Ish-diplomati Ylber Hysa ka vlerësuar se deklarimet e fundit të liderit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, rreth raporteve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, janë pjesë e një fushate të pastër elektorale dhe mungesë serioziteti në një periudhë kritike gjeopolitike, ku doktrina e re e politikës së jashtme amerikane po përcakton qasje të reja strategjike. Pretendimet e Kurtit për raportet me SHBA-në përmbajnë “varg absurdistesh”, sidomos kur ballafaqohen me faktet e realitetit diplomatik. Ai theksoi se e rëndësishme nuk është interpretimi i Kurtit për marrëdhëniet, por mënyra se si e shohin partnerët amerikanë Kosovën në këtë fazë. “Sinjalet nga Uashingtoni janë të qarta për këdo që di të lexojë gjuhën diplomatike. Kurti nuk gëzon reputacionin e një partneri të besueshëm. Mospjesëmarrja në takime të nivelit të lartë dhe mungesa e ftesave zyrtare janë mesazhe të drejtpërdrejta,” deklaroi Hysa. Ai theksoi se Forcat e Sigurisë së Kosovës janë projekt strategjik i SHBA-së dhe nuk mund të identifikohen me një lider të vetëm. Prandaj, sjelljet joserioze, siç i cilësoi ai, nuk mund të rrezikojnë investimet shumëvjeçare të partnerëve ndërkombëtarë. Hysa paralajmëroi se vazhdimi i politikave “jo të mençura” nga Kurti mund ta gjejë Kosovën të papërgatitur për kërkesat që mund të vijnë nga SHBA dhe BE, duke theksuar se barrën e pasojave do ta mbajnë qytetarët. Sipas Hysës, rreziku më i madh për Kosovën është stagnimi dhe izolimi.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
