(Komunat e Kosovës që drejtohen nga një kryetar serb nuk janë komuna të Serbisë)
Jetojmë në epokën e “Luftës hibride” dhe nuk e kemi të lehtë ta kuptojmë e ta dallojmë të paditurin (injorantin) nga propagandisti, manipuluesi e “zëdhënësi” i Serbisë dhe për hesap të Serbisë!!
Sonte, po ndiqja emisionin e televizionit shqiptar me emër anglez (amerikan), EURONEWS, për zgjedhjet në Kosovë… Në këtë emision ishte edhe një opinionist – analist, që më shumë më ngjante të jetë një manipulues me gjysmë të vërteta e një altoparlant i Serbisë… Ky farë djali me shumë ngazëllim dhe me “bindje” pohonte se në Kosovë fitoi vetëm partia “Lista Serbe”!! Këtë të “vërtetë” e afirmonte dhe sforconte edhe Kryetari i Serbisë, Aleksandër Vuçiçi akoma pa u kryer zgjedhjet!!? Këtë të “vërtetë” e afirmojnë dhe konfirmojnë edhe disa jugokosovarë në Prishtinë!! Fakti që këta afirmojnë dhe konfirmojnë të “vërtetën” e Vuçiçit (e kishte thënë i pari) e të medieve serbe i bënë altoparlantë të Beogradit!! Kam parasysh që ndonjëri mund të jetë edhe injorant dhe shkon pas “modës”!! Gjithë ato “komuna politike” që ka fituar Lista Serbe nuk bëjnë, ta zëmë, sa një Ferizaj…
Teza tjetër e tyre edhe më antishqiptare: “Katër vite përpjekje, mund e shpenzime dhe komunat në Veri të Kosovës i morën përsëri serbët”!! O, janë tepër të paditur (injorantë), o janë vërtet altoparlantë të Serbisë!! Këtë tezë antishqiptare, pos në studio televizive (televizione mercenare!) e lexon edhe në rrjete sociale, edhe nga njerëz me të kaluar atdhetare, liridashëse e çlirimtare!!
Këta opinionistë altoparlantë, edhe këta që janë injorantë në këto çështje, por edhe shokët që janë verbuar nga dielli i fortë i partive të tyre duhet ta bëjnë qartë dallimin midis komunave të Kosovës të drejtuara nga kryetarët e pakicës serbe dhe komunave të Serbisë… Ma ha mendja të kenë kaq aftësi mendore e intelektuale për ta bërë këtë dallim substancial! Të gjithë këta duhet të mësojnë, nëse nuk e dinë akoma, që Republika e Kosovës, edhe me Kushtetutë, është shtet i pavarur unitar dhe i pandashëm. I pavarur pikërisht nga Serbia, nëse nuk keni harruar?!
Krijimi i komunave politike “serbe” ishte koncesioni i madh që iu bë Serbisë me arsyetimin e “mbrojtjes së të drejtave dhe lirive të pakicës serbe”!? I njëjti gabim (faj!) u bë edhe me trashëgiminë fetare (kishën ortodokse), me trashëgiminë historike, kulturore, materiale e shpirtërore, nga e cila padrejtësisht u “shpronësua” Kosova dhe populli i saj shqiptar!!
Pas krijimit të këtyre komunave politike “serbe”, me pak banorë (fshat e komunë!!), Serbisë erdhi duke iu rritur oreksi… Ajo, tash kërkonte (ia doli) bisedime të reja dhe hapjen e pakos së Ahtisarit, të cilën nuk e kishte pranuar!! Bisedimet e Brukselit me Serbinë rezultuan me marrëveshje të reja në dëm të Republikës së Kosovës, madje edhe pasi Pavarësia e Kosovës nga Serbia ishte legjitimuar prej Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë!! “Histori” që dihen, por harrohen!!
Shkurt e shqip, Serbia ishte angazhuar me gjithë propagandën, diplomacinë dhe kapacitetet e saja shtetërore, jo për të drejtat e pakicës serbe, por për krijimin e një entiteti të veçantë serb (bashkimin e komunave politike “serbe”!!) me atribute shtetërore (një mini Serbi) dhe, në një moment të volitshëm, shkëputjen e këtij entiteti (30 % të territorit të Kosovës)!! Afërsisht e njëjta rrugë që ndoqi në Bosnje e Hercegovinë! Kush nuk e ka kuptuar këtë, o është injorant i skajshëm, o është mercenar i paguar nga qarqe e vende antishqiptare, o është altoparlant e kolaboracionist i Serbisë.
Republika e Kosovës (pak rëndësi kush është në Qeveri) gjatë gjithë viteve të pas Luftës, qe një çerek shekulli, i ishte nënshtruar trysnisë, shantazheve, diversioneve, kërcënimeve dhe agresionit “frontal” të Serbisë! Prania e saj e fuqishme (e dukshne dhe e padukshme), jo e pakicës serbe, në territorin e Republikës së Kosovës, sidomos në Veriun tonë, përbënte dhe përbën kërcënim serioz për sigurinë dhe tërësinë territoriale të Republikës së Kosovës…
Prandaj, angazhimi i shtetit të Kosovës (me kapacitetet që ka), me përkrahjen dhe miratimin e padeklaruar të miqve tanë strategjikë, për vendosjen e kontrollit e të sovranitetit të shtetit edhe në Veri të Kosovës, nuk ishte dhe nuk guxon të jetë angazhim e presion kundër pakicës serbe (qytetarë të Kosovës), siç trumbeton Serbia shoviniste e Vuçiçit dhe altoparlantët e saj në Prishtinë e qendra tjera shqiptare…
Pakica serbe, qytetarë të Republikës së Kosovës dhe komunat e tyre politike, nuk mund të jetojnë e të qeverisen me ligje të Serbisë dhe as nën ndikimin, ndërhyrjet e diktatin e saj… Shteti i Kosovës nuk ka dhe s’ka pse të ketë pretendime me i dëbu serbët, siç kishte bër Serbia kur i kishte dëbuar me dhunë, terror e masakra shqiptarët nga Sanxhaku i Nishit e këndej, dhe me i vendosë shqiptarët në ato fshatra – komuna… Shteti i Kosovës, çdo parti politike dhe çdo qytetar i këtij vendi duhet të angazhohet që Kushtetuta, ligji dhe sovraniteti i Republikës së Kosovës të njihet dhe respektohet skaj më skaj territorit të kësaj Kosove (me kufijtë e njohur dhe të pranuar). Nuk i pengon shtetit të Kosovës (Partitë e qeveritë shkojnë e vijnë) komuna që qeveriset ose drejtohet nga një Kryetar i pakicës serbe konform legjislacionit në fuqi të Republikës së Kosovës. Aspak. Edhe Presheva e Bujanoci drejtohen nga kryetarë shqiptarë… Ku e merr t’i kishin liritë dhe të drejtat e garantuara siç i ka pakica serbe në Republikën e Kosovës?!! Besoj që e keni parasysh! Edhe Tuzi e Ulqini drejtohen nga kryetarë shqiptarë, por konform ligjeve në fuqi të Malit të ZI… Edhe pse janë në tokën e tyre shqiptare, të pushtuar!!
Pra, thënë shkurt, shtrirja e sovranitetit, zbatimi i Kushtetutës dhe i ligjeve të Republikës në tërë territorin dhe mbrojtja e lirisë dhe integritetit territorial nuk është vetëm prerogativë, por edhe detyrim i çdo Qeverie dhe i shtetit, Republikës së Kosovës.
Kaq gjë dhe këtë dallim do të duhej ta bënte një njeri me pak shkollë, nëse nuk është i shitur, i verbuar nga dielli i partisë ose, larg qoftë, nëse nuk është budalla (i marrë)!