Wesley Clark

Wesley Clark pritet të dëshmojë në Hagë në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së

Ish-komandanti suprem i forcave të NATO-s gjatë fushatës ajrore të vitit 1999, gjenerali amerikan Wesley Clark, pritet të japë dëshminë e tij në gjykatpn speciale në Hagë, në procesin gjyqësor ndaj Hashim Thaçit dhe ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Gjykata ka konfirmuar se dëshmia e Clarkut është autorizuar nga qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe pritet të ketë rëndësi të madhe për fazën mbrojtëse të procedurës, që tashmë ka hyrë në vitin e gjashtë. Clark udhëhoqi operacionet ajrore të NATO-s kundër forcave serbe në vitin 1999, me qëllim ndalimin e spastrimit etnik ndaj popullsisë shqiptare në Kosovë. Ai kishte theksuar publikisht gjatë luftës se UÇK-ja, po përpiqej të mbronte civilët e zhvendosur dhe se regjimi i Slobodan Milosheviqit po zbatonte plane të spastrimit etnik. Ndërhyrja e NATO-s, e cila zgjati 78 ditë, çoi në tërheqjen e forcave serbe nga Kosova dhe vendosjen e administratës ndërkombëtare në vend. Clark mbetet një figurë e respektuar në Kosovë për rolin e tij gjatë atyre zhvillimeve. Pas përfundimit të luftës, ai ka mbajtur kontakte me drejtuesit politikë dhe ushtarakë të Kosovës. Clark ka vlerësuar publikisht kontributin e Hashim Thaçit në procesin e çlirimit, të cilin e ka cilësuar si një figurë kyçe të asaj periudhe. Gjeneral Clark është dëshmitari i fundit i mbrojtjes në procesin kundër Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit. Ai pritet të paraqitet në seancë më 19 nëntor. Dëshmia e Clarkut pritet të kontribuojë në vlerësimin e rrethanave të luftës në Kosovë dhe rolit të UÇK-së në mbrojtjen e civilëve gjatë konfliktit.

Kontrolloni gjithashtu

Specialja lehtëson masat për një vizitor të HashimThaçit, kufizimet mbeten për 10 të tjerë

Në gjykatën speciale në Hagë, është marrë vendim që vetëm njërit prej 11 personave t’i …