Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), Misioni në Kosovë, ka organizuar një tryezë diskutimi mbi procesin e përgatitjes së buxhetit komunal, me pjesëmarrjen e zyrtarëve komunalë nga Ferizaj, Hani i Elezit dhe Kaçaniku.
Takimin e hapi Igli Totozani, Drejtor i Qendrës Rajonale të OSBE-së, i cili prezantoi objektivat e punëtorisë, duke theksuar rëndësinë e transparencës dhe bashkëpunimit në hartimin e buxhetit.
Në vazhdim, Albion Sherifi, shef i kabinetit të Kryetarit të Komunës së Ferizajt, z. Agim Aliu, foli për rolin e pushtetit legjislativ dhe ekzekutiv në procesin buxhetor, duke ndarë përvoja konkrete nga praktikat komunale.
Po ashtu, Finsik Sylejmani, zyrtar financiar në Komunën e Ferizajt, mbajti një prezantim të detajuar mbi mënyrën e përgatitjes së buxhetit komunal, duke përshkruar hapat, sfidat dhe angazhimet institucionale në këtë drejtim.
Ky takim u vlerësua si një mundësi e rëndësishme për shkëmbimin e përvojave, si dhe për forcimin e bashkëpunimit dhe mirëkuptimit të ndërsjellë mes nivelit legjislativ dhe ekzekutiv në kuadër të procesit të përgatitjes së buxhetit komunal.