Ylli Mece

YLLI MEÇE: SA DO PËLLUMBA TË LËSHOJË PAPA NGA VATIKANI… LIRIA NUK MUND TË VIJË PA LUFTUAR

Është shkruar dhe është folur shumë nga Marksi për epokën e lindjes së kapitalizmit, hapin e madh që pësoi shoqëria njerëzore kur u shkëput prej mardhënieve të vjetra feudale, sikurse është shkruar dhe nga Lenin për epokën e revolucionit industrial në imperializëm, hapat e tij, sikurse dhe plagët e rënda që e grryejnë dhe e bashkëshoqërojnë atë deri në vigjiljen e revolucionit proletar.

Po cilat janë këto plagë dhe a kishte të drejtë Lenini kur përcaktonte se kapitalizmi duke kaluar në imperializëm hedh shikimin jo vetëm në koncentrimin e kapitalit, por dhe të shpërndarjes së tij dhe që ky zhvillim i tij, pra i imperializmit karakterizohet nga një konkurrencë kacafytjesh të pa mëshirshme midis njëri tjetrit për zona influence në eksportin qarkullimin dhe shitjen e kapitalit të tij? Dhe se përpara se të kacafyten me njëri tjetrin, është po ky imperializëm i cili karakterizohet nga kriza të mëdha prodhimi e superprodhimi, nga inflacioni dhe papunësia të cilat shoqërohen me luhatje të mëdha të çmimeve dhe rënies së nivelit të jetesës së shtresave të shoqërisë. Të gjitha këto çojnë në rritjen e diferencave të mëdha dhe dallimeve të tejskajshme midis punëtorëve të çdo vendi imperialist dhe satelitëve të tjerë të tij me shtresën e madhe të borgjezisë parazitare e cila në vjedh pa mëshirë dhe rrëmben me dhunën e ligjëruar nga shteti, jo vetëm punëtorët por të gjitha shtresat e shoqërisë. Pikërisht këtu këtu qëndron i gjithë thelbi i shfrytëzimit kapitalist. Por kur imperializmi botëror ashtu sikurse përqendron kapitalin e vet, ashtu dhe bashkohet në grupime të mëdha për të rritur jo vetëm potencën e vet ekonomike e ushtarake, por dhe për të qenë i aftë që me anë të forcës të ndërhyje kundër një grupimi tjetër po aq të madh duke dashur ti rrëmbejë atij zonat e influencës.

 Po kur ndërhyn imperializmi në çfarë kushtesh…. dhe pse në momente të caktuara imperialistët bëjnë” marveshje” të tilla që ruajnë përkohësisht “statuqua”-në paqësore? Ky fenomen, ndodh atëherë e vetëm atëherë kur fuqitë e mëdha imperialiste apo super potencat janë relativisht të kënaqura, sepse prodhimin e tyre në vendet ku kanë influencë e eksportojnë normalisht e pa probleme. Veçse duke qenë se ekonomia kapitaliste karakterizohet nga spontaniteti i prodhimit ( pra jo i planifikuar) në rastet e superprodhimit kërkohen tregje dhe këto tregje nuk i kërkon vetëm njëra superfuqi, por dhe tjetra. Nëse nuk arrihen marrveshje për ndarjen e territoreve atëherë këto territore rrëmbehen dhe zotërohen me anë të luftërave grabitqare. E gjithë historia e luftërave ndër shtetërore, atyre koloniale të kapitalizmit kanë pasur në themel të tyre luftën ekonomike. Pra lufta nuk na qenka gjë tjetër veçse vazhdim i politikës ekonomike që ushtron një vend kapitalist, imperialist, apo dhe super potencë imperialiste për të diktuar dhe realizuar me anë të mjeteve të dhunës dhe të forcës, qëllimet e veta.

E tillë ishte lufta e parë botërore, e tillë ishte dhe lufta e dytë. Këto luftëra nuk i hapën popujt por imperializmi i pozicionuar në perandori të ndryshme. Lufta e parë u kushtoi popujve me gati 4 milionë viktima, teksa e dyta afërsisht, 60 milionë teksa tashmë jemi në pragun e një lufte të tretë. Në pamjen e parë duket sikur fajtore është vetëm Rusia e car Putinit, sepse ajo filloi agresionin ndaj një vendi sovran, Ukrainës. Rusia e shkatërruar dhe pjesa bërthamë (e vetme e mbetur nga ish Bashkimi Sovjetik) duke qenë se është futur tërësisht në shinat e imperializmit kërkon dhe ajo që të jetë pjesë e rrëmbimeve e presë së globit dhe për këtë ajo shfrytëzon me sukses kartën e “hapësirës sllave” . Asaj aspak nuk i bëhet vonë për këta popuj, por këtë kartë e përdor si pretekst për ndërhyrje të armatosur? Pse mos vallë lufta e parë shpërtheu ngaqë i riu Principio Gavril i bëri atentat duke vrarë princin trashëgimtar të Austro-Hungarisë Franz Ferdinand ?

Mos vallë Hitleri e sulmoi Poloninë se gjoja “një batalion polak” sulmoi një postë radiostacioni në kufi me Gjermaninë?(në fakt ky batalion ishte inskenuar me të burgosur nga vet Hitleri, të cilët i veshën si polakë për të justifikuar më vonë shpalljen e luftës ndaj Polonisë batalion ky që për të humbur gjurmët i asgjësuan tërësisht). Pra, preteksti aktualisht është armë e Rusisë cariste për të lakmuar jo vetëm vendet priballtike por jargët e urisë nacionale të saj arrijnë deri në Ballkan.

Rusia imperialiste kurrë s’ka për të hequr dorë dhe në konkurrencë me Amerikën, me Evropën e Bashkuar ( që është e përçarë më shumë se kurrë) me Kinën, Japoninë. Kanadanë, Australinë etj..etj sepse kërkon ti imponohet këtyre fuqive ekonomikisht. Evropa aktualisht është tmerruar sepse edhe pse ka si mbështetëse NATO-n, ajo e di mirë që vende të ndryshme të saj, kanë qëndrime të ndryshme sikurse dhe brenda për brenda saj ka ende vende të aleancës që janë me probleme dhe kundër njeri tjetrit, Greqi-Turqi… Shqipëri – Greqi( Ligji i luftës, çështja e “ Vorio Epirit “ dhe çështja çame, mosmarrëveshjet Bullgari – Maqedoni etj..etj. Këta faktorë e kanë bërë NATO-n, si ”Stani i Stavros” dhe për më tepër se më shumë se 90% e vendeve evropiane janë të lidhura, madje të varura sepse më shumë se 35-40 % e energjisë së tyre e marrin pikërisht nga Rusia.

Tashmë që Rusia ju përgjigj sanksioneve me kundër sanksione duke shtrënguar fort rubinetat , si psh që Evropa ta blejë gazin drithin dhe naftën me rubla, bëri dhe po bën që të ngrihen çmimet të cilat vijnë çdo ditë e duke u ngritur. Veçse kriza e energjisë, që është ulur këmbë kryq jo vetëm në Evropë por kudo në botë është shoqëruar dhe vazhdon të shoqërohet me uljen e nivelit të jetesës së popujve, jo vetëm të kontinentit evropian por kudo në botë, krizë kjo e cila ka rritur shumë zemërimin e masave. Kjo situatë i intereson shumë Rusisë, sepse revoltat e brendshme ( p.sh brenda për brenda vendeve evropiane) e dobësojnë dhe i lëkundin pozitat ekonomike të Evropës. Duhet theksuar se kjo krizë gjithashtu që nga ajo e “Raketave në Kubë”( 1962) është e ngelet më e nxehta, sepse ka dhënë e po jep sinjal “portokalli” për gjithë situatën në botë, krizë kjo e cila mund të çojë të gjitha vendet imperialiste së bashku me satelitët e tyre në një kacafytje të re me përmasa tragjike, shumë më tragjike se lufta e dytë.

Kërcënimet nuk mungojnë si nga njëra palë ashtu dhe nga tjetra. Po mos vallë e keqja e botës na qenka Rusia, Amerika, Evropa, Kina, Kanadaja, India, Japonia Anglia etj..etj..?! Jo nuk janë vendet dhe popujt e këtyre vendeve fatkeqësia e globit! Fatkeqësi e globit është imperializmi i këtyre vendeve dhe në këtë rast ç’duhet të bëjnë popujt, të përkrahin grykësinë e Rusisë që kërcënon, apo lotët e krokodilit të Evropës plakë e cila nuk ka hallin e popujve të vet, por qan me ulërimë se Rusia po i rrëmben prenë? Besohet USA e cila nuk ka lenë vend të botës pa kërcënuar ku në emër të “ botës së lirë”, ajo i ka rrëmbyer lirinë e sa e sa popujve me anë të luftërave? Apo mos vallë do besuar Kina imperialiste e cila ka shtrirë kthetrat e saj ekonomike në Afrikë, Indi, Indokinë e deri në Evropë? Lufta aktuale e Ukrainës, është një mësim i madh historik, një gur prove ,se imperializmi për qëllimet e veta jo vetëm se e manipulon të vërtetën, por dhe i ndërsen popujt kundër njeri tjetrit duke mbjellë frymën e urrejtjes reciproke.

Nëse me të vërtetë do të shpërthente lufta, popujt atë me çdo kusht jo vetëm duhet ta parandalojnë e ta sabotojnë duke e kthyer atë në një revolucion të madh e të përbotshëm, ku në flakët e tij të djegin një herë e përgjithmonë skllavërinë moderne nga ku për herë të parë në rruzull të ndërtojnë një botë të re pa shtypje e shfrytëzim barbar, që një pakicë njerëzish që përfaqësojnë një klasë, të shfrytëzojnë e shumicën e klasës tjetër. Vetëm atëherë do të kishim një jetë të lumtur e në paqe. Nuk ka paqe nën ullinjtë e imperializmit ! Sado pëllumba të lëshojë Papa nga Vatikani, liria nuk vjen pa luftuar. Ai popull që beson se një imperializëm është më i mirë se tjetri, ndaj atje duhet të mbështetemi, apo të luftojmë atë që është më i rrezikshëm.. ai popull gabon rëndë. Ai që beson këtë ngelet skllav i përjetshëm. Më thoni a ka njeri apo popull në këto botë, që ta durojë skllavërinë pambarimisht?

Ne na duhet së afërmi të demonstrojmë, po kundër kujt dhe në favor të kujt?

Kjo do ishte liria jonë ?

Kontrolloni gjithashtu

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, -Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. -Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. -Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. -Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Albert Z. ZHOLI Kam pasur fatin të zhvilloj shumë takime dhe intervista me aktorin e madh "Nderi i Kombit" Robert Ndrenika. Në jetën e përditshme ai është krejt ndryshe nga shpërthimi artistik që shohim në skenë apo në ekran. Një intelektual i qetë, i mençur, i kulturuar, me një finesë komunikimi që të bën menjëherë për vete. Në bisedë flet me maturi, me humor të hollë dhe me atë urtësi që vjen vetëm nga njerëzit që kanë jetuar shumë dhe kanë lexuar akoma më shumë. Ndërsa në skenë ai shndërrohet krejtësisht: shpërthen me energji, emocion dhe forcë interpretimi, duke e bërë publikun të qeshë, të mendojë apo të përlotet. Bisedat me të kanë qenë gjithmonë si orë mësimi. Nga çdo takim me Robert Ndrenikën merr diçka: kulturë, përvojë jetësore, filozofi të thjeshtë njerëzore dhe mbi të gjitha dashurinë për artin. Pikërisht ndaj, kur shoh reagimet e ashpra ndaj një deklarate të tij si qytetar, mendoj se duhet të dimë të ndajmë figurën e kolosit të skenës shqiptare nga bindjet apo simpatitë personale që ai mund të ketë në jetën e tij private. Debatet shterpw Ende në rrjetet sociale vazhdon të diskutohet deklarata e aktorit të madh shqiptar Robert Ndrenika gjatë paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në seancën gjyqësore të kësaj të premteje. Në atë seancë një numër i madh artistësh kishin shkuar në mbështetje të Veliajt, ndërsa takimi më i komentuar ishte ai i Robert Ndrenikës me kryebashkiakun, pak minuta para nisjes së procesit. Fjalët e aktorit: “Ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë”, krijuan menjëherë reagime të shumta. Disa e interpretuan si humor të hidhur, disa si solidaritet njerëzor, të tjerë si mbështetje politike. Në rrjetet sociale shpërthyen debatet, kritikat, ironitë dhe madje sulmet personale. Por pikërisht këtu lind nevoja për një reflektim më të thellë: a duhet gjykuar një artist i madh për një deklaratë emocionale të bërë si qytetar? Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, simpati dhe preferenca personale. Një artist nuk jeton vetëm në skenë. Ai ka dy jetë: jetën artistike dhe jetën qytetare. Në skenë ai i përket publikut, historisë dhe artit; jashtë saj ai i përket vetes, bindjeve dhe emocioneve të tij njerëzore. Aktor i madh Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Breza të tërë janë rritur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Ai nuk është thjesht një aktor i suksesshëm, por një institucion më vete i artit shqiptar. Emri i tij lidhet me dhjetëra role që kanë hyrë në memorien kolektive të shqiptarëve. Nga “Horizonte të hapura”, “I teti në bronx”, “Kapedani”, “Koncert në vitin 1936”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjtorja”, “Prefekti”, “Nëntori i dytë”, “Besa e kuqe”, “Shirat e vjeshtës”, “Shi në plazh” e deri te dhjetëra interpretime të tjera në teatër, Robert Ndrenika ka qenë një shkollë më vete interpretimi. Figura e tij artistike është ngritur mbi talentin, punën dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj skenës shqiptare. Vetëm roli i Qazim Mulletit tek filmi “Prefekti” do të mjaftonte që emri i tij të mbetej përgjithmonë në historinë e kinemasë shqiptare. Ndërsa personazhe të tjerë si Stefi, Agush Kalemi apo Fotaqi treguan dimensionin e jashtëzakonshëm të një aktori që dinte të lëvizte mes humorit, dramës dhe tragjikomikes me një natyrshmëri të rrallë. Deklarata spontane Por gjithë kjo pasuri artistike nuk mund dhe nuk duhet të fshihet nga një deklaratë spontane apo nga një simpati personale politike. Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. Dikush është me Partizanin, dikush me Tiranën; dikush majtas, dikush djathtas. Kjo është pjesë e pluralizmit dhe e lirisë individuale. Është e mundur që Robert Ndrenika të ketë simpati njerëzore për Erion Veliajn. Është gjithashtu e mundur që ai ta vlerësojë për investimet që janë bërë në art, kulturë, teatro apo aktivitete artistike gjatë kohës që Veliaj drejtoi Bashkinë e Tiranës. Kjo mbetet zgjedhje personale dhe nuk cenon aspak madhështinë e tij si artist. Problemi qëndron tek mënyra sesi shoqëria jonë reagon. Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Në vendet me traditë demokratike artisti ndahet nga bindja e tij politike. Askush nuk ua mohon veprat artistëve sepse votojnë majtas apo djathtas. Arti nuk është gjykatë politike. Një aktor nuk matet me deklaratat e momentit, por me atë që ka lënë në kulturën kombëtare. Robert Ndrenika ka lënë shumë më tepër sesa një fjali të komentuar në rrjetet sociale. Ai ka lënë personazhe, emocione, humor, lot dhe kujtime që jetojnë prej dekadash në publikun shqiptar. Rreziku Një komb që nuk respekton ikonat e tij artistike rrezikon të humbasë kujtesën kulturore. Kritika është normale dhe demokracia e lejon debatin, por debati nuk duhet të kthehet në fshirje të figurës së një artisti që i ka dhënë aq shumë kulturës shqiptare. Ndaj, përtej polemikave të ditës, duhet të dimë të ndajmë artistin nga qytetari. Robert Ndrenika mbetet një kolos i skenës shqiptare. Ndërsa Robert Ndrenika qytetar ka të drejtën e tij të mendojë, të ndiejë dhe të mbështesë kë të dojë. Pikërisht kjo ndarje është thelbi i një shoqërie demokratike dhe i qytetërimit kulturor.

Albert Z. Zholi: Robert Ndrenika mes artit dhe qytetarisë, mes madhështisë dhe kryqëzimit

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata …