Xhemajl Pllana: Helmimet e nxënësve të shkollave të mesme në Kosovë – pranverë, 1990

Xhemajl Pllana: Demonstratat e grave dhe vajzave të Pantinës, më 23 mars të vitit 1989, tronditën okupatorin serb

Se gruaja shqiptare, ka luftuar krah për krah me burrin,kemi dëshmi të shumta, gjatë gjithë historisë tonë kombëtare. Femra shqiptare është dëshmuar për sakrificat më sublime,në të gjitha etapat e historisë tonë, të vjetër e të re për t’u çliruar nga prangat e okupimit shekullor. Shembullin e Shotë Galicës, Marie Shllakut, Hyrije Hanës etj,etj. e kanë vazhduar gratë dhe vajzat tona nëpër demonstrata e protesta, nëpër burgje,e deri te lufta në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës,duke rënë dëshmore të kombit si: Xhevë Lladrovci, Fatime Hetemi, Antigona Hajrizi e shumë e shumë të tjera.

Demonstrata e grave dhe vajzave të Pantinës tronditi okupatorin serb 

 Më 23 Mars 1989, Kuvendi i Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës nën presionin e UDB-ës, serbe, votoi amandamentet për suprimimin e Autonomisë së KSA të Kosovës.  Ky veprim antishqiptar, u pasua me protesta e demonstrata të shumta, të cilat u shuan me dhunë, me gjak e me burgje për rininë dhe popullin shqiptar. Po në këte ditë, policia serbe, dëboi me dhunë dhe me gaz lotsjellës dhe nxënësit e shkollës fillore “Gjergj Kastrioti Skenderbeu” të Pantinës. E gjithë kjo orgji shoviniste antishqiptare serbo-jugosllave, nxiti një organizim e demonstrim spontan të grave trimëresha të lagjes Shaqiri të Pantinës. Dhe këtij organizimi e demonstrimi po i prinin, grate dhe vajzat sypatrembura të këtij fshati si:; Fatime Shaqiri me kunatën, Zojë Shaqiri (Nailja), Hana Shaqiri, Halide Shaqiri dhe Arife Shaqiri, të cilat iu bënë thirrje të gjitha grave të lagjes për t’iu bashkuar demonstratës.

Kësaj thirrjeje iu bashkangjitën shumica e grave të lagjes Shaqiri si: Luljeta Salihu,Metije Hasani, Rahime Hasani dhe Ganimete Salihu me vajzat e tyre: Lumnije, Nebahate, Sadije, Merita, Selvije, Ardiana e Ferdane Shaqiri.

Gjatë rrugës demonstratës iu bashkuan edhe disa gra të familjeve të Morinëve nga Akrashtica dhe shumë nxënëse e nxënës të shkollës,të cilët ishin ndjekur nga shkolla. Marshimi i grave ka vazhduar mbi 3 km,duke filluar nga Pantina,nëpër Akrashticë,Shtruerë (Shtitaricë). Afër qesmës së Zotnisë”(shtruerë),policia i kishte ndaluar, duke kërkuar shpërndarjen e tyre. Ndërsa turma e demonstruesve kishte arritur të vazhdonte marshimin deri te stacioni hekurudhor i Vushtrrisë. Parullat kryesore të grave dhe vajzave të Pantinës ishin: “Nuk e japim Kushtetutën”, ”Ja vdekje ja Liri”,”Kosova Republikë”etj. Ky organizim i papritur e kishte alarmuar pushtetin e kohës,dhe shpejt e  shpejt ishin vërsulur forcat policore serbe,të cilat, për të shpërndar turmën e grave demonstruese, kanë filluar të hedhin dhe gas lotsjellës. Duke hasur në vështirësi për t’i shpërndar demonstruesit,ishin angazhuar dhe udhëheqës të komunës si:Sali Mulaku,Sabit Beqiri Musa Meholli dhe aktivistë të tjerë LKJ. Kjo demonstrate ka zgjatur mbi tre orë (11-14).Të nesërmen filluan arrestimet dhe burgosjet e disa prej grave më të zëshme të Pantinës.    Ato u akuzuan dhe u dënuan për vepër penale,”Cënimi kontrarevolucionar i rregullimit shoqëror nga neni 114 i Ligjit Penal të Jugosllavisë”. Gjykata e Qarkut e Mitrovicës në proceset e mbajtura gjygjësore në verën e vitit 1989,i akuzoi se “Në mënyrë aktive kanë marr pjesë në demonstratat armiqësore të organizuara nga nacionalizmi dhe irredentizmi shqiptar” dhe i dënoj si vijon:   1.Fatime Xh Jashari-Shaqiri,nga fshati Sumë (Pasomë),me v.b.në Pantinë, 2 muaj burg, 2.Zoja A Shaqiri,nga fshati Koshtovë, me v.b.Pantinë, 2 muaj burg, 3.Luljeta Q Salihu,nga Mitrovica,me v.b.Pantinë,40 ditë burg, 4.Metullahe (Metije) R Hasani, nga fshati Vërrini,(Vërnica),me v.b.Pantinë,2 muaj burg,5.Rahime Q Hasani,nga fshati Buçaj,(Tërllabuq),  me v.b.në Pantinë, 2 muaj burg,6.Sadije Rexha,nga fshati Pantinë, 40 ditë burg.

Gratë e Vushtrrisë, kishin protestuar edhe më 1945, para zyrës së OZN-ës,në Vushtrri

Menjëherë pas luftës së dytë botërore dhe krijimit të RFSJ-së,po zbatohej tradhtia ndaj popullatës shqiptare,e cila ishte rreshtuar dhe  kishte luftuar në krahun e koalicionit antifashist,me qëllim të vetëvendosjes pas luftës. Mirëpo ndodhi e kundërta, pasuan, përndjekjet,burgosjet, vrasjet e masakrat e përditshme.  Prandaj më 8 Mars 1945,para ndërtesës së OZN-ës, në Vushtrri,rreth 300 gra trimëresha,të komunës së Vushtrrisë,u organizuan dhe protestuan për lirimin e bijve,vëllezërve dhe burrave të tyre nga burgu. Në këtë protestë po prinin këto gra dhe vajza trimëresha:Igballe Fonda, Rukije Saraqi, Xhyzide Badivuku, Hajrie Xërxa, Faire Lutfiu, Haxhere Hoxhaxhiku, Hajrie Nevolani, Shahzade Nevolani, Hamide Buçinca, Nafije Kollari, Nona Gërguri, Myradije Badivuku e Zade Mikullovci me shoqe, të cilat paraqiten kërkesat e tyre,për lirimin e bijve, vëllezërve dhe burrave, që po torturoheshin e po masakroheshin për çdo natë. Me këte rast burgosen: Igballe Fonda,Rukije Saraqi,Xhyzide Badivuku, Hajrie Xërxa,dhe Zade Nevolani,të cilat u hetuan dhe u torturuan,me qëllim të zbulimit të organizatorit.Ndërsa, Igballe Fonda dhe Rukie Saraqi, para burgut iu kishin drejtuar shoqeve të tyre : “Gra, tregoni se organizatore të protestës jemi ne dhe asnjë fjalë tjetër, mos lejoni që t’ju frikësojnë, nuk kanë çka na bëjnë, nëse ka nevojë do të vdesim, siç kanë vdekur burrat, djemtë, vëllezërit dhe baballarët tanë,por u turpëruar e frikësuar”!

Gratë dhe vajzat e Vushtrrisë u dëshmuan,edhe më 1981,1989 dhe në luftën e UÇK-së

Në demonstratat e Pranverës së vitit 1981,vajzat tona iu kanë prirë demonstratave masive të 2 dhe 3 Prillit. Ndër të tjera,më aktive kanë qenë: Dinore Curri,Afërdita Dervishi, Makfire e Hanife Makiqi, Natyra Haziri Miradije Bejtullahu,Myrvete Haliti, Fatime Haliti, Hafije Durmishi, Fatmire Kutllovci, Xhylsheme M. Pllana e shumë të tjera. Në vitin 1981 janë burgosur dhe janë dënuar: Dinore Curri, me 13 vjet burg, Afërdita Dervishi (ish nxënëse), u mbajt për 60 ditë në burg. Në vitin 1989, arrestohet dhe dënohet me 2 vjet burg, Sevdije Shyti – Azemi,e cila mori pjesë aktive në demonstratën e 23 Marsit 1989 në Mitrovicë (motër e dëshmorit Mustafë Shyti, e martuar në Zhabar) dhe Fatmire H Kutllovci, nga fshati Tushilë, me v.b. në Rrafshmir (Dobërllukë), u dënua me 1,5 vjet burg. Me rastin e këtyre demonstratave,shumë gra e vajza të tjera janë burgosur, janë hetuar. Edhe në luftën e UÇK-ës,kemi shembuj të shumtë të pjesmarrjes dhe të luftës heroike të vajzave e grave tona si p.sh.: Myrvete Hasani,nga fshati Shtruerë (Shtitaricë), ishte luftëtare sypatrembur e UÇK-ës,ajo luftoj me guxim e trimëri të pashoqe,deri në çlirimin e plotë të Kosovës.Pastaj gra e vajza,mjeke e infermiere,të cilat kanë shërbyer,kush më shumë e kush më pak në Qyqavicë, në Ashlan e në Shalë të Bajgorës. Të tilla kanë qenë: Dritë Simnica, Fatime Hyseni, Valbona Hajrizi, Shqipe Arifi, Mabere Krasniqi, Resmije Krasniqi, Sanije Krasniqi, Qefsere Bajrami, Flutur Maloku, Shukrije Krasniqi, Vahide Gërxhaliu, Minire Kolludra, Mejreme Ismaili Fikret Shaqiri Pllana etj.

Kontrolloni gjithashtu

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, -Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. -Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. -Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. -Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Albert Z. ZHOLI Kam pasur fatin të zhvilloj shumë takime dhe intervista me aktorin e madh "Nderi i Kombit" Robert Ndrenika. Në jetën e përditshme ai është krejt ndryshe nga shpërthimi artistik që shohim në skenë apo në ekran. Një intelektual i qetë, i mençur, i kulturuar, me një finesë komunikimi që të bën menjëherë për vete. Në bisedë flet me maturi, me humor të hollë dhe me atë urtësi që vjen vetëm nga njerëzit që kanë jetuar shumë dhe kanë lexuar akoma më shumë. Ndërsa në skenë ai shndërrohet krejtësisht: shpërthen me energji, emocion dhe forcë interpretimi, duke e bërë publikun të qeshë, të mendojë apo të përlotet. Bisedat me të kanë qenë gjithmonë si orë mësimi. Nga çdo takim me Robert Ndrenikën merr diçka: kulturë, përvojë jetësore, filozofi të thjeshtë njerëzore dhe mbi të gjitha dashurinë për artin. Pikërisht ndaj, kur shoh reagimet e ashpra ndaj një deklarate të tij si qytetar, mendoj se duhet të dimë të ndajmë figurën e kolosit të skenës shqiptare nga bindjet apo simpatitë personale që ai mund të ketë në jetën e tij private. Debatet shterpw Ende në rrjetet sociale vazhdon të diskutohet deklarata e aktorit të madh shqiptar Robert Ndrenika gjatë paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në seancën gjyqësore të kësaj të premteje. Në atë seancë një numër i madh artistësh kishin shkuar në mbështetje të Veliajt, ndërsa takimi më i komentuar ishte ai i Robert Ndrenikës me kryebashkiakun, pak minuta para nisjes së procesit. Fjalët e aktorit: “Ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë”, krijuan menjëherë reagime të shumta. Disa e interpretuan si humor të hidhur, disa si solidaritet njerëzor, të tjerë si mbështetje politike. Në rrjetet sociale shpërthyen debatet, kritikat, ironitë dhe madje sulmet personale. Por pikërisht këtu lind nevoja për një reflektim më të thellë: a duhet gjykuar një artist i madh për një deklaratë emocionale të bërë si qytetar? Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, simpati dhe preferenca personale. Një artist nuk jeton vetëm në skenë. Ai ka dy jetë: jetën artistike dhe jetën qytetare. Në skenë ai i përket publikut, historisë dhe artit; jashtë saj ai i përket vetes, bindjeve dhe emocioneve të tij njerëzore. Aktor i madh Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Breza të tërë janë rritur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Ai nuk është thjesht një aktor i suksesshëm, por një institucion më vete i artit shqiptar. Emri i tij lidhet me dhjetëra role që kanë hyrë në memorien kolektive të shqiptarëve. Nga “Horizonte të hapura”, “I teti në bronx”, “Kapedani”, “Koncert në vitin 1936”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjtorja”, “Prefekti”, “Nëntori i dytë”, “Besa e kuqe”, “Shirat e vjeshtës”, “Shi në plazh” e deri te dhjetëra interpretime të tjera në teatër, Robert Ndrenika ka qenë një shkollë më vete interpretimi. Figura e tij artistike është ngritur mbi talentin, punën dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj skenës shqiptare. Vetëm roli i Qazim Mulletit tek filmi “Prefekti” do të mjaftonte që emri i tij të mbetej përgjithmonë në historinë e kinemasë shqiptare. Ndërsa personazhe të tjerë si Stefi, Agush Kalemi apo Fotaqi treguan dimensionin e jashtëzakonshëm të një aktori që dinte të lëvizte mes humorit, dramës dhe tragjikomikes me një natyrshmëri të rrallë. Deklarata spontane Por gjithë kjo pasuri artistike nuk mund dhe nuk duhet të fshihet nga një deklaratë spontane apo nga një simpati personale politike. Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. Dikush është me Partizanin, dikush me Tiranën; dikush majtas, dikush djathtas. Kjo është pjesë e pluralizmit dhe e lirisë individuale. Është e mundur që Robert Ndrenika të ketë simpati njerëzore për Erion Veliajn. Është gjithashtu e mundur që ai ta vlerësojë për investimet që janë bërë në art, kulturë, teatro apo aktivitete artistike gjatë kohës që Veliaj drejtoi Bashkinë e Tiranës. Kjo mbetet zgjedhje personale dhe nuk cenon aspak madhështinë e tij si artist. Problemi qëndron tek mënyra sesi shoqëria jonë reagon. Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Në vendet me traditë demokratike artisti ndahet nga bindja e tij politike. Askush nuk ua mohon veprat artistëve sepse votojnë majtas apo djathtas. Arti nuk është gjykatë politike. Një aktor nuk matet me deklaratat e momentit, por me atë që ka lënë në kulturën kombëtare. Robert Ndrenika ka lënë shumë më tepër sesa një fjali të komentuar në rrjetet sociale. Ai ka lënë personazhe, emocione, humor, lot dhe kujtime që jetojnë prej dekadash në publikun shqiptar. Rreziku Një komb që nuk respekton ikonat e tij artistike rrezikon të humbasë kujtesën kulturore. Kritika është normale dhe demokracia e lejon debatin, por debati nuk duhet të kthehet në fshirje të figurës së një artisti që i ka dhënë aq shumë kulturës shqiptare. Ndaj, përtej polemikave të ditës, duhet të dimë të ndajmë artistin nga qytetari. Robert Ndrenika mbetet një kolos i skenës shqiptare. Ndërsa Robert Ndrenika qytetar ka të drejtën e tij të mendojë, të ndiejë dhe të mbështesë kë të dojë. Pikërisht kjo ndarje është thelbi i një shoqërie demokratike dhe i qytetërimit kulturor.

Albert Z. Zholi: Robert Ndrenika mes artit dhe qytetarisë, mes madhështisë dhe kryqëzimit

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata …