Vangjel Sako

Vangjel Sako: Hipokrizia e klasës sonë politike

Në një peshore imagjinare të pagabueshme elektronike politike, bëmat e këtij 30-vjeçari të fundit janë ku e ku më të shumta se arritjet dhe sukseset. Në jetën politike shqiptare, por edhe në atë shoqërore janë futur kaq shumë “mikrobe” të dëmshme, vese dhe ligësi sa një të ndershmi i vjen ndot që jeton ende këtu. Deputetë që më vonë dalin kriminel, vrasës me pagesë që ende janë në ilegalitet, biznesmenë të suksesshëm që pasurinë e vënë mbi fukarallëkun e një populli të tërë dhe me shtetin janë OK e plot e plotë bëma të tjera.

Një nga sëmundjet më të shpeshta sidomos tek klasa politike është hipokrizia. Paraqitja përpara elektoratit jo me fytyrën reale është bërë tashmë një gjë e zakonshme për politikanët tanë. Mohimi pa pikë pendimi i së djeshmes dhe premtimi galopant i së nesërmes, kur edhe vetë premtuesi e di se nuk do të realizohet janë bërë të përditshme. Nëse do të më duhej të bëja një listë me emra konkretë, do ta kisha shumë të vështirë jo për mungesë provash, por se nuk do të dija se kë të vendosja në rolin e “kampionit”. Po në pjesëmarrje, lista do të ishte e pafund, jo vetëm me personazhe partiakë, por edhe me përfaqësues të pushtetit të djeshëm dhe të sotëm. Fushat e jetës shqiptare ku hipokrizia luan si në shtëpinë e saj janë të shumta. Një prej tyre është edhe ajo e arsimit. Në një gjykim të qetë e të ftohtë, larg pasioneve politike, arsimi para fundviteve ‘90 ishte i konsoliduar. Jo vetëm në masivitet, ku u arrit që edhe arsimi i mesëm të ishte i detyrueshëm, por edhe në cilësi.

Le të kritikohemi për metodën sovjetike në sistemin tonë arsimor të atyre viteve, por nga ato plejada dolën profesorë me peshë dhe shkencëtar të denjë për në çdo pozicion drejtimi. Vërtet ishim në koracë politike dhe lidhjet me botën ishin me pikatore, por kur edhe shkencëtar me nam botëror kishin mundësi të njiheshin me arritje të veçanta në fushën shkencore shqiptare, habiteshin me nivelin e lartë profesional me të cilin ballafaqoheshin. Pas ‘90, ashtu si shumë vlera të tjera në jetën e përditshme shqiptare u fishkën për të mos thënë u zhdukën fare edhe arsimi iu nënshtrua ekonomisë së tregut, ku cilësia pothuajse nuk kishte më vlerë dhe diplomimi u bë më i thjeshtë se të prisje një biletë për të shikuar një ndeshje në stadium.

Sigurimi i një diplome edhe në degët më të vështira u bë aq i lehtë sa kur përballeshe me një të njohurin tënd që e njihje më së miri se ç’kapacitet arsimor kishte dhe deri ku e kishte hedhur hapin në shkollim, shqyeje sytë kur ai të tregonte diplomën e në raste të veçanta edhe më shumë se një. Për fatin e mirë dhe të keq (për fatin e mirë për të patur argument për shkrimin tonë dhe për fatin e keq të vazhdimësisë së arsimit në vend) drejtimin e sistemit arsimor në vendin tonë e kanë patur me alternim të dy forcat politike që drejtojnë vendin prej gati 30 vjetësh. Pa asnjë mëdyshje për drejtimin e keq të këtij sistemi në kohën që qeverisnin vetë, ata nuk lënë asnjë sharje për kundërshtarët. Shikojnë qimen në syrin e tjetrit dhe nuk shikojnë trarin në syrin e tyre. Gabimet janë të të dy palëve dhe vazhdim të njëra-tjetrës. Gjoja në emër të revolucionit në këtë fushë herë pas here nxjerrin ndonjë broshurë me metoda bashkëkohore, por që gjithmonë çuditërisht dalin të dështuara.

Ndonëse u bën vite që është braktisur mënyra centralizuese e drejtimit dhe ekspertët e Ministrisë së Arsimit kanë parë edhe arritjet e homologëve në Europë e më gjerë, ne ende nuk kemi një sistem arsimor të konsoliduar, por ende vazhdojmë të eksperimentojmë. Unë nuk dua të bëj ekspertin e këtij sistemi sepse kjo është fushë e mjeshtreve të vërtetë që u dhëmb e vërteta reale e këtij sistemi, por dua të vë në dukje hipokrizinë në vite në këtë fushë. Çdo ministër që ka ardhur në drejtim të kësaj ministrie ka premtuar se do të sjellë risi në drejtim, por ne ende e kemi llavë vullkani marrëdhënien ministri-student, sepse raporti kërkesë – ofertë është ende i papranueshëm nga të dy palët. Pas një periudhe të mbirjes së shkollave dhe universiteteve private në mënyrë të pakontrolluar dhe pa asnjë kriter profesional, ku nuk ngeli shqiptar pa një diplomë tashmë ka ardhur një pikë kur regjistrimi aty është vështirësuar dhe ka mungesa të theksuara në lëndë të ndryshme. Kjo është një fushë ku duhet të ndërhyjë ministria përkatëse përmes formave të ndryshme aplikimi ku njëra prej tyre mund të jetë edhe përparësia që mund t’u jepet këtyre lëndëve përmes ofertës stimuluese në pagë pas diplomimit.

Kjo është një plagë që duhet të shikohet me përparësi nga ekspertët përkatës, por ndjehem keq kur këtë e vë në dukje një “eksperte” e dështuar në këtë fushë si ish-zëvendësministrja e arsimit prej 8 vjetësh, Nora Malaj, çka mua më krijon ndjesinë se asnjë ndryshim nuk do të ketë në këtë drejtim. Kjo jo sepse kam ndonjë ndjenjë keqdashje ndaj saj, por vetëm pas një gjykimi real të veprimtarisë së saj drejtuese. Të jesh prej kaq shumë vjetësh drejtuese e lartë e arsimit, ta osh atë në nivelin më të ulët të të gjithë historisë pothuajse 100-vjeçare dhe pastaj të vajtosh për këtë gjë, është hipokrizi e pamatshme. Asnjë mëkat tjetër të mos rëndoj mbi të, mjafton fakti se në kohën e drejtimit të saj universitete private mbinë si kërpudha pas shiut dhe arritën deri aty sa një diplomë firmosej edhe duke pirë kafe që ajo të ndjehet fajtore. Më keq akoma kur në CV e saj, e shkruar nga vetë ajo lexon se për një kohë jo të shkurtër ajo ka qënë edhe shefe e departamentit të psikologjisë – sociologjisë në Universitetin Kristal, përfaqësuesi më negative i tërë zinxhirit të universiteteve private.

Sa për kujtesë të lexuesve po themi se në këtë universitet janë diplomuar më së shumti deputetë shqiptar dhe një figurë italianë si Renzo Bossi, djali i një politikani të njohur që jo vetëm nuk e di gjuhën shqip ,e por që nuk ishte paraqitur asnjëherë në këtë universitet. Të jesh mëkatare e një gjynahu të tillë që normalisht duhet edhe dënuar penalisht, ta lësh këtë në harresë dhe pastaj të bësh rolin e gjynahqares për arsimin shqiptar është e papranueshme. E papranueshme është edhe fakti se në një prej daljeve të saj në ekranet shqiptare ajo pohoi me gojën plotë se “Edi Ramën e kam shokë fëmijërie, por nuk flasim me gojë dhe ai më ha m… mua”, por kjo në fund të fundit është marrëdhënie dypalëshe dhe kanë ulje ngritjet e tyre.

Edhe në aspektin njerëzor, por edhe në aspektin fetar, pa kërkuar falje për një mëkat të bërë më parë nuk ke asnjë mundësi të jesh e çiltër në marrëdhënie me të tjerët, aq më pak me ata të fushës tënde profesionale. Kështu që më e pakta që mund të bëj Nora e famshme, por jo sa ajo e Kelmendit është që njëherë për njëherë t’i përkushtohet profesionit dhe të mos e vrasë mendjen për të dhënë përvoja vetjake se ato nuk i duhen kujt. Jo se arsimi pas drejtimit të saj është konturuar dhe disiplinuar, por sepse periudha e drejtimit të saj ka qenë më ogurzezë. Edhe sot ky arsim vazhdon të jetë në paqartësi dhe ne mësojmë më shumë për “luftë” të brendshme për të marrë drejtimin e universitetit se sa masa konkrete për përmirësimin e tij. Dhe se ende nuk është pushuar lufta ministri-student.  (Sot)

Kontrolloni gjithashtu

Fronti Europian: 8 maji do të jetë Referendum, të rrethojmë numrin 4 për të ardhmen europiane

Fronti Europian sot mbajti konferencë për media ku kandidati për deputet Naim Bajrami ka elaboruar …