Brickos

Ahmet Qeriqi: Nga libri në dorëshkrim: “Kronika e Luftës- 29 maj 1998-24 qershor 1999” XII

Ahmet Qeriqi: Nga libri në dorëshkrim: “Kronika e Luftës- 29 maj 1998-24 qershor 1999” XII

Ndihma në artikuj ushqimorë  nga Krojmiri, për stafin e Radios-Kosova e Lirë (E hënë 12 prill, 1999)

 

Jam zgjuar i lodhur dhe i mërzitur tejmase. Sapo ndahem nga gjumi  dhe kontaktoj me realitetin më shfaqen ndjenja shqetësimi deri në fatalizëm. Frika se mos do të përsëritet Srebernica në Grykën e Shpëtimit më është bërë një obsesion i sëmurë, të cilin nuk ia shfaq askujt, por nuk arrij ta largoj nga mendja. Sa më shumë mundohem ta largoj nga mendja aq më shpesh më sillet në kokë fataliteti fare i mundshëm, meqë jemi të rrethuar nga bishat dhe kanibalët bashkëkohorë.

Para dite kam takuar Ramadani Rizanin, përgjegjësin e Shtabit Civil dhe kam kërkuar nga ai të më sigurojë një thes patate dhe një thes miell për punëtorët e Radios. Dani për veç se iu ka përgjigjur në vend kërkesave të mia ka angazhuar një bashkëfshatar, i cili me qerren e tij do të na përcjellë deri në Berishë.

Pa humbur kohë, pasi i ngarkojmë në qerre miellin, thesin me patate, shatorin që na e ka dhënë Besim Gashi dhe disa artikuj të tjerë, së bashku me Ramadanin, apo mësuesin Dan sikur e quajnë zakonisht,  dhe bashkëfshatarin të cilit ia harrova emrin nisemi në drejtim të Javurit. Duke qenë se rruga është në të përpjetë ne ecim pas qerres, deri në dalje të Javurit. Atje hipim në qerre dhe nisemi në drejtim të Kleçkës. Para Shtabit na ndalojnë ushtarët, meqë komandant Tahir Sinani kërkon që të kontrollohen lëvizjet duke urdhëruar  që nëpër Rrafshnaltë të ndalet qarkullimi i popullsisë.

Oficeri Tahir Sinani dukej shumë i lodhur dhe tejet i nevrikosur. Meqë kishim ndaluar për ta pritur një të njohur, ai na  jep urdhër të ikim sa më parë. E kuptoj se nuk më njohu dhe nuk desha t’ ia marr kohën.

Nisemi në drejtim të Berishës. Me qerren që e tërheq kali  kemi depërtuar deri te Rrezja e Baliqit dhe pasi i kemi shkarkuar patatet, miellin dhe artikujt e tjerë te xhipi i Radios, Ramadani dhe ai djali i Krojmirit kthehen në Grykën e Shpëtimit.

Pas pak takoj Nezir Myrtajn dhe Nusret Pllanën.

Ndërkohë bëhet e ditur se qysh herët në mëngjes forcat ushtarake dhe policore serbe kanë filluar të sulmojnë në drejtim të fshatrave Gjergjicë, Negroc, Abri, Tërdec, Vuçak, Krajkovë, Baicë, Domanek, Shturbullovë, Likoc… Nuk dihet për fatin e popullatës. Dikush thotë se popullatën civile serbët e kanë ngujuar në fabrikën e Feronikelit, dikush tjetër jep alarmin duke se  janë masakruar të gjithë…

Edhe sot si zakonisht e kemi përgatitur dhe transmetuar me kohë emisionin informativ 15 minuta. Informatat po i shkruajmë me makinë shkrimi dhe pastaj  sipas radhitjes Nusret Pllana po i lexon drejtpërdrejt në studion bunker në maje të Pallanikut.

Në mbrëmje kemi shkuar në shtëpinë tanimë të braktisur dhe të granatuar të Rizah Berishës. Nuk po arrijmë të ndahemi nga atje edhe pse të gjithë jemi të vetëdijshëm se ajo shtëpi është identifikuar dhe është në shënjestër.

Do të bëjmë përpjekje që sa më parë të rregullojmë tendat në Rrezen e Baliqit, dy kilometra afër vend-transmetimit në Pallanik. Atje do të i vendosim edhe rrobat dhe tani e tutje më nuk do të duhej të rrezikonim pa nevojë, edhe pse pa rrezik nuk jemi askund.

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Kongresi amerikan ka votuar, pro intervenimit të NATO-s kundër Serbisë. Holbruk i ka dhënë autorizimet e caktuara Havier Solanës. (23 mars, 1999)

Ahmet Qeriqi: Kongresi amerikan ka votuar, pro intervenimit të NATO-s kundër Serbisë. Holbruk i ka dhënë autorizimet e caktuara Havier Solanës. (23 mars, 1999)

Sot është dita e katërt prej fillimit të ofensivës së përgjithshme të forcave armike. Luftëtarët …