Brickos

UNDP

UNDP publikoi Përmbledhjen 25-të të Pulsit Publik

Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) në Kosovë publikoi sot edicionin e 25-të të Përmbledhjes së Pulsit Publik.

Anketa e opinionit e Pulsit Publik nxjerr në pah perceptimet e njerëzve për çështjet socio-ekonomike, politike, të sigurisë dhe mjedisit. Përmbledhja e Pulsit Publik 25 bazohet në të dhënat e mbledhura nga 8 nëntori deri më 27 nëntor 2023 dhe pasqyron opinionin e më shumë se 1,300 të anketuarve të moshës mbi 18 vjeç. Të dhënat e mbledhura përmes kësaj ankete zbërthehen sipas gjinisë dhe përkatësisë etnike, për të ofruar informacion mbi dallimet e mundshme në perceptimet e qytetarëve për çështje të ndryshme zhvillimore në Kosovë.

Disa nga gjetjet kryesore të anketës së opinionit përfshijnë:

  • Të dhënat tregojnë se mesatarisht 42.44% e të anketuarve janë të kënaqur me punën e institucioneve qendrore të Kosovës.
  • Kënaqshmëria me punën e kabinetit ekzekutiv është shënuar në 41.8%, ndërsa kënaqshmëria me punën e kryeministrit është shënuar në 48.9%.
  • Kënaqshmëria me Kuvendin ishte 38.7% ndërsa kënaqshmëria me Kryetarin e Kuvendit ishte 52.2%.
  • Kënaqshmëria me Presidenten është regjistruar në 56.2%.
  • Shkalla e kënaqshmërisë ishte 29.3% ndaj gjykatave dhe 30% ndaj Prokurorisë.
  • Tre çështjet kryesore më të raportuara gjatë kësaj ankete ishin varfëria (28.6%), papunësia (19.2%) dhe çmimet për artikuj të domosdoshëm (8.9%). Shërbimet e kujdesit shëndetësor (8%) dhe problemet e hapësirës urbane (3.8%) ishin ndër pesë problemet kryesore të identifikuara.
  • Të dhënat e zbërthyera sipas përkatësisë etnike treguan se varfëria u renditet si problemi kryesor për shqiptarët e Kosovës (28.6%) dhe komunitetet tjera të Kosovës (29.5%), ndërsa problemet e hapësirës urbane (19.5%) u renditën si problemi kryesor për serbët e Kosovës. Teksa papunësia ishte çështja e dytë më urgjente për 20.2% të shqiptarëve të Kosovës dhe 13.8% të serbëve të Kosovës, energjia elektrike u rendit e dyta për 14.5% të komuniteteve të tjera të Kosovës.
  • Gjetjet treguan një rënie në ndjenjën e sigurisë në mesin e të anketuarve me 79.73% që ndiheshin të sigurt kur ishin jashtë në rrugë. Të dhënat e zbërthyera sipas gjinisë treguan se më shumë meshkuj (80%) sesa femra (78.9%) deklaruan se ndihen të sigurt kur janë jashtë.
  • 37.6% e serbëve të Kosovës deklaruan se ndjehen të sigurt kur janë jashtë në rrugë (6.2% deklaruan se ndjehen shumë të sigurt, ndërsa 31.4% deri diku të sigurt). 80.8% e shqiptarëve të Kosovës raportuan se ndjehen të sigurt (me 25.1% që ndjehen shumë të sigurt dhe 55.7% ndjehen deri diku të sigurt). Sa i përket komuniteteve tjera të Kosovës, 80% kanë raportuar se ndjehen të sigurt (me 12.5% që ndjehen shumë të sigurt dhe 67.5% ndjehen deri diku të sigurt).
  • Anketa e opinionit e Pulsit Publik e nëntorit 2023 regjistroi një rritje të lehtë në Indeksin e Demokratizimit (DI) dhe një rritje në Indeksin e Besueshmërisë Ekonomike (ECI). Më konkretisht DI-ja aktuale është rritur me 0.01 pikë në 1.49, ndërsa TKE është rritur me 0.15 pikë në 1.18.
  • Një rritje pozitive në perceptimin e njerëzve për drejtimin ekonomik është vërejtur në anketën e opinionit të nëntorit 2023. Gjithsej 20.23% ishin shumë të kënaqur ose të kënaqur me drejtimin ekonomik drejt të cilit po shkon Kosova aktualisht.
  • Ndryshimet më të mëdha sa i përket perceptimit të korrupsionit në shkallë të gjerë janë vërejtur në institucionet në vijim: Policia e Kosovës (nga 7.3% në 17.9%) dhe Komunat (nga 15.8% në 21.7%). Një rënie pozitive në perceptimin e korrupsionit në shkallë të gjerë është vërejtur në gjykata (nga 37.7% në 28.8%).
  • 63.7% e të anketuarve kanë theksuar se informacioni përmes mediave është se si ata e vlerësojnë praninë e korrupsionit në shkallë të gjerë në Kosovë, ndërsa gjithsej 30.5% e të anketuarve kanë deklaruar se bisedat me të afërmit dhe miqtë kanë formuar bazën e opinionit të tyre lidhur me shtrirjen e korrupsionit. Vetëm 5.5% e të anketuarve pohuan se përvojat personale formësuan perceptimin e tyre për korrupsionin në shkallë të gjerë.
  • Të anketuarit u pyetën për gjasat për të votuar nëse zgjedhjet qendrore do të mbaheshin së shpejti. Gjithsej 72.8% e të anketuarve pohuan se do të votonin nëse zgjedhjet qendrore do të mbaheshin së shpejti.
  • Të dhënat e anketës të opinionit së nëntorit 2023 treguan se 59.3% e shqiptarëve të Kosovës dhe 32.4% e serbëve të Kosovës besonin (plotësisht ose disi) se Marrëveshja për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë do të ndikojë pozitivisht në jetën e qytetarëve të Kosovës, ndërsa 62.5% e komuniteteve tjera të Kosovës besonin (plotësisht ose disi) se marrëveshja do të ndikojë pozitivisht në jetën e qytetarëve të Kosovës.

Kontrolloni gjithashtu

Posta e Kosovës, përmes Filatelisë së saj lëshoi sot në qarkullim postar emisionin e pullave postare “Mbrojtja e ambientit”.

Posta e Kosovës, përmes Filatelisë së saj lëshoi sot në qarkullim postar emisionin e pullave …