Wesley Clark në Hagë: “Thaçi nuk ishte komandant ushtarak, nuk kishte informacion për objektivat në terren”

Gjatë dëshmisë së tij në gjykatën speciale në Hagë, gjenerali amerikan Wesley Clark ka folur edhe për takimet që ka pasur me Hashim Thaçin gjatë periudhës së luftës në Kosovë, duke theksuar se, sipas vlerësimit të tij të atëhershëm, Thaçi nuk kishte rol komandues ushtarak. Clark tregoi se kontaktet e tij me Thaçin ishin kryesisht politike dhe se ai nuk dispononte njohuri të detajuara për operacionet ushtarake në terren. “U takova me Thaçin para fillimit të fushatës së bombardimeve. Ai ishte një prej personave me më shumë autoritet, një figurë bindëse dhe ndër më të rinjtë. Ishte i veshur mirë, jetonte në Zvicër dhe fliste pak anglisht. Komunikimi ynë ishte i vështirë sepse flisja pak gjermanisht,” deklaroi Clark. “Ai nuk ishte komandanti ushtarak.” Gjenerali amerikan tregoi se gjatë takimit të tyre të tretë kishte kërkuar ndihmë nga Thaçi për identifikimin e objektivave serbe, por nuk kishte marrë asnjë informacion. “E kërkova ndihmën e tij, por nuk morëm asgjë. Ai nuk kishte idenë se çfarë po ndodhte në terren,” tha Clark, duke theksuar se kjo e forcoi bindjen se Thaçi nuk ishte i përfshirë në drejtimin e operacioneve ushtarake. Ai shtoi se sfida kryesore e NATO-s në atë kohë ishte mungesa e forcave tokësore që do të mund t’i jepnin intel konkret në terren. “Ne mbështeteshim vetëm në fushatën ajrore. Qëllimi ynë ishte të shmangnim objektivat civile dhe të godisnim vetëm forcat ushtarake serbe. Por pa një forcë tokësore, informacioni që kërkonim ishte i kufizuar,” shpjegoi Clark. Dëshmia e Clark-ut,  konsiderohet një nga paraqitjet më të rëndësishme të mbrojtjes në procesin ndaj Thaçit, pasi lidhet drejtpërdrejt me rolin e tij të supozuar ushtarak gjatë luftës.

Kontrolloni gjithashtu

Shqipëria hap grup-kapitullin e fundit të negociatave me BE-në më 17 nëntor

Shqipëria do të hapë zyrtarisht të hënën, më 17 nëntor 2025, grup-kapitullin e fundit të …