Ahmet Qeriqi dhe Zenun Gjocaj

Zenun Gjocaj: E pashë të nevojshme të qes edhe një gur në këtë godinë të re…

(Fjala e Zenun Gjocajt ( 1943-2013) në përurimin e  trilogjisë: “Rilindjet e orës arbërore”,  më 19 nëntor 2012)

Qysh si fëmijë, i frymëzuar nga folklori i kënduar nëpër dasma, i treguar nëpër oda e i mësuar në shkollë e literaturë historike, së fundi i përjetuar në demonstratat, që nga viti 1968, deri në luftën e fundit shqiptaro-serbe në Kosovë, të kurorëzuar me pavarësinë e Kosovës,  e  pashë të nevojshme të qes edhe një gur në këtë godinë të re, një si dy krah të një shqipje ende të plagosur. Kosova ishte pjesë e kësaj historie, kombi e gjaku këtu e gjashtë shekuj më parë, pothuaj më i madhi vilajet ndër katër të tjerët.

Tanimë, kjo pjese e kombit e meriton një epope kombëtare, si  shumë popuj të liruar sidomos që nga Gilgameshi, Iliada dhe Odiseja, Eneida, Nibelungët, te ne, Lahuta e Malësisë etj.

Tash e njëzetë vjet e pata nisur ta hartoj një vepër, por lufta heroike çlirimtare e fundit në Kosovë dha material të mjaftueshëm, për më shumë se një vepër, andaj vepra mori karakterin e një trilogjie, që përfshin periudhën kombëtare, që nga periudha e Skënderbeut (1444), e dyta që nga pavarësia e Shqipërisë përendimore (1912), dhe së fundi lufta e fundit (1998-99). Ndërkaq, veprën e luftës së fundit, e vazhdova nëpër krisma, nëpër tym e flake, si cjapi te kasapi dhe i përfundova në ditët e bardha.

Trilogjia është biografi letrare epiko-heroike e popullit shqiptar e periudhës kombëtare e nisur që nga periudha e Skënderbeut e këndej.

U mora me epikën heroike të karakterit historiko-letrar, sepse ky krah kombëtar është pjesë përbërëse e trollit iliro-shqiptar jo vetëm që nga viti 1912, kur Kosova ishte një nga katër vilajetet e hapësirës etnike shqiptare të periudhës osmane e këndej.

Ishte vilajeti, si thonë në Malësi të Shkodrës, rrënjë e lisit të gjakut dhe tamblit në mbarë hapësirën etnike shqiptare, i rrënjës së shqipes si gjuhë, komb e gjak, i shpartalluar nga pushtimet dhe padrejtësitë diplomatike ndër shekuj.

Meqenëse luftën e fundit shqiptare-serbe 1998-9 e kam përjetuar për së afërmi, mundësisht jam përpjekur të hyj në thellësitë e shpirtit dhe idealit të luftëtarit në minutat e fundit të pararënies së dëshmorit, por edhe të atyre të plagosur, por të mbijetuar, duke u munduar t’i kap fjalitë, fjalët e tingujt, porositë e këshillat e tyre. Gjithë këto përmblidheshin me një fjali. Ndër ta nuk u dëgjus ofshama, as vaj, as porosi për ndonjë kujdes ndaj fëmijëve të tyre të vegjël, për baba e nënë të plakur, për pasuri, plang e shtëpi të rrënuar, pos “Vazhdonie luftën deri në fitore. Lamtumirë!”

Iu kam ikur skenave të dhimbshme të popullatës së pambrojtur, të strehuar nëpër male, si cjapi te kasapi, masakrave, sepse edhe aty vërehej një qëndresë, qëftë edhe tragjike…në kuptimin” e një si porosei: edhe nëse shkojmë ne, le të lulëzojë liria për të tjerët. Lirinë e fitoi lufta heroike, pa marrë parasysh pasojat, bashkë me qëndresën e mbarë popullatës, jo me vaj në buzë,.por me këngë në gojë me krenari në shpirt për rënie në altar të lirisë.

Veprat janë të liruara nga skenat e qeniet mitologjike (zanat, dragonjt, kulshedrat etj), tani në kohën e armatimit modern, të përdorur në tri frontet luftarake, sidomos atyre pushtuese serbe e NATO-s,  përkrahëse të Ushtrisë çlirimtare të Kosovës.

Gjatë hartimit të veprës së fundit jam përpjekur t’i përfshij rreth tridhjetë betejat më të flakta, meqenë ishte e pamundur të përfshihen të gjitha konfliktet e vogla e të mëdha.

Në shumicën e betejave jam përpjekur t’i përfshij, mundësisht të gjithë dëshmorët.

 Vepra është përpjekje për një epope kombëtare të kohës sonë, e vazhduar prej ku e pat lënë Gj. Fishta me “Lahutën e Malcis” e realiteti i hidhur historik, kur bija u nda nga e ëma, por edhe më pare, duke marrë parasysh se Kosova ishte vilajet, më i madh se Kosova e sotme, pjesë etnike e shqiptarisë që nga Iliria, sidomos që nga periudha e Skënderbeut.

  Pa u munduar të matem a të krahasohem me fuqinë epike fishtiane, vullneti e ideja më dha shtysë për ta çuar më tej rrugën e pavarësimit të plotë kombëtar në vargje, të mbetur në gjysmë në vepër e  në  jetë,  më 1912.

 Është epikë e kohës sonë, shtat i ri me petka tradicionale epiko-metrike, si vetë realiteti i sotëm historik e kombëtar.

Versionin e parë e shkrova me qefin në gji, nëpër shkrumb e hi, nëpër teh shpate, nëpër tym e flakë,  nëpër klithma e krisma,  me veshë në krahë,, duke pritur si cjapi te kasapi, së fundi të  fshehur në rërë, për ta përkryer në ditë të bardha të lirisë.

Në vepër ndoshta  jam zgjatur se nuk pata kohë të shkurtohem, për shkak të motit të lig..

Fundja, natyra epike është e tillë, si nata e zezë dimërore por krenare e historisë sonë.

Ishte rrugëtim i  skuqur i një nate të gjatë  të luftës vendimtare për liri, por me flijime e krenari.

Brezave të ardhshëm mos u mbettë tjetër pos lirisë, mëkëmbjes, shkollimit, përparimit, buzëqeshjes e lumturisë!

 (Kjo fjalë rasti e dr. Zenun Gjocajt është mbajtur me rastin e përurimit të trilogjisë: “Rilindjet e orës arbërore”, “Kosova e kuqe” dhe “Krahët e  shqipes”, më 19 nëntor 2012, në orën 14.oo, në amfiteatrin e Bibliotekës Kombëtare në  Prishtinë)

Epopeja epike heroike e Zenun Gjocajt…

Epopeja  në vargje “Rilindjet e Orës Arbërore”, 2010, “Kosova e Kuqe”, 2011, dhe “Krahët e Shqipes”, 2012, përbëjnë trilogjinë madhështore letrare e artistike që është ndërtuar sipas analogjisë përmbajtësore e kompozicionale me “Lahutën e Malësisë” të Gjergj Fishtës, me frymën ritmike të poemës “Garda krutane” të Kolë Jakovës dhe gjuhën  pasur të rapsodive popullore shqiptare.

Trilogjia e Zenun Gjocajt në përmbajtje, formë dhe brendi  është ndërtuar me mjetet gjuhësore  e kompozicionale të  epikës heroike të eposit letrar. Si e tillë, ajo përmbush një segment shumë të rëndësishëm të epikës sonë letrare artistike në përgjithësi dhe krahas “Lahutës së Malësisë” të Gjergj Fishtës dhe “Gardës krutane” të Kolë Jakovës, e të tjera, ky epos për mendimin tim shënon rrumbullakimin e  një triniteti  letrar, duke përmbledhur historinë e popullit tonë në vargje, prej kohës së Skënderbeut deri te Legjendari, Adem Jashari.

Përpjekjet e autorit për ta shkruar në vargje historinë  600 vjeçare të popullit shqiptar, janë përpjekje të hapëruara nëpër sfida po aq të rrezikshme dhe të vështira sikur vetë historia e popullit tonë. Autori, profesor, doktor , Zenun Gjocaj, ka arritur që disa nga segmentet më të rëndësishme të historisë kombëtare dhe të traditës sonë krijuese, t’ i bëjë zap brenda vargjeve, aq sa mund të bëhet zap historia që mund të shkruhet në vargje.

Mendoj se shumë prej sfidave, qofshin ato kompozicionale, gjuhësore, letrare e artistike janë lidhur me mjeshtëri krijuese, në tërësinë e kësaj vepre madhore, falë punës, vullnetit përkushtimit 20 vjeçar të autorit, por falë edhe  afinitetit për ta rirrëfyer në vargje  këtë pjesë të historisë sonë me gjuhën e popullit, ashtu sikurse kanë bërë, Fishta,  Naimi, Kolë Jakova e të tjerë. Epopeja është rezultat i një vrojtimi tepër të thellë të shumicës prej fenomeneve që përbëjnë  jetën dhe historinë tonë kombëtare në përgjithësi, e në veçanti historinë e  Kosovës dhe të trevave veriore dhe verilindore  të atdheut. Autori është jo vetëm njohës i shkëlqyer i frazeologjisë dhe gurrës së pashtershme të gjuhës së popullit, por edhe njohës i rrjedhave historike, duke ndaluar po thuajse në të gjitha ngjarjet e rëndësishme të së kaluarës prej Skënderbeut deri te Adem Jashari…. Ahmet Qeriqi

Kontrolloni gjithashtu

Dr. sc. Bekim Vishaj: Në shenjë përkujtimi, 39 vite me parë u nda nga jeta Doajeni i folklorit shqiptar, Dervish Shaqa

Dervish Shaqa  u lind në fshatin Llukë e Epërme të Deçanit, në vitin 1912. U …