Është mbajtur mbledhja e VII-të e rregullt e Kuvendit Komunal të Vitisë, e cila filloi me një minutë heshtje në nderim të jetës dhe veprës së ish-kryetarit të Komunës, Nexhmedin Arifi, i cili ndërroi jetë dy ditë më parë.
Seanca si zakonisht nisi me pyetje të këshilltarëve komunalë drejtuar ekzekutivit dhe zv. kryetarit të komunës Hasan Aliu, ndërsa kryesuesi i Kuvendit, Bekim Azizi, njoftoi se ende nuk është kthyer përgjigja e ligjmërisë së vendimeve nga ana e Ministrisë, për vendimet e marra nga mbledhja e kaluar.
Një ndër pikat kryesore të rendit të ditës ishte shqyrtimi i pasqyrave financiare të buxhetit komunal për periudhën janar-qershor 2025, ku u prezantuan nga drejtoresha për Financa dhe Zhvillim Ekonomik, Milihate Ajeti, të dhëna konkrete për të hyrat dhe shpenzimet buxhetore të realizuara deri në fund të qershorit.
Të hyrat vetanake të realizuara për këtë periudhë janë 686.846,20 €, që përbën një shkallë të inkasimit prej 54,08% bazuar në planifikimin vjetor. Krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2024, të hyrat e këtij viti janë më të larta për 206.539,48 €, duke reflektuar një trend pozitiv të performancës financiare të komunës.
Sa i përket shpenzimeve buxhetore, buxheti i alokuar për periudhën janar-qershor 2025 nga të gjitha fondet burimore (granti qeveritar, të hyrat vetanake dhe donacionet) ishte 11.658.516,12 €, ndërsa shpenzimet e realizuara kapin vlerën 10.795.417,62 €, që përbën një shkallë të ekzekutimit prej 92,60%.
Në vazhdim të prezantimit financiar, Kuvendi u njoftua në mënyrë tabelare, të ndara sipas burimeve të financimit, programeve dhe kategorive ekonomike, për të ofruar një pasqyrë më të detajuar dhe transparente. Në këtë seancë u diskutua edhe për:
Propozimi për miratimin e shpalljes në diskutim publik të projekt-planit të punës së Kuvendit Komunal për vitin 2026;
Informatë nga Drejtoria Komunale e Arsimit lidhur me përfundimin e vitit shkollor 2024/2025. Ndërsa, u përfshinë edhe dy pika të reja si propozim vendimi për aprovimin e buxhetit të participuar nga fermerët përfitues, si dhe propozim vendimi për bartjen e të hyrave vetanake nga një projekt në tjetrin.