Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës, Xhavit Haliti, ka deklaruar se nuk është problem që përfaqësues të PDK-së të marrin pjesë në takimin konsultativ të thirrur nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti, për konstituimin e Kuvendit të ri. Sipas tij, çështja thelbësore nuk qëndron tek pjesëmarrja, por tek përmbajtja e diskutimeve dhe ofertat që do të prezantojë Kurti. PDK nuk prish punë nëse shkon në takim kryetari i PDK-së, ose ai që e autorizon kryesia. Problemi është se çfarë përgjigje do t’i jepet Albinit dhe çfarë do të ofrojë ai, u shpreh Haliti në një intervistë për Tëvë1. Ai vlerësoi se ftesa e kryeministrit në detyrë ishte “jo e ngrohtë”, duke sugjeruar se një ftesë nga presidentja Vjosa Osmani do të kishte qenë më e përshtatshme dhe do të kishte nxitur një përgjigje më pozitive nga subjektet politike. Secili subjekt ka integritetin e vet dhe përgjegjësi ndaj elektoratit, tha Haliti.
