Tre serbë të akuzuar për krime lufte në Kosovë do të gjykohen në mungesë – seanca më 22 dhjetor në Prishtinë

Gjykata Themelore në Prishtinë ka njoftuar se më 22 dhjetor 2025 do të mbahet seanca e shqyrtimit fillestar në çështjen penale kundër të pandehurve Dušan Gavranič, Zoran Šarac dhe Žarko Cvetanovič, të cilët akuzohen për krime lufte kundër popullsisë civile gjatë luftës së fundit në Kosovë. Sipas njoftimit zyrtar, gjykimi do të zhvillohet në mungesë të të pandehurve, pasi të akuzuarit kanë qenë të paarritshëm për organet e drejtësisë deri në ngritjen e aktakuzës nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës. “Për këtë arsye, përmes kësaj komunikate u bëhet thirrje të pandehurve Dušan Gavranič, Zoran Šarac dhe Žarko Cvetanovič që të paraqiten dhe të dorëzohen para organeve të ndjekjes së Republikës së Kosovës. Gjithashtu, u bëhet thirrje personave që posedojnë informacione për vendndodhjen e tyre, që t’i raportojnë ato tek Policia e Kosovës apo organet tjera kompetente,” thuhet në njoftimin e gjykatës. Seanca do të zhvillohet në Pallatin e Drejtësisë në Hajvali, në objektin D, kati i parë, salla nr. 27, nën drejtimin e kryetarit të trupit gjykues, Leon Përlaska. Aktakuza dhe ftesat për seancë tashmë janë publikuar në faqen zyrtare të gjykatës dhe në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës. Gjykata Themelore në Prishtinë ka theksuar se do të vazhdojë të informojë opinionin publik për zhvillimet e mëtejshme lidhur me këtë rast, i cili shënon një tjetër hap në përpjekjet e institucioneve të drejtësisë kosovare për të trajtuar krimet e kryera gjatë luftës së viteve 1998–1999.

Kontrolloni gjithashtu

Departamenti i Shtetit: Trump ndaloi tetë luftëra – përfshirë edhe përplasjen e mundshme Kosovë–Serbi

Departamenti i Shtetit të Shteteve të Bashkuara ka përmendur në një deklaratë zyrtare se ndër …