Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, ka paralajmëruar se do të nisë protesta nëse Kuvendi nuk ndërmerr masa për shkarkimin e kryetarit aktual, Dimal Basha. Në një komunikatë për opinionin publik, OVL UÇK bëri të ditur se Këshilli Drejtues i saj ka diskutuar zhvillimet e fundit dhe ka marrë vendime për hapat e ardhshëm. “Sot, në mbledhjen e Këshillit Drejtues të OVL UÇK, u diskutua çështja e Kryetarit të Kuvendit, Dimal Basha, dhe u morën vendime të rëndësishme lidhur me veprimet tona të mëtejshme”, thuhet në njoftim. Veteranët rikujtuan se më 28 gusht kanë kërkuar publikisht shkarkimin e Bashës, ndërsa një ditë më pas kanë dërguar letra zyrtare grupeve parlamentare dhe partisë që e ka propozuar atë, për të inicuar procedurën e shkarkimit. “Sipas vendimit tonë, nëse nuk iniciohet shkarkimi i Dimal Bashës kurdo që do të mbahet seanca e parë, protestat janë të pashmangshme për shkak të fyerjeve dhe shpifjeve që ai ka bërë ndaj UÇK-së në punimin e tij shkencor, së bashku me Jana Arsovskan”, thuhet në komunikatë. OVL UÇK ka theksuar se Ushtria Çlirimtare e Kosovës është krenaria e popullit dhe se askush nuk ka të drejtë ta njollosë atë.
