Nait Hasani: Koalicion me VV-në vetëm nëse merr hapa konkret për mbrojtjen e ish-krerëve të UÇK-së

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Nait Hasani, ka deklaruar se është i gatshëm të mbështesë një koalicion mes PDK-së dhe Lëvizjes Vetëvendosje vetëm nëse kjo e fundit merr hapa të qartë në mbrojtje të ish-krerëve të UÇK-së që po përballen me drejtësinë në Gjykatën Speciale. Hasani theksoi se kushti i vetëm për një marrëveshje të tillë është angazhimi konkret i qeverisë për të mbështetur betejën ligjore të ish-luftëtarëve të UÇK-së, përmes formave institucionale dhe lobimit ndërkombëtar. “Ndryshimi mund të ndodhë vetëm me një kusht – Gjykata Speciale. Nëse qeveria ofron ministrinë, buxhetin, rezolutën dhe mekanizmat për hetim e mbrojtje, unë jam i gatshëm. Përndryshe, me asnjë çmim”, tha Hasani. Ai ka përkujtuar se qytetarët që e votuan më 9 shkurt ia dhanë mandatin me qëndrimin e qartë kundër një koalicioni me VV-në dhe se nuk mund ta ndryshojë këtë pozicion pa një arsye madhore.  “Qëndrimin tim e kam bërë të qartë para 30 mijë qytetarëve që më kanë votuar. Ata presin që unë të jem i palëkundur në ato parime”, përfundoi Hasani.

Kontrolloni gjithashtu

Tri ditë para zgjedhjeve, partitë intensifikojnë fushatën me tubime në mbarë Kosovën

Me vetëm tri ditë të mbetura deri në zgjedhjet parlamentare të 7 qershorit, partitë politike …