Veprimtari dhe luftëtari i lirisë, Xhemajl Pllana nxori në dritë librin: “Në shërbim të Atdheut”

Veprimtari dhe luftëtari i lirisë, Xhemajl Pllana nxori në dritë librin: “Në shërbim të Atdheut”

Veprimtari, i burgosuri politik dhe luftëtari i UÇK-së, Xhemajl Pllana ka botuar librin: “Në shërbim të Atdheut”, në të cilën ka trajtuar një segment të përpjekjeve shekullore shqiptare, në rrugë drejt lirisë dhe bashkimit kombëtar,  me  theks të veçantë,  në Vushtrri me rrethinë.

Në këtë vepër publicistike, dokumentare, autori ka sjellë një lëndë të vëllimshme, dokumentuese, faktuese, një lëndë historike, argumentuese të brezave shqiptarë,  në dy shekujt e fundit të mbijetesës kombëtare. Autori e ka filluar  librin e tij  me kujtimin për trojet e lashta, në Toplicë, ( në Serbinë e sotme)  nga ku  u dëbuan nën dhunën  mizore serbe e sllave,  shqiptarët autoktonë,  në atë mes edhe lokaliteti,  Pllana e Madhe afër Nishit të sotëm në Serbi dhe më shumë se shtatëqind fshatra të tjera, të asaj krahine, në të cilat u bë spastrimi etnik i popullatës shqiptare. Duke qenë pjesëtar i asaj  vëllazërie të madhe, të Lokalitetit Pllana, e cila ashtu si qindra vëllazëri të tjera shqiptarësh, u vendos  Kosovë,  në decenien e fundit të shekullit XIX, ai  nuk ka reshtur së kujtuari e së shfletuari  memorien familjare për tragjiken dhe heroikën, për luftën e qëndresën, për mbijetesën historike, në kushte dhe rrethana gjithnjë të përgjakshme, deri në ditët tona.

Pasi metodologjikisht ka përcaktuar kohën e hapësirën specifike, me qëllim  për të rrëfyer historinë e qëndresës dhe mbijetesës, në kushte dhe rrethana të caktuara, autori i librit iu ka përveshur punës me seriozitet. Ka hulumtuar dhe ka gjurmuar të dhënat e dëshmitë, faktet e argumentet historike e shkencore   dhe ia ka arritur me sukses ta shtjellojë e ta rrumbullakësojë  një lëndë të begatshme  rrëfimtare, e cila hedh dritë mbi ngjarje të caktuara, sidomos në Vushtrri me rrethinë, si në aspektin diakronik dhe në atë sinkronik të zhvillimeve historike e shoqërore të periudhave kohore për të cilat është përcaktuar.

Xhemajl Pllana, si pjesëtar i një familjeje atdhetare ka qenë edhe subjekt i Lëvizjes së fshehtë atdhetarë së bashku me vëllanë e tij, veprimtarin e mirënjohur, Ramadan Pllana e shumë të tjerë. Ka qenë i përndjekur dhe i dënuar për veprimtari atdhetare, të cilën regjimi i RSFJ-së e kishte  kualifikuar si veprimtari në platformë nacionaliste e irredentiste, me qëllime separatiste të bashkimit të Kosovës dhe trojeve të tjera shqiptare, me Shqipërinë.

Duke qenë njohës i rrethanave historike, politike e shoqërore të kohës, i frymëzuar nga familja me tradita atdhetare dhe nga protagonistë të Lëvizjes Kombëtare si: Adem Demaçi, Metush Krasniqi, Ali Aliu, pastaj edhe nga vëllai i tij më i moshuar, Ramadan Pllana e shumë të tjerë, Xhemajli ashtu sikur kishte ndjekur rrugën e tyre, duke qenë edhe pjesëtar i Lëvizjes së përgjithshme Kombëtare,  në librin e tij, “Në shërbim të Atdheut”,  ka marrë përsipër ta ndriçojë shtrirjen dhe rolin e veprimtarisë atdhetare, veçmas në rajonin e Vushtrrisë si një lokalitet i moçëm urban, i njohur që nga koha e Ilirisë dhe e Romës, që ka mbijetuar nëpër shekuj, duke lënë prapa një histori specifike të rezistencës kundër çdo pushtuesi,  deri në luftën fitimtare të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, pjesëtarë i së cilës ishte,  që nga fillimi e deri në mbarim.

Vepra përbëhet kryesisht nga rrëfimet dhe këndvështrimet e autorit lidhur me veprimtarinë e grupeve atdhetare, ku janë prezantuar, fakte e dëshmi për të përndjekurit nga regjimi i ish RSFJ-së, kryesisht të dënuarit e Vushtrrisë me rrethinë, veçmas në vitet: 60-t-, 70-të, posaçërisht të vitit 1981 dhe në vazhdim,  deri te lufta e UÇK-së.

Lënda e shtjelluar, në këtë libër,  është e begatë me tema e përmbajtje të ndryshme, për shkak të përcaktimit të autorit, për të pasqyruar sa më shumë segmente të veprimtarisë atdhetare, në kohën dhe hapësirën, për të cilën është përcaktuar…

Libri ka 238 faqe, botoi Shoqëria “Lëvizje”, Prishtinë 2021.

 

( A. Q.)

Prishtinë

12 prill 2022

Kontrolloni gjithashtu

Shtëpia botuese “Bota shqiptare” nxori në dritë librin e autorit, Peter Lukas “Misioni Amerikan në Shqipëri”, përkthyer në gjuhën shqipe.

Shtëpia botuese “Bota shqiptare” nxori në dritë librin e autorit, Peter Lukas “Misioni Amerikan në Shqipëri”, përkthyer në gjuhën shqipe

Shtëpia botuese “Bota shqiptare” nxori në dritë librin e autorit, Peter Lukas “Misioni Amerikan në …