Sekretarja e përgjithshme e PDK-së, Vlora Çitaku, ka akuzuar kryeministrin Albin Kurti për sulme të vazhdueshme ndaj institucioneve të drejtësisë dhe mediave, duke thënë se kjo qasje po minon themelet e demokracisë në vend. Çitaku deklaroi se Kurti ka përdorur foltoren e Kuvendit për të targetuar me emër gazetarë dhe prokurorë që kanë raportuar apo zbuluar skandale korruptive të afërta me pushtetin. Sipas saj, ndërkohë që sulmohen ata që zbulojnë aferat, mekanizmi shtetëror po i mbron personat e përfshirë në skandale financiare. Ajo përmendi ambasadorin Martin Berisha, për të cilin tha se ka dëshmi për përfshirje në afera multimilionëshe, si dhe ish-drejtorin e KOSTT-it, Nagip Krasniqi, i cili përballet me aktakuzë, por vazhdon të mbrohet nga figura të larta të LVV-së. “Kjo qasje ka një synim të qartë — të de legjitimojë çdo institucion në Kosovë. Kur de legjitimohet Parlamenti, Prokuroria, Gjykata Kushtetuese, krijohet terren për kultin e individit ku vetëm një njeri, në këtë rast Albin Kurti, paraqitet si autoriteti i vetëm moral dhe politik,” tha Çitaku. Ajo paralajmëroi se kjo situatë rrezikon të çojë vendin drejt “fundit të demokracisë”, nëse qytetarët nuk mobilizohen në zgjedhjet e 28 dhjetorit për të krijuar një shumicë të re parlamentare.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
