Kuvendi i Kosovës u konstituua më 10 tetor, plot tetë muaj pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, duke shënuar një ndër proceset më të gjata dhe më të bllokuara institucionale në historinë e vendit. Përfundimi i këtij ngërçi u arrit vetëm pas ndërhyrjes së Gjykatës Kushtetuese, e cila hapi rrugën për zgjedhjen e Nenad Rashiqit si nënkryetar nga komuniteti serb. Ky zhvillim ekspozoi edhe njëherë varësinë politike të institucioneve nga vendimet e jashtme dhe kalkulimet etnike. Megjithëse Dimal Basha dhe katër nënkryetarët e tjerë u zgjodhën në gusht, Kuvendi mbeti i paralizuar, duke pamundësuar formimin e Qeverisë. Tash, Lëvizja Vetëvendosje duhet të sigurojë 61 vota për krijimin e kabinetit, gjë që e detyron të hyjë në negociata politike me subjektet tjera, përkundër “vijave të kuqe” të shpallura më herët. Nëse dështon, vendi rrezikon të shkojë në zgjedhje të reja, duke e futur Kosovën në një tjetër cikël paqëndrueshmërie politike. Ky proces nxjerr në pah jo vetëm dobësinë e sistemit kushtetues përballë krizave, por edhe mungesën e vullnetit politik për zgjidhje të shpejtë dhe funksionale.
