët, duke harruar traditën e përdorimit të drurit e dërrasave për dyshemet e tavanet dhe çardakët e shkallët. Kjo shtëpi nuk kishte asnjë gjurmë të Lazgushit. Unë prisja të shikoja tavolinën e punës me shishen e bojës e pendën, dorëshkrimet e letërkëmbimet me miqtë, dokumente të Arkivit të Shoqërisë Atdhetare të  Bukureshtit “Drita” e “Dituria”  veshjet e fotografitë, eksponate të jetesës, jetën e veprimtarinë brenda e jashtë Shqipërisë, deri edhe pelerinën me kapuç, që thuhet se e vishte, kur shkruante, sepse futej në botën e tij të frymëzimit e krijimit.  Përse është vepruar kështu?! Ç’mund të bëhet, për ta kthyer në muze? Besoj  se Bashkia dhe Ministria e Kulturës, megjithëse me shumë vonesë do ta riblejnë banesën e ta kthejnë në identitetin siç ishte dhe të kthehet në Muze, sepse është e do të jetë në nderin e Pogradecit e të Shqipërisë.

   Aq sa u lëndova për shtëpinë e të madhit Lazgush Poradeci, po aq u gëzova për Odeonin e ngritur në Pogradec nga Bashkia  e Pogradecit, që duhen përgëzuar me dy shtatoret e dy korifejve të Pogradecit, të Lazgush Poradecit dhe Mitrush Kutelit të shkrimtarit e përkthyesit tē shquar. Këto dy shtatore ishin të rrethuara me lulishte me lule shumë ngjyrëshe. Në anë është ndërtuar një Amfiteatër ku jepnin çdo mbrëmje koncerte e filma shqiptarë. Në anën e majtë të shtatores së Lazgushit e ngjitur me të ishte edhe busti i konkës së tij, Cucit. Lazgush Poradeci,(Llazar Sotir Gusho) dhe Mitrush Kuteli (Dhimitër Pasko) kanë bërë emër dhe njihen me pseudonimet e tyre. Si mund të shpjegohet, që Lazgushi e quante Pogradecin Poradec?

    Në Pogradec më tërhoqi shumë projekti gjerman, që ka ndërtuar gjithë bregun e Liqenit nga qyteti deri në Drilon, që nuk është prekur pjesa e rërës. Kishte shetitore e lulishte dhe mbi të gjitha në mbrëmje dëgjoje muzikë të lehtë shqiptare. Pyeta disa qytetarë, se si quhej rruga sipër rêrës dhe më thanë: “Shetitore” Më gëzoi fakti, që e kanë emërtuar shqip dhe jo siç e quajnë në Tiranë e disa rrethe: Pedonale.

     Në Pogradec jeton një popullsi, që është e qytetëruar. Flasin me zë të ulët dhe përshëndesin në rrugë të njohur e të panjohur, që unë e vlerësoj si qytetari, që rrezatojnë mirësi dhe energji pozitive, si dhe optimizëm tek të tjerët e komuniteti. Një shembull tē kësaj mirësia e gjeta tek djali i vogēl Kelvin Tona 11 vjeç, që punonte me babain e tij në një Sherbim celularësh dhe ma rregulloi celularin , por nuk pranonte të shpërblehej. Mē krijoi përshtypjen, se është i talentuar Kelvini dhe rrezatonte vetëm mirësi.

   Unë dhe motra ime Drita nuk u ndjemë të huaja. Sapo arritëm në Pogradec., na ndihmoi për t’u sistemuar në shtëpi bizesmenja, Bajame Topalli, që i jemi shumë mirënjohëse. Na ftoi për drekë një mikja ime, që ka jetuar në Peshkopi para shumë vitesh, Drita Shkëmbi. Kudo që shkuam dhe këdo që takuam, vetëm me buzëqeshke e mirësi u shoqëruam.

 Tefta Cami-ish-ministre e Arsimit dhe Kulturës

  Tiranë, 25 korrik, 2021

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Dhjetë alfabete të gjuhës shqipe, të cilat i ka prezantuar në një libër studiuesi i mirënjohur, Robert Elsie

Robert Elsie: Literatura shqipe në traditën islame-osmane I

Me ardhjen e tij ne Shqiperi, pushteti Osman solli me vete kulturen e tij te …