Vështrim për romanin “Koha e jeniçerëve”, të autorit, Ahmet Qeriqi

Pasurisë së çmuar të letërsisë shqiptare iu shtua edhe një margaritar që ndriçon vlera të shquara historike, letrare e artistike të përhapura në dritën e pikëvështrimeve dhe ideve që na dalin nga romani, “ Koha e jeniçerëve”, botuar nga Radio-Kosova e lirë, në Prishtinë, shkruar nga shkrimtari dhe veprimtari i palodhur, Ahmet Qeriqi, i cili i shfrytëzon pa mëdyshje të gjitha energjitë e tij fizike, mendore e shpirtërore për të na dhënë një pasuri të madhe dhe të pazëvendësueshme, kombëtare e njerëzore, duke na ushqyer shpirtërisht, duke u bërë kështu ndër udhërrëfyesit dhe dritë përhapësit e rëndësishëm të çështjes shqiptare. 

Veprimtaria e tij shtrihet në drejtime të shumta edhe me vepra letrare, me studime mbi letërsinë, gjuhësinë, historinë, në gazetari, por dhe në veprimtari të tjera të shumta, që kanë vlerat më të mira të nektarit shqiptar. Veprimtaria e tij ka shkëlqyer edhe në kuptimin e plotë si një nga atdhetarët e shquar, duke shfaqur të tëra dijet dhe aftësitë edhe si mësimdhënës, por edhe si veprimtar që nuk e kurseu aspak veten, duke dhënë kontribut kombëtar e njerëzor edhe me shokët edhe me nxënësit edhe me të afërmit, e me njerëzit të tjerë, duke u organizuar e vepruar gjithnjë në shërbim të Atdheut dhe të ribashkimit të tij.
Ahmet Qeriqi shfaqi të gjitha dimensionet e përkushtimit njerëzor e kombëtar edhe në burg, ku e kishin futur regjimet okupatore në të kaluarën. Pas dy romaneve të mëparshme: “Meditime në arrati” dhe romanit të dytë: “Burgu” , romani i tretë: “Koha e jeniçerëve”, doli në dritë po aq me sukses ashtu sikur dolën edhe dy romanet e para.
Ahmet Qeriqi duke qenë një studiues i zellshëm, duke pasur njohuri shkencore të shumta jo vetëm letrare e gjuhësore, por edhe historike, politike, psikologjike, sociale, estetike e filozofike, duke i shfrytëzuar ato maksimalisht dhe duke i shtuar edhe prirjen për të shkruar me një shije e bukuri të veçantë artistike, duke i shfrytëzuar edhe mençuritë e tregimet popullore, është shumë e natyrshme që na ka dhënë vepra letrare me vlera të çmuara artistike. 
Ai ka ditur mirë të gdhendë personazhet e heronjtë e veprës letrare, ka ditur shumë mirë të pasqyrojë botën e tyre shpirtërore, të futet të thellësitë e mendimit filozofik e psikologjik, në skutat e mendjes, duke i përshkruar veprimtaritë e tyre. 

Personazhe të veprës ”Koha e jeniçerëve” 

Selim jeniçeri, apo Selim agai është padyshim një personazh kompleks i zbërthyer me shumë sukses në veprën: “Koha e jeniçerëve”. Ai mprehtësinë e mendimit e kishte të trashëguar e të fituar në vendlindjen e tij, në Drenisën arbërore, ndërsa dinakërinë e kishte fituar nga egërsia pushtuese turke, forcën, kalitjen dhe zhdërvjelltësinë nga stërvitjet në poligonet ushtarake, ku ishte përgatitur egërsisht për të udhëhequr e urdhëruar vartësit, ushtarët dhe popullin. Ja si shprehet vetë autori i veprës letrare për Selim again: “ Turma kishte mbetur e tmerruar nga frika. Selim agai ishte sinonim i njeriut më të lig dhe më të ashpër të kohës. Ishte i vrazhdë deri në barbari. Ndëshkonte egërsisht, por kishte edhe disa veti të mira morale. Nuk flitej të kishte prekur erzin e ndonjë gruaje apo vajze të krahinës. Kjo ishte e vetmja cilësi e tij njerëzore e morale… “ Romani: “Koha e jeniçerëve”, faqe 19. 
Figura e tij del edhe më e plotë në faqet të tjera të romanit : “Koha jeniçerëve” “Për Selim aganë, të gjithë njerëzit ishin bisha, por ai veten e konsideronte luan, një bishë superiore, që nuk i frikësohej çakejve dhe ujqërve… 
” Faqe 134 “ Selim Agai nuk kishte mëshirë. E pamëshirshme ishte treguar edhe jeta ndaj tij…” faqe 134. 
Ai ishte një jeniçer që e kishin përgatitur pushtuesit turq, në mënyrën më të pamëshirshme kundër të krishterëve, duke ia futur thellë në ndërgjegje idenë se kaurrët në çdo lloj mënyre duhet të islamizoheshin, qoftë edhe me dhunën e tmerrshme të egërsisë, pavarësisht se në Kur’an thuhet se njerëzit duhet të binden për t`u bërë myslimanë e ndërsa dhuna të mos ketë vend për të realizuar këtë qëllim. Ai vepro pareshtur kundër njerëzve të gjakut të tij, duke bërë krime nga më të ndryshmet, sepse arsyeja ishte errësuar në kokën e tij, ndjenja e përkatësisë arbërore nuk i përkiste këtij agai, si luan, dashuri ndaj vendit të tij nuk kishte edhe pse e dinte se ishte nga Ludoviku, prej nga e kishin marrë pushtuesit turq si fëmijë fare të vogël dhe e kishin çuar në Turqi, edhe pse dinte se gati të gjithë anëtarët e familjes ia kishin prerë e vrarë në mënyrën më mizore. Ai e dinte se e kishte diku një motër të martuar në ato anë. Atij i kujtoheshin ato ngjarje të llahtarshme në Ludovik, por kur dëgjonte gajdet e barinjve i kujtohej vëllai i tij Gjergji, kur e drejtonte tufën e berrave, kur magjepsnin tingujt e veglave muzikore që përhapeshin në malet e lugjet e vendit. 
Për të kishte rëndësi pushteti, detyra, besueshmëria që i kishte dhënë Stambolli. S`ka fare dyshim se Selim jeniçeri na paraqitet në roman si një personazh negativ, megjithëkëtë ndokush mund të mendojë se atij në njëfarë mënyre mund t`i zbehet negativiteti, meqë kujtohet se ishte nga ato anë, dinte për krimet turke në fshatin e tij, ndaj familjes së tij, e kujton vëllanë Gjergjin, madje ka edhe raste kur ka shpëtuar fëmijë të vegjël gjatë luftimeve në vende të ndryshme, kur i ka lëshuar në male a vende të tjera, sepse e kujton fëmijërinë e tij, kur e kishin rrëmbyer turqit, kujton motrën tij, madje nuk e kishte prekur aspak moralin e femrave shqiptare, si Marigën vajzën e bukur të asaj ane, që njihej edhe si valltare e trajton si të familjes, edhe pse e kishte marrë afër vetes dhe kishte mundësi të bënte ç`të donte me të, madje mund ta bënte edhe gruan e tij, por gjaku nuk lë t`i afrohej, ndërsa më vonë e kupton se ajo ishte e mbesa e tij, vajza e motrës, të cilën më pas e marton me besnikun e tij Uruç Zanin nga Tepelena. Por, përse i bëri gjithë ato krime të shëmtuara e të egra shtazarake ndaj popullit të tij? 
Këto e shumë e shumë pyetje të tjera, natyrisht se kanë përgjigjen e saktë. Ai e kishte shitur edhe shpirtin e tij, ai tanimë s`kishte aspak mëshirë, ishte kthyer në një bishë të tërbuar për hir të lavdisë të interesave të tij e të pushtuesve turq. Selim agai, ky jeniçer i tërbuar, mizor shpirtkazmë nga ana shpirtërore s`ka si të mos na i kujtojë edhe të gjithë ata shqiptarë, bashkëpunëtorë të të gjitha regjimeve okupatore, të cilët ashtu si edhe Selim agai e flisnin shqipen, por shpirtin e kishin të shitur dhe vepronin pa hezituar duke i dëmtuar në mënyrë të pallogaritshme interesat popullit dhe Atdheut të tyre. 
Duke paraqitur figurën komplekse antiarbërore të Selim agait, Ahmet Qeriqi e godet në mënyrë të drejtëpërdrejtë të gjithë sojin e tradhtisë, të gjithë ata bashkëpunëtorë e veprimtarë shqiptarë të zhytur këmbë e kokë në batakun antishqiptar, madje të gjithë llojin e verbërisë tradhtare e mizorisë në botë. Veç të tjerave edhe kjo është edhe një meritë e kësaj vepre letrare. Madje jo vetëm kaq, por edhe në kuptim njerëzor, shëmtia e këtij agai përshkon urrejtjen e madhe ndaj bishave të tilla, që nuk janë të pakët edhe sot, në Kosovë apo në viset të tjera shqiptare, të cilat qenë nën Jugosllavinë e atëhershme. 

Pasqyrimi i faktografisë historike në rrezatimin letrar artistik

Romani “Koha e jeniçerëve” është vepër historike letrare, e cila hedh dritë për të kuptuar fare mirë pozitën e shqiptarëve në fund të shek. 17 dhe fillim të shek .18. Duke folur me gjuhën e bindjes historike dhe me përkushtimin letrar – artistik Ahmet Qeriqi na ka dhënë të gjallë botën shqiptare të kësaj kohe, kur një pjesë e madhe e shqiptarëve apo arbërorëve po e ndërronin fenë e krishtere dhe po bëheshin myslimanë. Na paraqitet gjendja morale, zakonore, sociale, psikologjike, ndërtimi, natyra e bukur, malet e fushat e bukuritë të tjera e të shumta shqiptare. Nëpërmjet përshkrimeve artistike e reale, të cilat së bashku me faktet historike japin vlera të çmuara romanit dhe radhisin si një nga veprat, më të rëndësishme të letërsisë së sotme shqiptare. 
Në qoftë se do të ndaleshim, qoftë edhe pak, pikërisht te ndërrimi i fesë do të kuptonim shumë qartë se linjën e dhunës e detyrimit për t`u bërë shqiptarët myslimanë e përfaqëson në roman Selim agai dhe pushteti i tij i egër e barbar, ndërsa linjën e butësisë dhe mirësisë e përfaqëson mulla Ibrahimi, një personazh ky pozitiv, i cili për shkak të bindjeve të tija dhe për qëllimet e veprimeve të tija njerëzore bie theror nga dhuna çnjerëzore e Selim agait. 
Mulla Ibrahimi ishte një arbëror nga një pjesë e jugut të Shqipërisë. Ai kishte ndjenja të theksuara dashurie ndaj njerëzve të gjakut e gjuhës arbërore. Ai sillej but dhe me dashamirësi ndaj njerëzve, kudo shfaqte respektin dhe nuk pranonte aspak dhunën e pushtetit turk. Edhe me Selim again sillej mjeshtërisht, duke u mbështetur edhe në disa pjesë të mësimeve fetare që e përjashtonin dhunën. Ai ishte dhjetë vjeç dhe i kujtohej mirë rasti kur e kishin rrëmbyer turqit, kur xhelati turk ia kish prerë babanë në Manastir, prandaj duke jetuar me dhimbjen e madhe për prindërit , vëllezërit, motrat e xhaxhallarët e tij, s` ka si të mos sillej me dhembshuri ndaj njerëzve të gjakut arbëror edhe në Drenisë. Për më tepër dashurinë dhe respektin ndaj tij e shfaqnin të gjithë të krishterët e asaj ane. Mulla Ibrahimi, apo hoxhë Janxhiku në mirëbesim të plotë po i tregonte Gjon Lekut, këtij prijësi luftarak e shpirtëror të të krishterëve shqiptarë të asaj ane, tragjedinë e familjes së tij, se si e kishin rrëmbyer turqit dhe më pas e kishin dërguar në medrese e më vonë me shërbim si hoxhë, aty në Drenisë. Ai i lutej Gjon Lekut të bëhej mysliman formalisht për ta shpëtuar familjen. Gjoni nuk pranoi, por respektin dhe dashurinë vëllazërore ndaj hoxhës gjithnjë e kishte të ngrohtë. Nga kjo arrihet në përfundim se pjesa shqiptarëve që u myslimanizuan nuk e ndërruan fenë me dëshirë, edhe pse pati edhe të tillë, shumica nuk menduan aspak se feja islame ishte më e mirë, pra ata nuk ishin aspak të bindur në fenë e re, por ishte dhuna e pushtetit turk e presionit ekonomik, shantazheve, intrigave, kurdisjeve të projekteve djallëzore turke, që realizuan pjesërisht planin për islamizimin e shqiptarëve. 

Qëndresa dhe shpirti luftarak i drenisarëve në romanin “Koha e jeniçerëve” 
Në roman, natyrisht na paraqitet edhe qëndresa dhe shpirti luftarak i popullit shqiptar, shembulli më i mirë i tyre është përshkruar edhe në roman nëpërmjet udhëheqësit Gjon Leku, i cili kishte marrë pjesë në kryengritjen antiosmane, që e kishte organizuar gjenerali austriak Pikolomini në aleancë me shqiptarët, austriakët, magjarët, serbët e bullgarët. Në këtë aleancë u shqua edhe Pjetër Bogdani, i cili i kishte yshtur në luftë forcat shqiptare dhe të krishterët të tjerë kundër pushtuesve turq. 
Në roman na paraqiten disa fakte, kur në këtë kryengritje marrin pjesë shqiptarët edhe në anën e Pikolominit edhe një pjesë në anën e ushtrisë turke. Këtu mbase do t`ia vlente të ndaleshim pak. 
Është një dukuri e shëmtuar marrja pjesë e një numri jo edhe i vogël i pjesëtarëve të popujve të pushtuar në anën e armikut. Në këtë rast autori i romanit: “Koha e jeniçerëve” e ka goditur mjaft mirë këtë shëmti, duke e paraqitur të vërtetën e pa mohuar se shumë pashallarë, udhëheqës ushtarakë e të tjerë në poste të ndryshme të Perandorisë turke ishin shqiptarë, siç qe Selim agai, ose Mustafa Qypërliu apo edhe të tjerë që punuan, vepruan e luftuan për lavdinë dhe përhapjen e Perandorisë turke, por edhe duke dëmtuar e goditur rëndë edhe popullin dhe atdheun e tyre. Kjo dukuri e shëmtuar është pjesë e vazhdimësisë, madje deri edhe në ditët tona. Shqiptarë të ligj, pa dinjitet, tradhtarë që nuk ngurruan fare të punojnë edhe për lavdinë e forcën pushtuese të Jugosllavisë e të Serbisë apo edhe Greqisë pati e madje ka edhe sot e që një pjesë prej tyre janë akoma gjallë. Madje ka të tillë që vetëm amin bëjnë para ndërkombëtarëve, pa e lodhur fare mendjen se po punojnë e veprojnë kundër aspiratave të natyrshme të ribashkimit të kombit e atdheut. Shpata artistike e shkrimtarit dhe veprimtarit të palodhur Ahmet Qeriqi e ka goditur këtë lloj të shëmtuar njerëzish që kanë lënë faqe turpi në historinë e popullit të tyre. 

Gjuha, dialogjet dhe mjeshtëria e përdorimit të tyre

Gjuha e autorit të këtij libri është e pasur, proza e tij është plot kolorite të bukurisë e dëlirësisë që rrjedh nga mençuria e përdorimit të këndshëm gjuhësor. Fraza e tij është plotësisht e qartë. Në fjalitë në prozën e tij nuk gjen zbrazëtira e kotësi, sa për të t`i plotësuar faqet. 
Mendimet e tij janë të natyrshme si rrjedha e ujit nga krojet malore. Ato të bëjnë për vete të fusin në ngjarje, të bëjnë për të menduar drejt, qartë, arsyeshëm, ndjeshëm, për të vepruar mbarë dhe për të qenë kurdoherë faqebardhë, dhe së fundi duhet thënë me plot të drejtë se proza shkrimet e fjala e tij të mrekullojnë. Dialogun e arbërorëve i ka paraqitur me të folmen e atëhershme të arbërishtes a po të shqipes së vjetër, siç thotë shkrimtari, në pasthënien e romanit,duke u bazuar sidomos në bazë të veprave të Bogdanit, Budit dhe Bardhit, duke i stilizuar e duke e sjellë të këndshme për lexuesin e sotëm. 
Shkrimtari veç të tjerave edhe me anën e kësaj të folme i ka dhënë rëndësi dhe bukuri romanit. Ka dëshmuar edhe një herë se të folmet dhe dialektet e shqipes atë kohë kanë qenë shumë të afërta. 

Halil Patrona, jeniçeri shqiptar që i tundi themelet e Perandorisë Osmane
Në romanin : “Koha e jeniçerëve” është shumë e natyrshme paraqitja e Halil Patronës në dritë, për të cilin kanë shkruar të huajt në historinë e tyre dhe janë botuar edhe romane libra të tjerë për të. Por historia e shkruar e shqiptarëve nuk e njeh sa duhet këtë kryengritës të përmasave të Spartakut të kohës romake. Ahmet Qeriqi me këtë rast sjellë sa e sa me argumente për të cilin historianët tanë nuk shkruajnë gati asgjë. Halil Patrona që përfaqëson kulmimin e kohës së jeniçerëve dhe kryengritësin më të madh të tërë periudhës së sundimit turk, ishte jeniçer që e kishin rrëmbyer turqit si shumë shqiptarë të tjerë, që kur kishin qenë fare të vegjël, por me një ndryshim të madh, sepse Halil Patrona nuk është jeniçer i zakonshëm, ai është njeriu që i tundi themelet e sulltanit, që luftoi për të drejta njerëzore, që sakrifikoi dhe la një emër të shquar në histori duke e detyruar edhe sulltan Ahmedin tretë të jap dorëheqje. 
Por le të ndalemi të figura e tij. Ai na paraqitet në roman pas betejës austriake- turke të vitit 1716, në Futog të Hungarisë, në të cilën kishte marrë pjesë, por turqit e humbin atë betejë dhe austriakët kishin zënë shumë robër dhe i kishin burgosur shumë jeniçerë e në mesin e tyre edhe Halil Patronën, Selim again e të tjerë. Ai së bashku me Selim again dhe shumë jeniçer arrijnë të arratisen nga burgu. 
Halil Patrona e shpreh shumë natyrshëm dashurinë ndaj njerëzve të gjakut e tij e të gjuhës amtare edhe pse e fliste pak arbërishten, por e kuptonte mirë. Ai i bënë vërejtje Selim agait të mos i quante arbërorët kaurrë dhe të sillej mirë me ta. 
Ja si e shpreh dhembjen për arbërorët e vuajtur: “ – Ne i shëbejmë Sulltanit, japim kokën për të dhe shih si jetojnë njerëzit e gjakut tonë” Faqe 204 – 2005. Ai i thoshte Selim agait se duhet t`ju japim atyre njerëzve lëmoshë. Ndërsa Selim agai e kundërshtonte. “ – Ti nuk e din çka është mëshira, Selim vëllai!” Shprehej Halil Patrona. Faqe 204. 
Në të vërtetë Selim agai nuk ishte tanimë ai sundimtari i dikurshëm, nuk e kishte më atë vrullin e zjarrin e mëparshëm, megjithatë ai ngeli aga e shërbëtor i devotshëm për Turqinë e sulltanin, derisa tërbimi i turqve nuk e kurseu as atë, prandaj edhe ai detyrohet të dalë maleve. 
Kur Halil Patrona e organizoi kryengritjen e masave popullore kundër sulltanit, i kërkoi ndihmë edhe Selim agait. Selim agai u tregua i gatshëm ta ndihmonte, madje ia dërgoi edhe besnikët e tij, por jo se kishte ndonjë vetëdije të duhur se duhet të luftohej sulltani dhe jo se kishte ndërgjegje të gjakut e të gjuhës arbërore, por vetëm e vetëm për ta ndihmuar shokun e tij të burgut. 

Lëvizjet e banorëve shqiptarë brenda për brenda trevave të tyre

Një moment tjetër me rëndësi është dhënë në kuptimin e plotë: lidhshmëria e kujtesës popullore me historinë, duke prezantuar në roman dëshmitë për sa i takon lëvizjes së disa pjesëtarëve të një pjese shqiptare në pjesën tjetër gjithashtu shqiptare. Nga fshatrat e Malësisë së Madhe, apo edhe të malësive të tjera tani të Republikës së Shqipërisë, kanë ardhur disa banorë në viset e Drenicës, apo të Dukagjinit dhe kanë gjetur aty vëllezërit e tyre të gjakut dhe të gjuhës, ashtu siç është e vërtetë se nga fshatrat a qytetet e Kosovës kanë shkuar disa familje, fjala vjen në Malësinë e Gjakovës a po edhe në malësitë të tjera për t`u strehuar dhe për t`i ikur ndjekjeve e arrestimeve dhe torturave të turqve ose edhe për ndonjë motiv tjetër. 
Këtu ia vlen të theksohet se propaganda shoviniste serbe është munduar në mënyra të ndryshme të argumentojë se gjoja të tërë shqiptarët e Kosovës janë me origjinë nga malësitë e Republikës së Shqipërisë dhe se gjoja Kosova ka qenë gjithnjë serbe. Por këto përpjekje të tyre kanë dështuar, sepse shqiptarët është dëshmuar me fakte kokëforta historike, se janë vendës në trojet e tyre stërgjyshërore edhe në Kosovë edhe në viset të tjera shqiptare që i pushtuan serbo – maqedono – malazezët. Është shumë e natyrshme që ka pasur lëvizje njerëzish nga disa vise në vise të tjera shqiptare, por ato kanë qenë lëvizje në territorin e Shqipërisë së natyrshme, prandaj këtu nuk asnjë të çarë ku mund të futen gënjeshtra, shpifjet, shëmtitë dhe falsifikimet serbe. 
Po të shikohen me realizëm të plotë faktet historike dhe po të ketë drejtësi Evropa që do të bashkohet, po që nuk po arrin të ketë gjykimin e shëndoshë në trajtimin e problemeve në Ballkan, Serbisë do t`i kërkohej llogari për krimet e shëmtuara çnjerëzore që i ka bërë mbi shqiptarët e viset e tyre. Shqiptarët nga ana e tyre do të duhej t`i kërkonin trojet e tyre që i kanë në Toplicë e gjer në Nish. 

Plaga e mërgimit dhe e dyndjes së dhunshme

Një plagë që kullon vazhdimisht, është plaga e mërgimit e pasqyruar edhe në romanin: “Koha e jeniçerëve”. Plaga e mërgimit është e rëndë e mundimshme e mbi të gjitha është një lloj vdekje për së gjalli. 
Të gjithë e dimë se ka aq shumë shqiptarë, të cilëve nuk ju dihet as numri, sa janë në shtete të ndryshme të Evropës, në Amerikë a vende të tjera qoftë si të ndjekur nga pushtuesit e për motive politike, qoftë për motive ekonomike dhe për motive të tjera. Për më tepër një numër i madh i tyre kurrë nuk janë kthyer në atdhe, një pjesë madhe janë asimiluar e një pjesë tjetër gjithashtu e madhe po shkon drejt asimilimit, prandaj Ahmet Qeriqi duke e përshkruar momentin e dyndjes së disa shqiptarëve nga rajoni i Drenicës jugore dhe vendosjen e tyre në afërsi të Nishit. Ai përmes fakteve historike dëshmon se dyndja dhe mërgimi është pikërisht një shuarje shpirtërore, një asimilim, një tretje e qenies shqiptare, një vdekje për së gjalli. Ashtu siç ndodhi me ata arbërorë që u shuan aty afër Nishit. Ata kishin ikur duke menduar se do të largoheshin për një kohë të shkurtër e në momentin më të përshtatshëm do të ktheheshin në vendlindjet e tyre. 
Por, ja si na flet autori i romanit nëpërmjet një fshatari të thjeshtë: “- Guri qi luen i herë prej veni s`ngulet dot ma askund! – shton një fshatar i Ndrenikut, që mbante anën e Gjon Lekut.” 

Përshkrimi i natyrës dhe bukurive të saj është një veçanti e shkrimtarit Ahmet Qeriqi. 
Edhe pse romani është historik, shkrimtari ka gjetur mjeshtërisht vend për të përshkruar natyrën e bukur të fshatrave të Drenicës jugore. 
Malet, fushat, lugjet, krojet, përrenjtë, ujëvarat, arat, lëndinat e të tjera janë bukuria e vërtetë natyrore, por kur shkrimtari, artisti i paraqet në vepra letrare dhe pamore marrin atë shkëlqimin e këndshëm kudo ku paraqiten ato vepra qoftë edhe në mes pallatesh të betonuara. 
Në përmbyllje të këtij shkrimi për romanin “koha e jeniçerëve: do të shtoja se romanet paraqesin vështirësi të mëdha për të kristalizuar punën e daljes në dritë. Romani: Koha e jeniçerëve si çdo roman i mirëfilltë e me vlera të shumta pasuron botën e lexuesve, sidomos të atyre që interesohen për të mësuar më shumë për të kaluarën e kombit e të Atdheut nën robëri.

Kontrolloni gjithashtu

Shqipëria fillon restaurimin e trashëgimisë kinematografike

Procesi i restaurimit të trashëgimisë kinematografike në Shqipëri ka një rëndësi të madhe për ruajtjen …