Vendi ynë po udhëheq fushatën e pastrimit global që po zhvillohet në 157 shtete anekënd botës. Gjatë aksionit për pastrimin e mjedisit, ministri në detyrë i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi theksoi se fakti që Kosova sot është në qendër të botës duke udhëhequr fushatën e pastrimit që organizohet në 157 vende të botës, tregon që është në rrugë të drejtë për të jetuar në një ambient të pastër. Drejtuesit e aksionit për pastrim kanë bërë thirrje për vetëdijesim qytetar dhe angazhim më të madh institucional në mënyrë që qytetarët të jetojnë në një ambient të pastër. Drejtori i “Let’s do it Kosova” Luan Hasanaj kërkoi nga institucionet përgjegjëse që të ushtrojnë ndikimin e tyre për një ambient më të pastër. Ai kujtoi më tutje se vitin e kaluar, ku tha se për tre muaj kanë pastruar rreth 1 mijë deponi ilegale dhe të njëjtat pas një kohe janë kthyer, meqë sipas tij, nuk janë ndërmarrë veprime që të parandalohen grupe të organizuara, të cilat bëjnë ndotje të mjedisit.
