(Ahmet Qeriqi, “Burgu” roman, botoi “Radio-Kosova e lirë”, Prishtinë. 2004)
Proza është shfaqje e së vërtetës me anë të të folurit e të zgjedhurit artistik, konstatonte dikur De Rada, në “Parimet e Estetikës”. Në fakt ky nuk është vetëm përcaktim teorik i mëhershëm, por është një argument pothuajse përherë i qëndrueshëm, sidomos kur flasim në mënyrë të veçantë për letërsinë dhe zhanret referenciale. Dhe jo vetëm njëherë kjo tezë është vërtetuar. Janë një sërë veprash zhanresh të ndryshme që e dëshmojnë këtë. Njëra prej tyre është vepra më e re e autorit Ahmet Qeriqi, e cila është një dokumentim kohor me një zgjidhje interesante të gjuhës së rrëfimit artistik.
Siç dihet, Ahmet Qeriqi, është një ndër veprimtarët e pa lodhshëm të çështjes sonë kombëtare, njëkohësisht ai është publicist dhe studiues i temave të veçanta letrare e historike. Romani më i ri i tij “Burgu” dëshmon se Ahmet Qeriqi është edhe prozator i mirë që di t’i sinkronizojë të gjitha zhanret letrare në një të vetëm, romanin me referencë nga një pjesë e jetës së tij.
Romani “Burgu” parë si kontest, është një vepër që brenda saj për farë esenciale ka dokumentaritetin, kronologjinë e ngjarjeve, që e përcollën fatin e të gjithë shqiptarëve, veçanërisht shtresën më të mirë intelektuale, e cila u burgos dhe u torturua për vite me radhë nëpër kazamatet serbe. Dhe, pjesë e kësaj golgote ishte edhe autori i këtij romani, Ahmet Qeriqi.
Romani në fjalë, siç u mor vesh, objekt trajtimi ka përjetimet më reale të të burgosurve politikë shqiptarë të viteve 80-të e këndej. Duke qenë roman realist, i ndërtuar mbi të vërtetën jetësore e historike, në të lëvizin subjekte reale dhe struktura të ndryshme personazhesh të njohura të lëvizjes, të cilët ‘fshehen’ pas emrave të botës letrare. Me një fjalë emrat e një numri prej tyre i gjejmë të substituuar me emra personazhesh si.psh. Hyd Hysi për Hydajet Hysenin, Zenë Gjoni për Zenun Gjocin, Sal Laçi për Sali Lajçin, Martir Çuni për Martin Çunin e shumë figura të njohura të ilegales shqiptare, që u dënuan dhe u persekutuan me vite të tëra. Përballë tyre autori e vë një strukturë tjetër të ‘zhveshur’ nga karakteri letrar, duke i bartur në vepër po me emra të vërtetë, sidomos kur bëhet fjalë për atë strukturë që në një kohë të caktuar janë vënë në shërbim të regjimit, duke denoncuar, ndjekur e torturuar, bijtë më të mirë të këtij populli. Mirëpo edhe atëherë kur autori i zbulon të vërtetën lexuesit, ai nuk largohet nga diskursi letrar, sepse ka zgjedhur gjuhën për ta thënë atë.
Duke qenë roman autobiografik, shenjat realiste të rrëfimit, përshkrimit e të përjetimit, shfaqen hapur në të gjitha strukturat syzheore, duke kërkuar e duke zbuluar botën dhe kundërbotën personale e impersonale të personazhit Eknat Malmiri dhe personazheve të tjerë. I strukturuar në disa pjesë, me tituj shpjegues, secila prej tyre fsheh në vete një storie të dhembshme të të burgosurve shqiptarë. Rrjedha kronologjike freskohet herë pas herë me ndonjë rrëfim të ndërfutur, pastaj për të dhënë elemente të ditarit personal të fiksionit, por të veshur me elemente artistike, të cilat romanin “Burgu” e bëjnë vepër të qenësishme letrare.
Në anën tjetër strukturën rrëfimore të këtij romani e përbëjnë përshkrimi dhe rrëfimi plot dramaticitet, interesant e kategorizues. Edhe pse roman autobiografik, që shkon kah tipi i shkrimit dokumentar, romani rrëfehet në veten e tretë, qoftë kjo për shkak të përvujtërisë autoriale, qoftë për hir të objektivitetit, të cilin e synon përgjithnjë autori. Rrëfimi ka një shtrirje kohore e hapësinore. Koha është objektive, kohë kjo që përkon me rrjedhat dhe ndryshimet sociopolitike në botën shqiptare.
Krejt në fund mund të themi se, autori Ahmet Qeriqi, ka zgjedhur rrugën më të mirë për të dëshmuar golgotën shqiptare, gjithashtu duke dhënë një mësim më tepër sesi koekzistojnë zhanret e ndryshme në një tekst dhe sesi e vërteta (e hidhur) jetësore bëhet referencë e mirë e gjuhës së rrëfimit dhe objekt i letërsisë artistike.
Kontrolloni gjithashtu
Shqipëria fillon restaurimin e trashëgimisë kinematografike
Procesi i restaurimit të trashëgimisë kinematografike në Shqipëri ka një rëndësi të madhe për ruajtjen …