Brickos

FSK-ja filloi aksionin humanitar të dhurimit të gjakut

Në Ministrinë për Forcën e Sigurisë së Kosovës, filloi aksioni humanitar për dhurimin vullnetar të gjakut, me moton: “Një pikë gjak për shpëtimin e një jete”, në organizim të Departamentit për Bashkëpunim Civilo-Ushtarak, Departamentit të Mjekësisë të MFSK-në, dhe në realizim të Qendrës Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut të Kosovës dhe të Kompanisë së Mjekësisë të FSK-së, i cili aksion do të vazhdojë (për dy javë) në të gjitha kazermat e FSK-së. FSK-ja ka një traditë të organizimit dhe të dhurimit humanitar të gjakut, jo vetëm gjatë aksioneve të rregullta, por edhe jashtë këtyre organizimeve, na thotë Fadil Rrahmani, menaxher i marketingut në Qendrën  Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut të Kosovës. Ai shtoi se pjesëtarët FSK-së, por edhe stafi civil edhe jashtë këtyre organizimeve vullnetarisht japin gjak çdo herë që qytetarët e Kosovës kanë nevojë për të. Kjo u dëshmua edhe sot, ku pjesëtarët e FSK-së po presin në radhë për të dhuruar gjak. FSK-ja është donatori më i madh i dhurimit të gjakut për Qendrën Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut, u shpreh ai.

Ndërsa mjekja e cila po e udhëheq këtë aksion humanitar Bahrije Halili-Gjocaj, u shpreh se pjesëtarët e FSK-së janë shembulli më i mirë i ngritjes së vetëdijes së qytetarëve se si duhet përgjigjur aksionit humanitar për dhurimin e gjakut dhe iniciativave të tjera humanitare në ndihmë të qytetarëve të Kosovës.

Drejtori i Departamentit për Bashkëpunim Civilo-Ushtarak në MFSK, z. Harjush Kurtaj, ndër të tjera tha: “Ky aksion humanitar, i cili ka filluar sot, do të vazhdojë për dy javë në të gjitha kazermat e FSK-së. Ne, që nga viti i kaluar, aksionin humanitar për dhurimin e gjakut e kemi nda në dy faza gjatë vitit. Siç po shihet interesimi i pjesëtarëve të Ministrisë së FSK-së, si gjithherë, edhe kësaj radhe është jashtëzakonisht i  madh. Që, në ditën e parë, këtij aksioni vullnetar i janë përgjigjur 45 pjesëtarë të FSK-së dhe stafit civil të Ministrisë.

Aksionit për dhurimin e gjakut i është përgjigjur edhe nënkolonel Sefer Isufi,  i cili dallohet për dhurimin vullnetar të gjakut që kur ishte nxënës në shkollën e mesme. Ai tashmë ka dhuruar më shume se 20 herë gjak dhe shpreh gatishmërinë e tij për të dhuruar gjak edhe në të ardhmen.

Ekipi mjekësor i Qendrës Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut në bashkëpunim me personelin e Kompanisë së Mjekësisë së FSK-së, sipas kalendarit do t’i vizitojnë të gjitha kazermat e FSK-së, për t’iu  mundësuar pjesëtarëve që të dhurojnë gjak pa shkëputje nga detyrat dhe aktivitetet e punës.

Kontrolloni gjithashtu

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, në takim me kryeministrin Kurti pajtohet për shpërndarjen e Kuvendit

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka vlerësuar  takimin e tij me kryeministrin Albin Kurti, duke …