Wesley Clark në Hagë: Vrasja e Jasharajve paralajmëroi luftën, Bush i kërkoi Millosheviqit ndalimin e dhunës

Ish-komandanti suprem i NATO-s, gjenerali amerikan Wesley Clark, ka nisur dëshminë e tij në Hagë si dëshmitari i fundit i thirrur nga mbrojtja e ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.  Gjatë seancës, Clark është rikthyer në kohën kur u raportua për vrasjen e familjes Jashari, ngjarje që në vitin 1998 tronditi opinionin ndërkombëtar dhe shënoi një përshkallëzim vendimtar të konfliktit në Kosovë. Ai tregoi se gjatë një vizite inspektuese në Maqedoni, ambasadori amerikan në Shkup, Chris Hill, e kishte njoftuar urgjentisht se presidenti i Maqedonisë kërkonte ta takonte për shkak të situatës së krijuar pas lajmeve për masakrën. “Sapo arrita, presidenti Gligorov më tha se vrasja e Jasharajve do të nxisë konflikt. Ai më tha se shqiptarët nuk do ta pranonin atë që kishte ndodhur dhe se do të rezistonin,” deklaroi Clark, duke cituar paralajmërimin e kreut të shtetit maqedonas së asaj kohe. Në vijim, Clark ka zbuluar edhe një komunikim të ashpër të administratës amerikane me regjimin e Millosheviqit. Ai tha se presidenti George H. W. Bush i kishte dërguar një paralajmërim të drejtpërdrejtë Millosheviqit, përmes tij dhe diplomatit Richard C. Holbrooke, lidhur me dhunën sistematike ndaj shqiptarëve të Kosovës. “Presidenti Bush i kërkoi Millosheviqit ndalimin e menjëhershëm të dhunës, përndryshe SHBA-ja do të kundërpërgjigjej. Ky mesazh ishte i qartë dhe përdorej nga strukturat ushtarake për të frenuar represionin ndaj popullatës shqiptare,” u shpreh Clark. Sipas tij, Millosheviqi kishte refuzuar të diskutonte këtë paralajmërim, duke e quajtur situatën “çështje të brendshme”. “E kontaktuam së bashku me Holbrooke, por ai tha: ‘Është shteti im, problemi im’. Ai nuk dëshironte të hapte asnjë bisedë,” theksoi Clark.

Kontrolloni gjithashtu

Milazim Krasniqi reagoi ashpër ndaj deklaratës së Hysamedin Ferajt

Deklarata e këshilltarit të Kryeministrit Albin Kurti, Hysamedin Feraj, i cili i cilësoi PDK-në dhe …