Time Kadriaj

Time Kadrijaj: Vetëvendosje po fsheh mungesën e shumicës me votimin e fshehtë

Deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, ka kritikuar ashpër Lëvizjen Vetëvendosje, duke e akuzuar se po abuzon me të drejtën kushtetuese për nominimin e kryetarit të Kuvendit, pa e pasur shumicën e nevojshme për ta zgjedhur atë. Kadrijaj tha se Vetëvendosje nuk po angazhohet realisht për të siguruar votat për kandidaten Albulena Haxhiu dhe se kalimi nga votimi i hapur në atë të fshehtë është një strategji për të fshehur mungesën e shumicës. “Nuk e shohim fare angazhimin e Vetëvendosjes për sigurimin e 61 votave. Votimi i fshehtë është vetëm një lojë numrash për të shmangur përgjegjësinë dhe transparencën”, u shpreh Kadrijaj, duke konfirmuar se AAK nuk do të votojë në mënyrë të fshehtë. Ajo theksoi se Aleanca ka ofruar alternativa për zgjidhje dhe është e gatshme të votojë kandidatë të tjerë nga LVV, por vetëm përmes një procesi transparent dhe të hapur. Kadrijaj gjithashtu e lidh këtë situatë me dëmet që po i shkaktohen vendit, duke përmendur mungesën e përfitimeve nga Plani i Rritjes i BE-së. “Mospërfitimet nga fondet e BE-së e kanë emrin e Albin Kurtit dhe Lëvizjes Vetëvendosje. Kosova është i vetmi vend në rajon që nuk ka marrë ende mjetet, për shkak të mosformimit të institucioneve”, theksoi ajo.

Kontrolloni gjithashtu

Afati për presidentin po afrohet, institucionet ende pezull

Kosova po hyn në një fazë të ndjeshme institucionale, ndërsa 4 marsi afati i fundit …