Sekretarja e përgjithshme e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, ka reaguar pas ngritjes së aktakuzës nga Prokuroria Speciale ndaj ish-ministres së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, në rastin e rezervave shtetërore, duke e cilësuar këtë si një tjetër dëshmi të kapjes së institucioneve nga vetë kryeministri Albin Kurti. Çitaku ka theksuar se Hajdari nuk ka marrë asnjë vendim të pavarur, pasi – sipas saj – çdo hap i saj në ministri është bërë vetëm pas miratimit të Kurtit. “Në fakt, Rozeta, sikurse edhe të gjithë kolegët e saj në kabinetin Kurti 2, nuk ka bërë as edhe një hap pa dijeninë dhe aprovimin e A.K. Ka qenë e qartë për këdo që A.K. nuk ka pasur ministra me mandat të plotë e me autoritet vendimmarrës. Ka pasur ndihmës, zbatues të urdhrave të tij,” – ka shkruar Çitaku. Reagimi i saj vjen menjëherë pas njoftimit të Prokurorisë Speciale, e cila ka ngritur aktakuzë ndaj Rozeta Hajdarit dhe tre personave të tjerë – Hafiz Gara, Irfan Lipovica dhe Ridvan Muharremi – për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe zbulim të fshehtësisë zyrtare në procesin e kontraktimit të rezervave shtetërore. Sipas Çitakut, përgjegjësia politike nuk mund të kufizohet vetëm te ish-ministrja, pasi, siç tha ajo, “në këtë qeveri, çdo vendim është marrë me dijeninë, urdhrin dhe miratimin e vetë Albin Kurtit.”
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
