Zef Ndrecaj: 30-vjetori i vrasjes nga policia serbe i vëllezërve Simon dhe Shtjefën Dushi, dëshmorë të kombit

Zef Ndrecaj: 30-vjetori i vrasjes nga policia serbe i vëllezërve Simon dhe Shtjefën Dushi, dëshmorë të kombit

Vëllezërit: Simon Dushi, i lindur 23 shkurt te vitit 1958 dhe Shtjefën Dushi,  i lindur me  4 maj të vitit  1964,  nga fshati  Dejë (Deiq) i komunës së Klinës, ranë dëshmorë heroikisht, në përleshje me armë kundër  policisë serbe, më 13 shtator të vitit  1990.

Ditë kritike të 13 shtatorit të vitit 1990, ata po ktheheshin me makinë nga fshati i tyre i lindjes, Doblibare, ku në afërsi të Klinës, në fshatin Grabanicë, patrulla policore i ndalon dhe fillon t`i maltretojë në mënyrë brutale, dhe në përleshje e sipër plagoset Simoni, e me pas Shtjefni duke e parë vëllain të plagosur, nxjerr armën nga makina, nga të shtënat e tyre të një lufte të pabarabartë, mbetet i vrarë një polic serb dhe dy a tre të tjerë të lënduar. Ata ranë heroikisht krah për krah me njëri tjetrin, duke luftuar për më se dy orë me policinë serbe. Por siç thotë një fjalë e vjetër popullore “po të vritesh në pritë, – nuk e humb lavdinë“.

Dhe ashtu si populli shqiptar i atyre viteve, që sa ma shumë shtohej represioni mbi ta, ai nuk mposhtej, por barrikadohej dhe merrte forcë, për të mos u gjunjëzuar. Ashtu edhe vëllezërit Simon dhe Shtjefën Dushi, atë ditë u vranë, por nuk mbetën te gjunjëzuar, as të poshtëruar, nga postblloku i policisë serbe.

Simoni dhe Shtjefni, ishin bijtë e Jakë dhe Prënë Dushit, të cilët kishin  6 djem dhe një vajzë. Familja Dushi vinte nga Doblibarja e komunës së Gjakovës, e cila u vendos vite më parë në fshatin Dejë (Deiq) të Klinës. Familja Dushi njihet si familje autoktone dhe tejet bujare dhe e fortë, në qëndresën e kohës. Si duket, kështu ishin brumosur edhe Simoni dhe Shtjefni, duke mos lënë anash asnjëherë përpjekjet e tyre për liri kombëtare. Disa hërë kishin marrë pjesë në demonstrata, te vitëve 1981-1988 – 1990, si nga ato të qendrës shkollore „Luigj Gurakuqi“ të Klinës, por edhe në Prishtinë. Çdoherë ishin në ballë të turmës, dhe vëllezërit Dushi i çanin korridoret  dhe nuk e njihnin frikën përballë makinerisë serbe. Si duket policia serbe, u kishte ra në gjurmë, dhe në vendndalim, qëllimshëm fillon represioni mbi ta.

Simon Dushi, u lind në Doblibare të Gjakovës, ku edhe kreu shkollën fillore, ndërsa atë të mesme e kreu në gjimnazin „Luigj Gurakuqi“ të Klinës. Vëllai Shtjefni, po ashtu, u lind në Doblibare, më 1964 dhe gjithashtu pas fillores, vijoi mësimët në gjimnazin “Luigj Gurakuqi”.

Të dy vëllezërit, gjatë viteve të 80-a, u dalluan për veprimtari konkrete, në lëvizjen kombëtare, si shkruarje e parullave dhe pjesëmarrje në demonstratat e kohës.

Sipas  Gjon Gjergjajt (poet dhe skulptor), armiku u kishte ra  në gjurmë dhe ndaj tyre kishte trillu pretekste tjera, por fakti ishte se këta ndiqeshin si „armiq të popullit“. Nga kjo ndjekje e hap pas hapit, këta edhe u detyruan ta lëshojnë vendin, me ç´rast, kohëve të fundit edhe punuan në Zvicër.

Haki Morina, i burgosur politik dhe veprimtar i çështjes kombëtare, i cili kishte qëndruar në një dhomë me Shtjefnin, thotë:  ata na u bashkangjitën neve, si të burgosur politikë dhe atë me veprime konkrete, dhe njëherit na u bashkangjit edhe në  grevë të urisë“.

Pas rënies së tyre Haki Morina do të thotë: “ata e mbajtën betimin e tyre të dhënë në burg „se deri në vdekje nuk do të gjunjëzohën para pushtuesit serb, dhe me te gjitha mjetet do të luftojnë për liri kombëtare”.

Gjon Gjergjaj ( krijues, skulptor), evokon kujtimin se në protestat e vitit 1990, në mbrojtje te autonomisë, kudo i gjeje  Simonin dhe Shtjefnin. Disa herë, policia i kishte rrethuar, por ata nuk dinin se çka është frika dhe me vetmohim e çanin rrethin.

Kosova e viteve 90-ta, ishte përballë një tmerri të cilit nuk i dihej fundi. Pushteti serb kishte instaluar aparatin policor dhe nuk bëhej fjalë më për të drejtat dhe liritë e njeriut si individ, por për jetesën e shqiptarëve, si komb në përgjithësi. Por, edhe populli shqiptar ishte barrikaduar në mbrojtje të identitetit dhe lirisë kombëtare. Paralel me represionin, ishte shtuar vigjilenca shqiptare si kurrë më parë.

Ditë më parë, nga istitucionet paralele të Kosovës, ishte shpallur Kushtetuta e Kaçanikut (7 shtator 1990), ishte bërë improvizimi i shkollave paralele, për nxënësit shqiptar, institucioneve shëndetësore, etj. E tërë kjo dhe senzibilizimi i bashkësisë ndërkombëtare për represaljet në Kosovë, e kishte tërbuar tej mase pushtetin serb të asaj kohe, dhe aplikonte masat më rigoroze ndaj popullatës shqiptare.

Në këtë vazhdë te represaljeve, kudo në Kosovë, kishte të vrarë dhe të maltretuar.

Ditë më parë, kishin ndodhur vrasjet në Rohot, Pavlan dhe Loxhë të Pejës. Po ato ditë, pikërisht më 13 shtator, në fshatin Pollatë, të Podujevës ishin vra Besim Latifi dhe Skender Monolli, ku policët serbë, jo vetëm që kishin penguar varrimin e tyre, por kishin marrë peng edhe anëtarë të familjeve të tyre.

Ky skenar makabër, u aplikua edhe në Komunën e Klinës. Me vrasjen e Simon dhe Shtjefën Dushit, ku familja e tyre jo vetëm që u bastis, por edhe ishte vu në rrethim të plotë, me ç`rast edhe varrimi i tyre u pengua nga masat që ia kishin msyer fshatit Dejë dhe familjes Dushi, për të iu thënë të rënëve lamtumirën e fundit.

Por, megjithatë njerëzit atdhetarë dhe të afërmit, rrezikuan edhe jetën dhe morën pjesë në varrim për t`iu dhënë lamtumirën e fundit këtye atdhetarëve.

Kishte  pjesëtarë nga shumë treva të Kosovës, edhe nga Llapi, Drenica, Dukagjini, etj.

Nga Prishtina kishte ardhur vetë Bajram Kelmendi (KLMDNJ), madje edhe gazetarë, fotograf etj,, dhe enkas për këtë kishin ardhur çifti i aktorëve Xhevat dhe Leze Qena (pasi që babai i Simonit dhe Shtjefnit ishte nipash i Spaqve të Velezhës, Komuna e Prizrenit. Enkas për këtë kishte ardhur veprimtari i çështjes kombëtare, Luan Pavata, i cili fotografoi të vrarët dhe edhe varrimin, të cilat foto i dërgoi në Shqipëri, pastaj në Zagreb të Kroacisë dhe jehona e tyre bëri bujë në tër Evropën.

Jehonë të madhe kësaj vrasje i dha edhe Idriz Dushi ( fotograf dhe veprimtar i qeshtjës kombëtare), i cili i fotografoi të vrarit, dhe vetë i dorzojë ato tek Ramadan Millaku – atëherë përfaqësues(ambasador) i zyrës së Kosovës në Slloveni, të cilat foto bën bujë në tërë Europën për terrorin që bënte Policia dhe aparati shtetëror i Serbis në Kosovë.

Edhe pse pushteti vrasës i atyre ditëve bëri të pamundurën, që ta pengojë këtë varrim, ai nuk e arriti këtë, sepse ky popull din se si t`i nderojë bijtë e vet.

Atë ditë telegram ngushëllimi kishte ardhur nga kryetari i LDK-së, Ibrahim Rugova.

Në leximin mortor, Nrec Zeqiri thotë: “ky popull përherë do t`i ruan në kujtesen e tij këta trima dhe gjaku i tyre një ditë do të bëhet liria  jonë”.

Ndihmë në mirëvajtjen e cermonisë mortore dha edhe profesori i nderuar, Zef Marku.

Ishte tmerr ajo ditë e varrimit të dy vëllezërve,  ku nëna Prena, qëndronte në mes të dy varreve të hapura. Por, bashkë me lotët ishte edhe krenari, dhe pasi e pyetën gazetarët, nënë Prena  iu tha:  “edhe 4 djemtë, i jap për lirinë Kosovës”.

Sipas dëshmisë së Agron Dushit – vëllait të Simonit dhe Shtjefnit, ditën e vrasjes së tyre, ata kishin shkuar në fshatin Doblibare, tek kusherinjtë, dhe familja prisnim një fjalë nusje (fejese): Pritja ishte e madhe dhe thotë ai, ne u brengosëm se diçka iu kishte ndodhur dhe shkuam në Klinë.  E tërë Klina ishte katandisur me forca policore, thotë Agroni, dhe në veçanti Shtëpia e Shëndetit, ku dëgjuam se të plagosur e kishin sjellur Shtjefnin. Më pas, thotë Agroni, morëm vesh se të dy vëllezërit e mi kishin ndërruar jetë.

-U ktheva në shtëpi, ku tërë lagjja ishte bllokuar me forca policore. Nëna ime kishte larguar me kohë ato armë dhe materiale që kishim tek shtëpia, dhe nga bastisja nuk ra gjë në dorën e policëve serbë.

I pari njeri që na erdhi në ndihmë, në ato orë të ankthit dhe tmerrit që po kalonim, ishte Tomë Shala, nga Dugojeva, i cili ishte i gatshëm edhe të sakrifikohej me familjen tonë.

Për dëshmorët e kombit Simon dhe Shtjefën Dushi, kanë shkruar shumë oratorë, shkrimtarë, gazetarë dhe publicistë të njohur.

Prend Buzhala, në mesin e tyre, shkruan dhe përkujtimin e rënies së tyre e titullon “Lule gjaku për lirinë e Kosovës”. Ndërsa, shkrimin e tij, Prend Buzhala e përmbyll me rreshtat: ranë në lule të rinisë, por u shndërruan në lule gjaku, për lirinë e Kosovës.

Shkrim mjaft brilliant, njëherit është bërë edhe nga Pal Canaj, Lekë Mriaj,  Mikel Gojani, Sefer Mehmeti ( nga Kamenica) Zonja. Rabije Bytyqi Gzim Halili Adem Shabani,Leonard Gjakova  etj.

Ndër të tjera, poeti dhe krijuesi prof. Mikel Gojani, shkrimin e tij e titullon „Dëshmorët që ranë për t`u përjetësuar për jetë e mot“.

Nikolin Guri, mes tjerash shkruan: “rruga nëpër të cilën ecën historia, është rruga e gjakut të dëshmorëve, Simon dhe Shtjefën Dushi.

Pastaj  Gjin Musa, për çdo përvjetor, ka bërë nga një përkujtim (shkrim), në përkujtim të vëllezërve Dushi.

Përkujtime, njëherit ka bërë edhe veprimtari i nderuar, Dedë Abazi , i cili e vlerëson lart aktin e atij momenti, ku pak kush ka mundur që atëherë të ia kthente pushkën regjimit serb dhe që të dytë i quan trima.

Perkujtime mjaft me rëndësi, sjell edhe teksti i këngës  së Pjeter Bisakut, kënduar nga Mhill Mrijaj, Fadil Lushaj, Haxhi Xhuxha. Gzim Kerhani  Këngë e cila ishte vështirë të këndohej atëherë.

Sot  vëllezërit  Dushi prehen së bashku  në varrezat e dëshmorëve të UÇK-së, në fshatin  Zaim  të Klinës.

Madje nga organet kompetente,  në vitin 2018, ështe lëshuar certifikatë (nga Agim Qeku) ku të dytë njihen si dëshmorë të kombit.

Ndihmesë, në zbardhjen e këtij fakti që edhe këta të marrin titullin që e meritojnë

“Deshmorë të Kombit”, kanë dhënë Dr. Gani Morina, Mikel Gojani, Njomza Grabanica dhe padyshim Kryetari i KK, të Klinës, Zenun Elezi.

Rruga për Dejë (Deiq)  mban emrin e Dëshmorëve të Kombit, Simon dhe Shtjefën Dushit.

Në fund, në përshkrimin e këtij 30 vjetori të këtij përkujtimi, mund të themi lirshëm se mjerisht që këta u vranë para luftës së Kosovës, dhe UÇK- ja do të kishte dy trima, më shumë, dy pushkë të pamposhtura, për lirinë e Kosovës.

Lavdi vëllezërve Dushi!

Ata ranë, ashtu si bien trimat dhe ne u mbetemi përherë borxh familjes Dushi, e cila humbi më të dashurit, duke na dhënë edhe një herë dëshminë se  rruga e lirisë nuk është e shtruar me lule.

Por, fryti i këtyre luleve është liria e Kosovës që e gëzon ky popull, sot.

 

Kontrolloni gjithashtu

Nermin Vlora – Falaschi (1921-2004)

Nermin Vlora-Falaschi ( 1921- 2004), studiuese e zellshme dhe intelektuale e dalluar shqiptare

Nermin Vlora – Falaschi lindi më 18 prill të vitit 1921 në Tiranë. Filloi nxënien …