Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Zafir Berisha, ka reaguar ashpër pas vendimit të Gjykatës Speciale në Hagë për të rrëzuar mocionin e paraqitur nga mbrojtja e ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që kërkonte rrëzimin e disa pikave të aktakuzës. Berisha e ka cilësuar mënyrën e vendimmarrjes si dëshmi të “qëllimeve djallëzore” të kësaj gjykate, duke e akuzuar se po ndjek me përpikëri një agjendë të përshtatur me interesat e Serbisë. “Mënyra se si Gjykata Speciale rrëzoi mocionin e mbrojtjes së krerëve të UÇK-së është e mjaftueshme për të kuptuar qëllimin djallëzor të kësaj gjykate. Kjo gjykatë me hapa të sigurt po ecën drejt realizimit të synimeve të Serbisë, argatëve të saj në Kosovë dhe atyre që e sponsorizuan këtë gjykatë”, shkroi Berisha. Në një deklaratë të fortë, Berisha ka paralajmëruar se çdo dënim eventual ndaj Thaçit dhe bashkëluftëtarëve të tij mund të konsiderohet si pikënisje e zhbërjes së shtetit të Kosovës. “Dënimi eventual i Hashimit me shokë është pikënisja e zhbërjes së shtetit të Kosovës, për të cilën po angazhohet Serbia dhe qeveria kuislinge e Albinit”, ka shkruar ai.
