Vlora Çitaku

Vlora Çitaku akuzon VV-në për bllokim: Kujtesa e luftës nuk është fushëbetejë politike

Sekretarja e Përgjithshme e PDK-së, Vlora Çitaku, ka reaguar ashpër pas mbledhjes së fundit të Kryesisë së Kuvendit, duke e cilësuar si situatë të paprecedentë dështimin për miratimin e rendit të ditës. Pengesë kryesore ishte refuzimi që një rezolutë e propozuar nga PDK – e cila synon trajtimin institucional të së kaluarës historike dhe nderimin e viktimave të luftës në Kosovë – të vendoset si pikë e parë e rendit të ditës. Çitaku theksoi se kjo çështje nuk duhet të trajtohet si temë politike apo përplasje partiake, por si një detyrim moral dhe shtetëror ndaj historisë dhe identitetit kombëtar. “Ajo që ndodhi është e papranueshme. Kujtesa jonë kolektive nuk mund të përdoret si mjet bllokimi apo kalkulimi politik. Është e pashpjegueshme rezistenca për ta trajtuar këtë temë me prioritet”, deklaroi ajo. Ajo shtoi se PDK kishte synuar që rezoluta të miratohej me konsensus të plotë ndërmjet grupeve parlamentare, duke e konsideruar këtë si një çështje që duhet të bashkojë dhe jo të ndajë skenën politike. Megjithatë, sipas saj, përfaqësuesit e VV-së kanë treguar “rezistencë të pajustifikueshme”, duke pamundësuar dakordimin për rendin e ditës. Në fund, Çitaku bëri të ditur se PDK nuk do të tërhiqet nga kjo iniciativë dhe do të kërkojë që rezoluta të trajtohet me prioritet absolut në seancat e ardhshme të Kuvendit. “Kjo nuk është betejë politike. Është përgjegjësi ndaj historisë sonë. Dhe për këtë nuk do të ndalemi,” përfundoi ajo.

Kontrolloni gjithashtu

Artan Behrami kërkon prioritet absolut për gjykimin në Hagë – kritika për rolin e institucioneve

Deputeti i PDK-së, Artan Behrami, ka kërkuar nga institucionet e Kosovës që çështja e gjykimit …