Vaxhid Sejdiu

Vaxhid Sejdiu: Komandant Kushtrimit

.. vargje që përkujtojnë dëshmorët e kombit: Harun Aliun – Komandant Kushtrimin, Shaban Zenunin, Xhafer Shalën dhe Qemal Fejzullahun…

“Nëno moj, ç’është përpjekur  
Gojë-mjalt’ e zëmër-hekur,  
Syrgjyn-gjall’ e syrgjyn-vdekur,  
Ky Vigan Liberator. “    Noli

Kushtrimi i lirisë nuk është akti i fundit

Në krah e mbështetur pushka çlirimtare,

Rrufe e fortë bie në zemër të trungut

Hijet flasin për kohën vrastare.

 

Prita ndali hapin, pushka vrau lirinë

Katër yje kombi që shkruan historinë,

Në natën e zezë, ëndrra seç  u tret,

Pabesia e madhe, burra t`kombit vret.

 

Pushkët ndalën orën, fjalët  më nuk vlejnë

Katër djem të vrarë, ndërgjegjja s`i brenë.

Nga të katër anët zërat seç dëgjohen,

Një vrasje e madhe ndali, vrau kohën.

 

Dhe nëna shqiptare me shami në kokë

Do të pyes qiellin, tokën edhe malin

Nga dielli i vrarë një zë vjen si plumb

“Nëno-moj – larot t`a përmbysën djalin”.

 

Mbaje veten nënë, në këtë kohë të keqe,

“Që burrat me nam” na janë bërë teneqe

Atë që thonë në mbrëmje e përpinë në mëngjes,

Nëno moj- Shqipëri!

Kushtrimi i lirisë,

Kurrë nuk mund  të vdes.

 

Jetën  shqiptare  që e  bënë skëterrë,

Me shumë plagë në trup, dhe në robëri

Vuajtjet, Idealet unë t`i njoh Atdhe,

Dhe zjarrin që digjet për LIRI.

 

Në çarshinë e vjetër të kryeqytetit

Një vend ka mbetur – e madhe zbrazëtirë

Njeriu që qante hallet e atdheut

Që bashkonte zemrat, për qëllim të mirë.

 

Dhe kafja e mëngjesit keq është helmuar

Shokëve që kanë mbetur pa krah, pa zemër,

Kënga e kushtrimit vjen duke jehuar

Dhe vulos në kohë, një ideal, një emër.

 

Dhe ky përvjetor, vjen me re të zeza

Bajraktarët heshtin apo flasin mbrapsht,

Në këtë kohë të pakohë, u njollos dhe Besa

Plagët përthekuan shpirtin, depërtuan n`asht.

 

Mbi trojet shqiptare, ka rënë hije e keqe

Zëri i Kushtrimit ende gjallë jehon,

Fjalët e Shabanit, Qemalit dhe të Xhafer trimit

Nënë-moj, pushka çlirimtare gjithmonë do të rrojë!

 

 

Vaxhid Sejdiu: Nëntë Maji!

Të burgosurve shqiptarë, ish- ushtarë të UÇK-së, veprimtarë të çështjes kombëtare, luftëtar lirie, të cilët kalben burgjeve të IRJM…

Asgjë nuk ka ndryshuar në këtë anë të Ballkanit

Kumanovën e vranë në tradhti,

Shkupit ia ndryshuan sytë, fytyrën

Manastirin e falën, ashtu si dikur Shën Naumin,

Të pafytyrët, ata që në çdo Pazar,

Në çdo fund jave, shesin atdhe…

 

Planet e  Millosheviqit kanë filluar të marrin pamje,

të marrin formë,

Hienat ndërsejnë dhe qentë lehin,

Pseudopatriotët të zhveshur, pa asnjë pikë bojë,

vazhdojmë të jetojmë nën Orë të pashpallur policore,

Militantët partiakë me një kockë të kripur,

të urinuar, në gojë.

 

Fashistët kërkojnë dhoma gazi për ne,

Për ne shqiptarët, të dënuar,

Me ligj dhe pa ligj.

Nën hije, krijuan një rrjetë merimange

Që sot i thonë pushtet.

Ditën dhe natën,

kurdisën plane vrasëse

që vetëm shqiptarë vret.

 

 

Makbethi i fton miqtë

Në darkën e djallit,

Dhe në prapaskenë Lucanusi bën lojën e vet,

Yjet e lirisë,

të lodhur, të vrarë, në burg të zi

Nata e pabesë, të gjallë po i tretë.

 

 

Burgu  i Prilepit, Manastirit apo Idrizovës

përplot me shqiptarë,

të lodhur, të rraskapitur nën thundrën e hekurt.

Sytë e tyre shkrihen për një rreze drite,

Për një rreze drite,

Lajmëtarë të lirisë.

 

 

Letrat e të burgosurve kanë filluar të thahen,

në raftet e familjeve gjysmë të vrara,

 

pikojnë lot.

Oxhakut i ka rënë hije e rëndë

fjalët shtojnë mërzinë,

Tradhtia dergj burrat,

Kjo zezonë, nuk durohet dot!

 

Pyesin trimat,

pse u vramë në Shkup, Tetovë, Sllupçan?

sytë e tyre duken sikur ju hedh prush

baballarët pyesin, se ku mbeten fjalët,

jemi në vendin tonë,

argatë apo nizamë?

 

 

Me shpirt nëpër dhëmbë u munduam

të prekim lirinë,

Në momente të vështira thamë do të bëhet mirë

Asnjëherë s`na shkoi mendja

se bajraktarët tanë,

të ardhmen e popullit, do ta bëjnë errësirë.

 

Nëna  e dëshmorit ka një shqetësim të madh

Edhe pse lotët ngadalë i mbanë,

ofshanë rëndë, dora i prek në letrën e t`birit

politikanët  tanë Vardari s`i lanë.

 

 

 

Baballarët,

kanë thënë,

çdo herë ekziston një rrugë,

ku shpirti e gjen veten të lirë,

atëherë kur punon për atdhe në jetë,

atëherë edhe shpirti ndihet më mirë.

Prapa grilave

“Të vrarët”,

Dallga e çmendur i ka marrë,

Shihen me duart e përgjakura

drejt lirisë,

dhe në fytyrë, duket pastër,

një plagë, një lot,

një buzëqeshje e tharë.

 

 

Kumanovë, Maj 2016

Kontrolloni gjithashtu

Posta e Kosovës ka emërtuar pullën postare me portretet e heronjve ë kombit, Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu në 29 vjetorin e rënies

Mehmet Bislimi: Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu

 (në 35 vjetorin e rënies së tyre heroike) Sa herë që vjen nëntori, malli më …