Në kuadër të procesit gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Hagë, është rikthyer në vëmendje figura e Adem Demaçit. Debati u nxit fillimisht nga dëshmitë e James Rubin, ish-zëdhënës i Departamentit të Shtetit të SHBA-së, dhe Paul Williams, ish-këshilltar ligjor i delegacionit shqiptar në Rambuje, të cilët u pyetën lidhur me marrëdhëniet mes Demaçit dhe Thaçit gjatë kohës së luftës. “Kaloj përreth hapësirës ku më herët ishte vendosur shtatorja e A. Demaçit, nuk kishte risi, nuk u befasova, e kuptoja arsyen e paarsyeshme të mos verjes ende, thashë me vete. ‘LIRIA E KOSOVËS ËSHTË MONUMENT I ADEM DEMAÇIT’. Prandaj, nuk ka bust, lapidar apo shtatore që e zëvendëson lirinë e një populli,” ka shkruar Thaçi. Ky reflektim nga qelia e Hagës vjen në një kohë kur procesi gjyqësor kundër udhëheqësve të UÇK-së shihet nga një pjesë e opinionit kosovar si i politizuar, ndërsa dëshmitë e figurave ndërkombëtare po rivendosin në qendër të diskursit ndërkombëtar legjitimitetin e luftës çlirimtare dhe rolin e personaliteteve historike të saj.
