Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Prishtinës, Zejnullah Gashi, ka konfirmuar se alarmi për bombë në ndërtesën e Kuvendit të Kosovës ishte i rremë. Pas kontrolleve të kryera nga njësitë kompetente, rezultoi se nuk ka pasur asgjë të dyshimtë në vendin e ngjarjes. Gashi tha se hetimet do të vazhdojnë për të identifikuar burimin e thirrjes telefonike, e cila u bë nga një person anonim që foli në gjuhën angleze, me një theks që, sipas tij, lidhet me “shtete jo mike”. Megjithatë, ai nuk pranoi të japë sqarime të mëtejshme lidhur me këtë përshkrim. “Kërcënimi ishte i rrejshëm dhe deri më tani nuk ka asgjë që vlen të ceket nga vendi i ngjarjes”, deklaroi kryeprokurori, duke shtuar se informacionet e reja do të ndahen me publikun në vazhdim.
