Në raportin vjetor për vitin 2025, Agjencia e Sigurisë dhe Inteligjencës e Kroacisë (SOA) ngre alarmin për situatën e paqëndrueshme të sigurisë në Ballkanin Perëndimor, me fokus të veçantë tek tensionet e vazhdueshme ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe ndikimet destabilizuese të faktorëve të jashtëm dhe të brendshëm në rajon. SOA thekson se marrëdhëniet Kosovë–Serbi vazhdojnë të jenë të tensionuara dhe të brishta, me veriun e Kosovës që mbetet një pikë kritike e paqëndrueshmërisë. Raporti përmend sulmin e armatosur në Banjskë në shtator 2023, ku një formacion paraushtarak serb vrau një polic të Kosovës – një akt që u cilësua nga Prishtina si i organizuar nga Beogradi, akuzë e mohuar nga Serbia. Raporti vë në pah se ende nuk është e qartë mënyra e organizimit dhe furnizimit me armë të formacionit paraushtarak, duke nënkuptuar prani dhe ndikim të strukturuar të grupeve të armatosura. Emri i Millan Radoiçiqit, i cili mori përgjegjësinë për organizimin e sulmit, përmendet si shembull i paprekshmërisë ligjore – pasi ndonëse është marrë në pyetje në Serbi, nuk janë ngritur ende akuza penale.
