Xhevat Ukshini: “Protestë përmes artit të fotografisë”, - Intervistë me fotografen, Xheni Çuni

Xhevat Ukshini: “Protestë përmes artit të fotografisë”, – Intervistë me fotografen, Xheni Çuni

Rreth dy javë më parë, artistë shqiptarë hapen një ekspozitë fotografike me titull:   “The Beautiful Travelers 2” në “Art Gallery MyToro”, Lüneburger Straße 1A, D – 21073 Hamburg, në metropolin verior gjerman. Organizator i kësaj ekspozite, që është vazhdim i një ekspozite tjetër me të njëjtin titull: “The Beautiful Travelers 1”, është artisti shqiptar me banim në Hamburg, Mentor Ejupi-Toro. Në ekspozitë marrin pjesë fotografë shqiptarë që jetojnë në shtete të ndryshme si SHBA, Gjermani, Kosovë, Shqipëri, Maqedoni e Serbi. Xheni Çuni është njëra nga pjesëmarrëset e kësaj ekspozite, e cila pati një jehonë pozitive edhe në mediet gjermane. Një gazetë gjermane e vlerësonte lart punën e saj, duke thënë, ndër të tjera se ajo “i aranzhon modelet e saj në peisazh apo si objekte të pikturuara në sfondin e zi. “Webfaqja e metropolit gjerman www.harburg-aktuell.de për disa ditë lajmin e hapjes së ekspozitës e kishte në ballë të tij në mesin e lajmeve kryesore të qytetit dy-milionësh, kurse gazeta “Hamburger Abendblatt” i kushtoi një  shkrim të veçantë ekspozitës që ilustrohej me një fotografi  të artistes,  Xheni Çuni.

Pyetje: Artiste dhe artistë shqiptarë i prezantohen me veprat e tyre publikut gjerman në Hamburg në ekspozitën “The Beautiful Travellers 2”. Çka mund të na thoni për këtë aktivitet në cilësinë e protagonistes?

Xheni Çuni: Në javën e parë të tetorit, saktësisht me 7 tetor është hapur ekspozita jonë me titullin “The Beautiful Travelers 2”, e cila   është vazhdim tematik i një ekspozite të mëhershme. Ekspozita do të qëndroj hapur deri më 26 nëntor të këtij viti. Që në hapjen e saj ajo mori vëmendjen e medias gjerman, por edhe të asaj shqiptare. Në hapje përveç organizatorit Mentor Ejupi foli edhe senatori për kulturë i qytetit të Hamburg-ut  dhe kjo nuk është pak gjë, sepse Hamburg-u është një qendër e madhe evropiane me shumë aktivitete kulturore, një pjesë e të cilave nuk mund të arrijnë deri në kryetitujt e gazetave e medias gjermane, prandaj si artiste dhe pjesëmarrëse ndjehem e gëzuar për këtë interesim që tregohet për veprën dhe krijimtarinë tonë. Paraardhësja e kësaj ekspozite ishte  “The Beautiful Travelers 1” ku morën pjesë dy artistë shqiptarë, Alban Muja, Driton Hajredini. Në ekspozitën e tanishme ku marrim pjesë shtatë artiste dhe artistë të tjerë situata paksa ka ndryshuar dhe ka ecur në një drejtim tjetër, them të papritur,  për të cilën do të flas më vonë.

Pyetje: T’i kthehemi artistëve që janë pjesë e ekspozitës. Cilët janë ata?

Xheni Çuni: Jemi shtatë fotografë. Unë marrë pjesë në ekspozitë me tre foto. Burim Myftiu që ka studiuar në SHBA prezantohet me fotografi që ta kujtojnë në një pjesë të veprës së tij Anselm Adams-in. Fotografi tjetër Dash Izairi bën fotografi nga natyra dhe tematizon koherenzcën mes natyrës dhe jetës në qytet. Arbnore Lumi eksperimenton me dritën dhe teknikën, nga i cili lindin modele dhe struktura që më vonë shndërrohen në pamje vizuale, fotografi imponuese. Shkurta Bogujevci bën fotografi nga Kosova, duke e dokumentuar kështu realitetin e saj edhe emocionalisht. Fotografitë e saj bardhë e zi janë fascinuese. Këtë gjë e thanë edhe mediet gjermane. Në të njëjtën linjë shkon edhe fotografistja Flutura Aliu. Arton Humolli që është fotograf arti dhe mode që njihet për fotografitë me njerëz të njohur prezantohet në ekspozitë me aktin “My Eagle!”, me të cilin  ka fituar jashtë shumë çmime ndërkombëtare, duke u përfshirë edhe në revista të fotografisë dhe e përhapur shumë edhe përmes postereve.  Në mesin e pjesëmarrësve në ekspozitë siç tha Mentor Ejupi “kosovarët nuk mund të lëvizin, ndërkohë që artistët shqiptarë nga Serbia e Maqedonia e gëzojnë së paku të drejtën e udhëtimit pa viza, kurse artistët e tjerë  nga Düsseldorf-i, Bocholt-i dhe New York-u nuk e kanë këtë problem.” Siç dihet, Kosova dje ishte një vend i eksodit masiv, një vend nga i cili qindra mijë persona “udhëtonin”, nëse mund të quhet ikja udhëtim, pa viza në Perëndim. Sot është ndryshe: Kosova është kthyer në një enklavë të vërtetë, e vetmja në Evropë, që e vuan tmerrësisht izolimin, pamundësinë e udhëtimit pa procedura  administrative në Perëndim. Dhe nga ky izolim nuk e vuajnë vetëm qytetarët e rëndomtë, por edhe elitat tona, intelektualët dhe artistët. Për ekspozitën njeriu më meritor është natyrisht Mentor Ejupi, aktivitetit artistik të të cilit edhe kësaj here media gjermane i bënë publicitet meritor.

Pyetje: Atëherë na i thoni disa fjalë për Mentor Ejupin, kush është ai dhe cili është aktiviteti i tij?

 Xheni Çuni: Mentor Ejupi, Toro është emri artistik i tij, është një artist nga Kosova, shumë aktiv në jetën artistike të qytetit të Hamburg-ut. Nga angazhimi i tij kemi përfituar edhe ne artistët  që u bëmë pjesë e kësaj ekspozite që është, siç u tha më parë, një edicion i radhës i një ekspozite që u mbajt para dy vitesh dhe që, le të shpresojmë së paku kështu, do të ketë edhe edicione të tjera. Mentor Ejupi si kurator e ka konceptuar këtë ekspozitë me artin si një shfaqje ” e udhëtarëve të bukur dhe të së bukurës” që vihen përballë barrierash që quhen kufij. Siç thashë më parë, këtë eveniment kulturor Toro e shfrytëzoi medialisht për të vënë në dukje një padrejtësi politike që e vuan Kosova, e cila është i vetmi vend në Ballkan që është vënë në një izolim pothuajse hermetik nga pjesa tjetër e Europës.  Ai ka thënë për gazetën “Hamburger Abendblatt” se është absurde që kosovarët që kishin një të kaluar traumatike, që kishin qenë të diskriminuar  për shumë dhjetë vjeçarë brenda Jugosllavisë dhe që përjetuan  kaq shumë tmerre sot janë vënë në karantinë pikërisht nga Perëndimi që përmes intervenimit të tij ushtarak  i shpëtoi nga shfarosja dhe gjenocidi.  Mbishkrimi “Unë ende nuk jam Europë” i vendosur pranë veprave që ekspozoheshin  ishte më se domethënës. Medirt gjermane u solidarizuan me ne në sensiblizimin e publikut gjerman për këtë regjim diskrimues vizash që zbatohet rigorozisht për çdo kosovar që nuk është pjesë e estabilishmentit.

 Pyetje:  Ekspozita në Hamburg tregon se shqiptarët  këtu në Gjermani po dalin nga anonimiteti si komunitet dikur gastarbeiterësh dhe refugjatësh.  Cili është mendimi juaj?

Xheni Çuni: Ashtu mendoj edhe unë. Shqiptarët gjithnjë e më tepër po e tregojnë prezencën e tyre në Gjermani përmes artit, por edhe në fushat e tjera të veprimtarisë shoqërore, kështu që ky fakt më jep dorë të shpresoj se në të ardhmen, ndoshta edhe me mbështjetjen e shteteve tona, në fakt kjo mbështetje nuk do të duhej të mungonte në asnjë rast, ne artistët do të kemi më shumë hapësirë ekspozimi dhe në përgjithësi prezantimi të veprës sonë, sepse kjo do të thoshte  prezantim i kulturës shqiptare, i një pjese të sajë që mund edhe të mos jetë krijuar brenda hapësirës sonë etnike, por që ka të njëjtin kod gjenetik. Është në interesin e përgjithshëm që jashtë pavarësisht nga konjunkturat e ndjeshmëritë politike në pikëpamje kulturore të prezantohemi si komb i pandarë dhe mbështetja e artistëve në aktivitetet e tyre të mos kushtëzohet nga përkatësia shtetërore e akëcil artisteje apo artisti. Për fat të mirë ne artistët kështu prezantohemi që prej shumë vitesh dhe kjo gjë, sa kam vënë re unë nga kontaktet me njerëzit tanë, i gëzon ata. Dhe këtu në Hamburg jemi nga viset e ndryshme shqiptare, shqiptare dhe shqiptarë nga shumë shtete, madje nga dy kontinente, sepse kemi artistë edhe nga Amerika, Burim Myftiu, dhe Kanadaja, Arbnore Lumi, kurse ne të tjerët jemi nga kjo anë e Atlantikut, dy nga Gjermania, unë nga Fieri me banim në Düsseldorf dhe Dash Izairi nga Bocholt-i, Shkurta Bogujevci nga Kosova dhe Flutra Aliu nga Lugina e Preshevës.

Pyetje: Znj. Çuni, ju jeni pjesëmarrëse në disa ekspozita dhe aktivitete kulturore. A keni ndonjë projekt në të cilin punoni, nëse po, cili është ai?

Xheni Çuni: Kam një projekt që ka një rëndësi të madhe për mua, sepse lidhet me identitetin tim, rrënjët e mia, por për të është herët të flitet.

Pyetje:  A bëhet fjalë për një projekt në fushën e fotografisë apo të kinematografisë?

 Xheni Çuni: Do të flasim për të kur të jem në fazën përfundimtare të realizimit të tij. Ju e dini që të bësh një film është një ndërmarrje shumë e kushtueshme. Ka gjëra të tjera që së paku për mua në këtë moment kanë një kosto të akceptueshme. Mund të them vetëm se do të jetë diçka e re, krejt origjinale që lidhet me femrën shqiptare.

Pyetje: Në fund do të doja të dija se si është e mundur që të flisni rrjedhshëm dhe kaq bukur shqipen kur dihet se nga atdheut jeni larguar si fëmijë e vogël?

 Xheni Çuni: Nuk është meritë e imja …

Pyetje: … por?

Xheni Çuni: … e nënës sime. Në moshën katërvjeçare u zhvendosëm nga Fieri në Stamboll ku unë mësova turqishten. Kur kthehesha nga shkolla në shtëpi,  filloja të flisja me nënën time në turqisht, por ajo më përgjigjej vetëm në shqip, edhe pse e flet gjuhen turke pa asnjë pengesë. Unë me kryeneçësinë fëmijërore vazhdoja në gjuhën e vendit ku jetonim, por nëna nuk tërhiqej, kryeneçësia e saj ishte më e fortë se ajo e imja. Turqit kanë  një shprehje të veçantë për këmbënguljen shqiptare, “arnavut inadi”. Dhe kjo këmbëngulje e nënës bëri që unë të flas sot shqip, siç thoni ju, rrjedhshëm dhe të mbetem brenda traditës shqiptare.  Pas maturës erdhëm në Gjermani ku unë mësova edhe një gjuhë tjetër, por  gjithmonë në gjirin  familjar gjuhë komunikimi mbeti shqipja. Prindërit shqiptarë bëjnë mirë kur fëmijëve ua mësojnë shqipen, sepse kështu fëmijëve të tyre u bëjnë një shërbim të mirë identitar. Të jesh shqiptare dhe të mos kuptosh e flasësh gjuhën tënde është pa dyshim një hendikap i madh, sidomos në këtë kohë të globalizimit.

Nëntor 2016

Kontrolloni gjithashtu

Gabriel Escobar: Duam që Serbia të jetë shtet më i fuqishëm brenda komunitetit, me miq që ka në Amerikë dhe në Evropë

Pjesë nga intervista e të dërguarit special të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, dhënë ‘Zërit të Amerikës”

I dërguari special i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, në …