Xhevat Gjini: SISTEMI I PISTË ZGJEDHOR NUK MUND TË PASTROHET DUKE ARRESTUAR E DËNUAR VIKTIMAT E TIJ

(Drejtësia, shoqëria, mediat, specialistët e kësaj fushe duhet të merren me protagonistët (shpikësit) e këtij sistemi zgjedhor e jo me viktimat e tij… )
Në shtetet dhe shoqëritë e konsoliduara demokratike dhe pluraliste sistemi zgjedhor konsiderohet si çështje themelore për kualitetin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Sistemi zgjedhor në masë të madhe përcakton edhe kualitetin e institucioneve që krijohen dhe kualitetin e vetë sistemit politik të një vendi. Bota njeh dhe praktikon kryesisht tri lloj sistemesh zgjedhore: sistemin e shumicës (mazhoritar), sistemin proporcional dhe sistemin miks (të përzier), me lista të hapura, të mbylluara, etj. Për sistemin zgjedhor në të gjitha vendet bëhet debat i madh nga forcat politike të një vendi, nga ekspertët, nga mediat dhe nga shoqëria civile.
Por, në asnjë vend tjetër qytetari nuk ka të drejtë t’i votojë 10 kandidatë, siç e ka këtë të drejtë qytetari në Republikën e Kosovës!! Amerikani, gjermani, francezi, anglezi, italiani, etj. kanë të drejtë ta votojnë vetëm një kandidat për deputet (një votë), kurse shqiptari në Republikën e Kosovës ka të drejtë t’i votojë 10 kandidatë (10 vota)!! Ky lloj sistemi suigeneris iu imponua Kosovës shqiptare pas zgjedhjeve me lista të mbyllura, nga të huajt dhe nga politika vasale vendore!! Kam pa sistemet zgjedhore të mbi 200 shteteve dhe në asnjërin prej tyre nuk ekziston kjo praktikë poshtëruese për demokracinë, për lirinë dhe të drejtën e votës dhe për vetë qytetarët! Vetëm sistemi zgjedhor i Irlandes e kishte edhe votën e dytë për kandidatin e preferuar (një sistem specifik). Para disa vitesh u “korrigjua” ligji për zgjedhjet në Republikën e Kosovës dhe e drejta për 10 vota u kufizua në 5 vota! Para 5 – 6 vitesh, partitë politike parlamentare, me pajtueshmëri të plotë dhe pa debat, e rikthyen të drejtën e 10 votave (një qytetar 10 vota!!). Duket që krerët e partive politike (padronët e tyre) nuk arrinin ta kontrollonin plotësisht procesin zgjedhor dhe rezultatin e votimit, prandaj e rikthyen të drejtën e 10 votave!! Ky sistem është i pranueshëm dhe i dobishëm vetëm për krerët e partive dhe për grupet që kontrollojnë partitë. Është interesant se për sistemin zgjedhor suigeneris nuk pati kurrë debat as në media, nuk pati as reagime të ekspertëve të fushës (nëse ka të tillë?)!! Kritika për këtë sistem të pistë, të manipulueshëm, të komprementueshëm e të korruptueshëm nuk pati as nga OSBE – ja dhe as nga vendet demokratike, BE – ja, etj.! Duket ashiqare që të gjithë ishin të interesuar që procesi zgjedhor dhe, sidomos rezultatet, të ishin të kontrollueshme, të zgjedheshin kryesisht, madje kryekëput të dashurit e padronëve të partive dhe të qarqeve të huaja që janë angazhuar dhe angazhohen për një Kosovë të kontrollueshme…
Procesi zgjedhor dhe rezultati i zgjedhjeve, sipas meje, më së paku është manipuluar dhe deformuar kësaj here!! Në secilat zgjedhje ka patur manipulime dhe deformime më të rënda se kësaj here, por janë mbuluar dhe janë “varrosur”!
Komisionerët janë viktima të një sistemi të pistë zgjedhor, të një sistemi që në asnjë rrethanë nuk mund të prodhojë një proces dhe rezultat zgjedhor korrekt, të besueshëm, të drejtë e të ndershëm. Edhe Kosova një zonë zgjedhore ndoshta nuk është mënyra më e mirë e zgjedhjeve në Republikën e Kosovës. Ky sistem zgjedhor garën midis kandidatëve të partive të ndryshme e kthen në garë midis kandidatëve të së njëjtës parti (i bënë hora e dheu)!! Kurse kryetarët e partive (edhe tre – katër pas tij) i kanë votat të garantuara, sepse qytetari ynë i ka 10 vota në dorë dhe Kosova është një zonë zgjedhore!! Po të ishte sistemi një qytetar një votë dhe 5 – 6 zona zgjedhore kryetarët e partive nuk do të mburreshin e të fryheshin si bibanat me numrin e madh të votave pa qenë fare në garë zgjedhore dhe pa iu nënshtruar besimit të qytetarëve! Duhet të mendohet edhe për komisionerë jopartiak, për votim elektronik, etj.
Prandaj, sistemi zgjedhor urgjentisht duhet të ndryshohet dhe të kthehet në një sistem zgjedhor që garanton vullnetin e lirë të qytetarit, të drejtën e votës dhe, mbi të gjitha, besimin te zgjedhjet dhe te demokracia pluraliste. Sistemi zgjedhor aktual cenon rëndë vullnetin e lirë të qytetarëve, të drejtën e votës dhe të zgjedhjes, besimin dhe sigurinë e zgjedhjeve. Vota e lirë dhe e drejta për të zgjedhur janë cenuar dhe rrënuar nga ky sistem zgjedhor, jo nga komisionerët, që janë viktima të këtij sistemi dhe jo përgjegjës. Përgjegjës dhe fajtorë janë krerët e partive që kanë imponuar këtë sistem zgjedhor të pistë, fyes për lirinë dhe të drejtën e votës, poshtërues për dinjitetin e vendit dhe për demokracinë. Bashkëpërgjegjës dhe bashkëfajtorë janë marionetat e këtyre krerëve të partive që e kanë votuar në Kuvendin e Republikës!! Duhet të ketë një mekanizëm a institucion mbi këta krerë të partive që duhet t’i hetonte deri në fund dhe t’i ndëshkonte krerët e partive dhe marionetat e tyre që i kanë imponuar këtë sistem mafioz zgjedhor vendit. Nuk duhet të krijojmë “heronj” nga prokurorët që s’marrin erë në këto çështje e që në vend se të hapin rast për protagonistët e këtij dëmi të jashtëzakonshëm për vendin i arrestojnë viktimat e tyre…

Kontrolloni gjithashtu

Bedri Halimi: DISA FJALË RRETH DISA PASAKTËSIVE TË ANALIZËS SË AKADEMISË SË SHKENCAVE DHE ARTEVE TË KOSOVËS

Bedri Halimi: Ligjëratat për gjykatën e Hagës te rinia e Kosovës – sinjal i keq për përfundimin e procesit ndaj krerëve të UÇK-së në Hagë

Tashmë kur procesi gjyqsor kundër ish krerve të UÇK-së në Hagë po shkon drejt fundit, …