Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me kryeministrin Edi Rama në Tiranë, vlerësoi lart progresin e Shqipërisë në procesin e integrimit evropian dhe mbështeti objektivin e qeverisë shqiptare për mbylljen e të gjithë grup-kapitujve deri në vitin 2027. “Shqipëria është në rrugën e duhur drejt Bashkimit Evropian. Ju keni bërë një rrugë të gjatë dhe një progres të jashtëzakonshëm me një ritëm rekord, sidomos në tre vitet e fundit”, theksoi Von der Leyen. Ajo vuri në dukje rëndësinë e përputhshmërisë së Shqipërisë me politikën e jashtme dhe të sigurisë së BE-së, veçanërisht në kontekstin e sfidave gjeopolitike që kanë pasuar agresionin rus në Ukrainë. Presidentja e KE-së nënvizoi se ekonomia shqiptare tashmë ka fituar qasje të gjerë në tregun e përbashkët dhe në investimet e reja të Bashkimit Evropian, në kuadër të Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor, i cili sipas saj ka potencialin të dyfishojë ekonomitë e rajonit brenda kësaj dekade. Von der Leyen përmendi tre arritje konkrete të Shqipërisë:
- Përparimin e qëndrueshëm në reformat kyçe, që ka mundësuar dhënien e 100 milionë eurove në mbështetje direkte;
- Përfshirjen e Shqipërisë në sistemin SEPA, që garanton transferime më të sigurta dhe me kosto më të ulët mes Shqipërisë dhe vendeve të BE-së;
- Marrëveshjen për heqjen e tarifave të roaming, që pritet të hyjë në fuqi vitin e ardhshëm, duke mundësuar komunikim të lirë midis qytetarëve të Shqipërisë dhe BE-së.
“Ne jemi në rrugën e duhur. Shqipëria po avancon me vendosmëri drejt anëtarësimit të plotë në familjen evropiane,” përfundoi Von der Leyen.