U Shënua Përvjetori i 27-të i Masakrës në Celinë të Rahovecit

Në 27-vjetorin e rënies, përkujtohen 75 martirët e fshatit Celinë, të rënë në 25 mars të vitit 1999.

Në tubimim përkujtimor i pranishëm ka qenë edhe kryetari i Komunës, Smajl Latifi me bashkëpunëtorë, përfaqësues të institucioneve qëndrore, deputetë, përfaqësues të OVL, familjarë të të rënëve dhe qytetarë të këtyre fshatrave dhe fshatrave përreth.

Me respekt dhe përulje kujtojmë sakrificën e tyre, që mbetet dëshmi e çmimit të lartë të lirisë dhe obligim i përhershëm për drejtësi dhe kujtesë, ka deklaruar me këtë rast, kryetari i Rahovecit, z. Smajl Latifi.

Fjala e kryetarit Smajl Latifi nga tubimi përkujtimor në Celinë

Të nderuar familjarë të dëshmorëve, bashkëluftëtarë e bashkëpunëtorë, të nderuar miq e dashamirës të fshatit Celinë, jemi përsëri në këtë kodër të dhimbjes e të trishtimit, ku mizorisht u vranë dhe u masakruan 75 civilë vendës të paarmatosur dhe 7 mysafirë. Dikur kjo kodër ishte e mbuluar me bar të njomë, ku kullosnin delet e qengjat, ndërsa sot është e mbushur me varre. Më tutje shtrihet fusha e butë e pjellore, fushë që i ka rritur e frymëzuar njerëzit e kësaj ane. Puna me nder e përkushtim dhe frytet që i kanë vjelë i kanë bërë këta njerëz të ndihen krenarë dhe ta duan këtë vend. E donin sepse e kishin trashëgim nga paraardhësit, prandaj u kanë bërë ballë furtunave e përndjekjeve të armikut gjakatar.

Këta e bënë vdekjen në të njëjtën ditë dhe në të njëjtin vend. Vdekja i mori në tokën e të parëve të tyre dhe në shtëpitë e tyre. Ata nuk kishin bërë asgjë të keqe për vendin tonë. E donin vendin e tyre, i donin shtëpitë e tyre, e donin jetën në këto troje. Ky ishte ,,mëkati” i tyre i vetëm. Prandaj, të nderuar miq, ata u bënë edhe më të pavdekshëm, u bënë edhe më të lidhur me rrënjët e kësaj toke, sepse tani janë vetë pavdekësia. Gjaku i tyre i ujiti filizat e rinj të këtij vendi, filiza që kanë zënë rrënjë e po japin fryte të ëmbla lirie. Kjo është dëshmia më e mirë se sa shtrenjtë na ka kushtuar dashuria për tokën dhe varet e të parëve tanë.

Sot jemi këtu për të përkujtuar dhe nderuar kujtimin për më të dashurit tanë, por edhe për të dhënë edhe një herë mesazhin e paqes e të dashurisë.

Faktorët që u morën me ndriçimin e krimeve serbe në këtë luginë të butë, nuk e kanë kryer detyrën që do të duhej ta bënin më me përkushtim e drejtësi. Ideatorët dhe ekzekutuesit e krimeve të llahtarshme nuk janë hetuar dhe nuk janë ndëshkuar. Nëse nuk vihet drejtësia, atëherë ekziston rreziku që armiku gjakatar të provojë përsëri të kthehet për ta kryer punën që e lanë në gjysmë. Kjo mund të ndodhë vetëm nëse ne e flemë mendjen dhe nuk do të vazhdojmë të punojmë e përpiqemi për ndërtimin e vendit tonë dhe forcimin politik, ekonomik e ushtarak.

Edhe në këtë ditë përkujtimore ne ngremë zërin e protestës për të kërkuar drejtësi. Fatkeqësisht mallkimi i të ashtuquajturës ,,drejtësi ndërkombëtare” ka rënë dhe po bie mbi viktimën. Duke i gjykuar bijtë e këtij populli, drejtuesit e luftës tonë të drejtë çlirimtare, po e bëjnë dhe një atentat mbi këta njerëz, mbi gratë e fëmijët e Celinës, të ekzekutuar me plan e gjakftohtësi nga regjimi kriminal i Serbisë terroriste.

Këta kriminelë, gjakftohtë, vazhdojnë të jenë të respektuar në vendin e tyre, ndërsa bashkësia evropianë ju mundësoi të lëvizin lirshëm dhe të përpilojnë akuza e aktakuza ndaj atyre që luftuan e u përpoqën ta heqin qafe regjimin e tyre kriminal. Kjo është ironia më e madhe e kohës tonë. Çfarë absurdi!

Edhe një herë ju bëjmë thirrje të gjithë atyre që kanë mundësi të bëjnë çfarë është e nevojshme të lehtësojnë dhimbjet tona të shpirtit, të vijnë pranë këtyre varreve dhe pranë dhjetëra mijëra varreve të shqiptarëve, ashkalinjve, egjiptasve e romëve të vrarë anekënd Kosovës, sidomos në Celinë, dhe ta drejtojnë gishtin mbi vrasësit e kriminelët e vërtetë.

Ne e dimë që vlerat më të çmuara të demokracive evropiane e botërore janë; drejtësia, liria dhe barazia. Dhe nëse është kështu ata duhet të reagojnë e të vënë para drejtësisë kriminelët serbë, ndërsa shqiptarët t’i trajtojnë si popull i barabartë në gjirin e popujve të qytetëruar, ndërsa krerët e UÇK-së të lihen të lirë për ta gëzuar lirinë për të cilën kodrat e lëndinat tona janë mbushur me varre. Ky do të ishte shpërblimi më i mirë për këtë popull të përvuajtur e të gjakosur.

Nënat, baballarët, motrat, vëllezërit, nuset e reja, fëmijët e familjarët e të rënëve mund të ngushëllohen me faktin se tani kemi më shumë liri, kemi më shumë mundësi dhe mund të nderojmë e kujtojmë më të dashurit tanë. Duke mos i harruar obligimet tona njerëzore, qytetare e shtetërore, sepse vetëm në këtë mënyrë mund të themi se jemi në rrugën e duhur të ndërtimit, të forcimit e të ruajtjes të lirisë tonë.

Familjarëve të të rënëve edhe një herë ju kërkojmë të jenë krenar e të mburren me faktin se i dhanë kaq shumë lirisë tonë, ndërsa më të dashurit e tyre janë bërë dritë e frymëzim drejt të ardhmes tonë.

Me gjithë këto vuajtje, dhimbje, ne e fituam luftën, e fituam lirinë, ne jetojmë në paqe dhe të gjithë jemi të obliguar ta ndërtojmë e ta bëjmë të qëndrueshme.

Lavdi dëshmorëve e martirëve të fshatit Celinë!

Lavdi të gjithë atyre që u flijuan për lirinë e Kosovës martire!

Kontrolloni gjithashtu

Në Brestoc u përkujtuan 49 martirët dhe 5 dëshmorët e kombit

Në Brestoc të komunës së Rahovecit u shënua 27-vjetori i përjetësimit, të 49 martirëve të …