Kadetët e Qendrës për Studime Universitare të FSK-së kanë përmbyllur me sukses patrullën elite “Triumfi Dardan 2025” sfidën e njohur ushtarake që zhvillohet çdo vit në terrene të ashpra dhe që kërkon maksimalen nga forca fizike, qëndrueshmëria mendore dhe aftësitë taktike të garuesve. Në këtë garë morën pjesë 27 kadetë të ndarë në tre skuadra, ku veçanërisht u vlerësua pjesëmarrja e skuadrës nga Akademia Ushtarake e Turqisë – dëshmi e bashkëpunimit të ngushtë dhe partneritetit strategjik Kosovë–Turqi. FSK thekson se pjesëmarrja e kadetëve turq jo vetëm forcon miqësinë dhe shkëmbimin profesional ndërmjet dy ushtrive mike, por edhe tregon se sfidat e përbashkëta ndërtojnë besim dhe profesionalizëm të qëndrueshëm. Në fund të patrullës, të gjithë kadetët u nderuan për disiplinën, përkushtimin dhe shpirtin luftarak të treguar gjatë gjithë garës – duke dëshmuar se gjeneratat e reja të uniformës janë gati për t’i shërbyer atdheut me krenari.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
