Thesari dhe Drejtoria e Buxhetit koordinohen me komunat për sfidat buxhetore

Asociacioni i Komunave të Kosovës (AKK) riafirmoi rolin e tij aktiv në mbrojtjen e interesave të Komunave edhe në avancimin e menaxhimit të qëndrueshëm të financave publike, në kuadër të takimit të Kolegjiumit për Buxhet dhe Financa.

Për vazhdimin e punës dhe angazhimit të Kolegjiumit, vetë Kolegjiumi ka zgjedhur kryesues Durim Halilaj, drejtor nga Gjakova, pas zgjedhjeve të fundit lokale, për të siguruar udhëheqje të qëndrueshme dhe koordinim efektiv në trajtimin e sfidave buxhetore të komunave.

Në këtë frymë, diskutimet u fokusuan në sfidat aktuale buxhetore me të cilat përballen Komunat, veçanërisht në implikimet financiare të zbatimit të kontratës kolektive, e cila po vazhdon të ushtrojë presion të konsiderueshëm mbi buxhetet komunale dhe kërkon koordinim të shtuar institucional.

Në këtë kontekst, drejtori i Thesarit, Nysret Koca, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit të vazhdueshëm ndërinstitucional, konfirmoi gatishmërinë për koordinim të ngushtë me komunat dhe AKK-në.

Ai sqaroi se Thesari do të ekzekutojë vendimet e gjykatave në përputhje me detyrimet ligjore, por përmes një procesi konsultativ me Komunat për të përcaktuar kategoritë që do të preken në buxhetet komunale.

Në këtë drejtim, ai nënvizoi se është e domosdoshme që ndërhyrjet të përqendrohen kryesisht te projektet që nuk kanë ende obligime kontraktuale, në mënyrë që të mbrohet vazhdimësia dhe integriteti i projekteve ekzistuese.

Në të njëjtën linjë, drejtori i Buxhetit, Salvador Elmazi, duke u ndalur fillimisht te rëndësia e planifikimit të qëndrueshëm financiar, theksoi nevojën për një qasje më strategjike në menaxhimin e buxhetit.

Elmazi evidentoi se sfidat aktuale kërkojnë rishikim më të thelluar të planifikimit buxhetor dhe forcim të disiplinës fiskale, duke rekomanduar fokus në përfundimin e projekteve ekzistuese dhe një qasje më selektive në inicimin e projekteve të reja, të mbështetur në analiza reale financiare dhe koordinim të plotë ndërinstitucional.

Takimi riafirmoi se vetëm përmes një bashkëpunimi të qëndrueshëm dhe të koordinuar ndërmjet AKK-së, Komunave dhe institucioneve qendrore mund të adresohen në mënyrë efektive sfidat aktuale dhe të sigurohet stabiliteti fiskal dhe përmirësimi i shërbimeve publike për qytetarët.

Kontrolloni gjithashtu

U Shënua Përvjetori i 27-të i Masakrës në Celinë të Rahovecit

Në 27-vjetorin e rënies, përkujtohen 75 martirët e fshatit Celinë, të rënë në 25 mars …