Dhe këta fëmijë të mrekullueshëm, të cilët kanë lindur dhe rriten ne Zvicër, përveç që mësojnë shqip, në shkollat shqipe të Zvicrës, këtë vit shkollor kanë filluar të mësojnë edhe gjuhën arbëreshe. Një bashkëpunim në mes mësuesit Vaxhid Sejdiu, i cili me punën dhe përkushtimin tij ka dëshmuar ndër vite se është histori suksesi dhe shembulli më i mirë i angazhimit në përhapjen e dritës së diturisë në gjuhën shqipe dhe shkollës Arbëreshe në Ungra.
“Na folmi arbërisht”, nxënësit e shkollës shqipe në Zvicër: Tana, Lina, Era, Rina, Genti, Arianita, Nora, Enesi, Melisa, Shera, Erina dhe Aroni gjatë një ore mësimore
Sa herë që bashkohen veprimtarët e denjë të arsimit shqip bëjnë punë të mira dhe të mbara në shërbim të fëmijëve shqiptarë, që lindin dhe rriten larg atdheut, por në anën tjetër janë të përkushtuar, që ta ruajnë dhe ta mësojnë gjuhën amtare dhe jo vetëm. Disa nga nxënësit e shkollës shqipe të mësuesit Vaxhd Sejdiu, të cilët mësojnë gjuhën shqipe në pikat shkollore në Neuenhof, Spreitenbach, Rüti dhe Dällikon të Zvicrës, tani më kanë vendosur të shkojnë më tutje, të njihen dhe të mësojnë edhe rrënjët e vjetra të shqipes – arbërishten e bukur dhe të pastër, të cilët me aq sakrificë e kanë ruajtur vëllezërit arbëreshë. Tani më Zvicra nuk është vetëm shembulli më i mirë i përpjekjeve për ruajtjen e gjuhës amtare por edhe dhënies së një mesazhi gjithëkombëtar, se së bashku mundë të bëjmë punë të mira në shërbim të të ardhmes sonë të përbashkët kombëtare. Dhe kush më mirë dhe më qartë mund të jap mesazh të këtillë se sa fëmijët shqiptarë në Zvicër dhe ata arbëreshë në Ungra të Kalabrisë. Të shpresojmë dhe të besojmë se mesazhe të këtilla brenda shqiptare të ketë në vazhdimësi në shërbim të ruajtjes së gjuhës dhe kulturës kombëtare.
Fillimisht ishte ide e përbashkët e veprimtarëve të arsimit shqip Rexhep Rifatit, Ornela Radovickës, dhe mësuesit Vaxhid Sejdiut, me qëllim që të krijohet një klasë që fëmijët shqiptarë ta mësojnë gjuhën arbëreshe, gjuhën e vjetër shqipe duke dhënë një frymëmarrje motivuese për të gjithë ne brenda dhe jashtë atdheut. Së pari, për ti motivuar fëmijët arbëreshë për t’iu kthyer mësimit të arbërishtes sepse vetëm në këtë mënyrë ata e mësojnë dhe e ruajnë gjuhën e tyre, të cilën e ruajtën me një përkushtim të veçantë baballarët e tyre më se 600 vjet dhe e dyta fëmijët shqiptarë, të cilët rriten larg atdheut ta mësojnë dhe ta ruajnë gjuhën shqipe, por në këtë rast duke mësuar edhe dialektin e vjetër të shqipes – arbërishten e shek. XV-XVI.
Ky është lajm tepër domethënës për të gjithë shqiptarët me qëllim që t`i kthehemi rrënjëve tona, gjuhës dhe kulturës kombëtare kudo ku jemi sepse vetëm në këtë mënyrë mund ta ruajmë edhe veten si komunitet në veçanti dhe si komb nëpërgjithësi, me gjithë pasurinë dhe trashëgiminë shpirtërore që kemi.
Veprimtarë të dalluar të arsimit shqip, njëherit të përkushtuar për t`i dhënë një shtytje kombëtare të folmes arbëreshe, Rexhep Rifati, Ornela Radovicka, Musa Jupolli,Tomasso Ferrari, Gianfranco Maletta, Maria Tolisano, Nicoletta Buono, Mentor Thaqi, Vaxhid Sejdiu, Anita Duriçi, Nicoletta Buono, Isuf Ismaili, Qefsere Sejdiu, Minire Azemi…
Në fazën e parë u këmbyen tekstet shkollore, ku fëmijët arbëresh morën në dorë nga mësuesi Vaxhid Sejdiu abetaret e gjuhës shqipe, kurse nxënësit e shkollës shqipe në Zvicër, morën tekstet shkollore në gjuhën arbëreshe nga drejtoresha e “Bibliotekës At Bellusci” znj. Ornela Radovicka. Në fillim në të dy anët kishte pak nxënës të cilët ishin të interesuar për këto orë mësimore kurse tani klasa në Zvicër numëron 12 nxënës, kurse nxënësit e regjistruar te mësuese Nikoleta dhe Maria në Ungra kanë arritur afër 30 fëmijë, të cilët mësojnë arbërisht.
Në këtë rrugëtim aq domethënës prijnë Prof. Gianfranco Maletta dhe Dr. Vaxhid Sejdiu, të përkrahur dhe të ndihmuar nga doajeni i gazetarisë në Kosovë dhe në Mërgatë Z. Rexhep Rifati, kryetari i “Qendrës Kërkimore Albanologjike mbi Bibliotekën e Gjuhës dhe Kulturës Arbëreshe A. Bellusci”, Tommaso Bellushi dhe drejtoresha e kësaj qendre Dr. Ornela Radovicka. Të ndihmuar dhe të përkrahur nga Lidhja e Shkrimtarëve dhe Krijuesve në Mërgatë Musa Jupolli dhe Mentor Thaqi nga Tomasso Ferrari, Nicoletta Buono, Maria Tolisano dhe shumë veprimtarë të tjerë si mësues të shkollave shqipe në Zvicër: Minire Azemi, Anita Duriçi, Qefsere Sejdiu, Isuf Ismaili etj.
Dhe këtë lajm po e mbyllim me një përshëndetje të nxënësve të shkollës shqipe në Zvicër, drejtuar të gjithëve shqip dhe arbërisht.
“Përshëndetje të gjithëve,
Ne jemi nxënës të shkollës shqipe në Zvicër!
Ne mësojmë shqip. Por mësojmë edhe arbërisht
Ne i këndojmë gjuhës shqipe, flamurit kombëtar, Atdheut, Shqipërisë!
Na i këndonjë heroit kombëtar Gjergj Kastriotit Skënderbeut!
Na i këndonjë Arbërisë!
U jam Lina, u jam Melisa, u jam Era, u jam Rina, u jam Genti, u jam Nora, u jam Arianita…
Ne mësojmë arbërisht në klasën e mësuesit Vaxhid Sejdiu.
Kemi hare. Rrini mirë vëllezër arbëreshë.
Na jemi një gjuhë, një flamur, një nacion!
“Fjamuri i Arbërit” valon kudo ku ka arbëreshë!
Përshëndesim Zonjën arbëreshe Zonjën Ornela (Ornela Radovicka)!
Gëzuar festat e fundvitit!
Paçi shëndet dhe shumë gëzime!
Dhe me këngën “Moj e bukura more” e mbyllën orën mësimore për t`u takuar në orët tjera në vazhdim.
Sektori për Informim
Dhjetor 2024.